William Walker: Procesi i Hagës është një farsë, drejtësia nuk mund të vijë nga ky gjykim

Diplomati amerikan në pension, William Walker, ka shprehur shqetësimin e tij për verdiktin e 16 shtatorit në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke kritikuar ashpër procesin gjyqësor dhe mënyrën se si është paraqitur Ushtria Çlirimtare e Kosovës. William Walker, ka thënë se e pret me shumë ankth vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë, pas një procesi të gjatë gjyqësor dhe gjashtë vitesh paraburgim të të akuzuarve. Walker ka deklaruar se nuk mund ta kuptojë zgjatjen e këtij procesi dhe se e ka të vështirë të imagjinojë se si po ndihen Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi pas kaq shumë kohësh në paraburgim. Duke folur për rastin e ndërtuar nga Prokuroria e Hagës, diplomati amerikan ka thënë se, sipas tij, ai është mbështetur në premisa të rreme, duke e paraqitur UÇK-në si një ushtri të mirëorganizuar, me një zinxhir komandues që arrinte deri te ish-krerët e saj. Walker ka theksuar se UÇK-ja ishte një organizatë rajonale, me komandantë të ndryshëm në zona të ndryshme. “Çfarëdo qoftë aktgjykimi, mendoj se vetë procesi i hetimit dhe gjykimit për krimet e luftës që pretendohet se janë kryer nga këta tre persona është një farsë”, ka deklaruar Walker, duke shtuar se gjykata, sipas tij, ka vepruar mbi një keqkuptim të plotë të asaj se çfarë ishte UÇK-ja. Ai ka kritikuar edhe kohëzgjatjen e paraburgimit, duke thënë se drejtësia nuk mund të vijë nga një proces që, sipas tij, ua ka dëmtuar jetën të pandehurve gjatë gjashtë viteve të qëndrimit në paraburgim. Walker ka thënë se nuk e di se cili do të jetë vendimi i Hagës, por ka shprehur shpresën që populli i Kosovës ta kuptojë, siç pretendon ai, se ky proces ka qenë më shumë politik sesa një kërkim për drejtësi dhe të vërtetën. Sipas Walker, gjykimi e ka dëmtuar imazhin e Kosovës dhe ka shprehur keqardhje për pasojat që ky proces ka pasur ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe vendit.

Kontrolloni gjithashtu

SHBA ndryshon qasjen në Ballkan, ky është mesazhi për Kosovën dhe Serbinë

Shtetet e Bashkuara kanë sinjalizuar ndryshim të qasjes ndaj Ballkanit Perëndimor, duke e përqendruar angazhimin …