Në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në Hagë, Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, ka rrëfyer për mesazhet dhe kurajon që i ati ua ka përcjellë familjarëve gjatë viteve të paraburgimit. Altin Krasniqi ka thënë se këto orë para verdiktit kanë rëndësi të veçantë për familjen, ndërsa ka përsëritur bindjen e tij se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Ai ka treguar se Jakup Krasniqi, gjatë takimeve me familjarët, u ka dhënë vazhdimisht kurajë dhe motiv, duke theksuar se lufta e UÇK-së ishte për dinjitetin dhe lirinë e popullit shqiptar. “Sa herë jemi takuar me babin, gjithmonë na ka dhënë motiv dhe kurajë. Ka thënë që lufta e UÇK-së, jo veç e imja, por e secilit ushtar dhe secilit që është duke u gjykuar këtu, ka qenë e drejtë, për dinjitet dhe për lirinë e popullit shqiptar. UÇK-ja ka bërë luftë të pastër dhe nuk ka asnjë vendim që mundet me ndryshuar krenarinë që ka ky popull për këtë Ushtri Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai. Altin Krasniqi ka treguar se ëndërron lirimin e babait të tij, por ka theksuar se, pavarësisht dhimbjes së paraburgimit, krenaria për rrugën që ka zgjedhur Jakup Krasniqi mbetet e pandryshuar. “Jam shumë krenar për rrugën që ka zgjedhur baba im. Unë normal që ndiej dhimbje, po dhimbja ime më e madhe do të ishte nëse babai im nuk do të kishte qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pjesë e shtetndërtimit të Kosovës. Jam krenar çfarëdo që vendimi të merret. Ai dhe shokët e tij kanë me qenë heronjtë e Kosovës dhe kanë me qenë krenaria jonë”, është shprehur Krasniqi. Ai ka bërë thirrje për unitet dhe qetësi pas shpalljes së vendimit, duke thënë se kjo çështje duhet të tejkalojë përçarjet politike dhe se familja dhe ekipi mbrojtës do të apelojnë çdo vendim që e konsiderojnë të padrejtë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
