Shqetësimet për respektimin e të drejtave të të akuzuarve dhe standardet e procesit të rregullt gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës u ngritën gjatë një paneli në Shkollën Harvard Kennedy, ku sociologia Anna Di Lellio kritikoi disa nga praktikat e ndjekura në proceset gjyqësore në Hagë. Di Lellio, ish-komisionere për media në OSBE në Kosovë, tha se mbrojtja nuk ishte ftuar dhe as informuar për një takim informues me shtetet donatore të Dhomave të Specializuara, ku, sipas saj, ishte diskutuar mundësia e dënimeve me burgim të përjetshëm për të pandehurit. Ajo vuri në pikëpyetje transparencën e këtij takimi dhe trajtimin e shqetësimeve të ngritura më pas nga mbrojtja. Një tjetër çështje që ajo e konsideroi problematike ishte mënyra e administrimit të dëshmive. Sipas Di Lellios, disa dëshmitarë kishin dorëzuar deklarata vetëm me shkrim, pa pasur mundësi që mbrojtja t’i merrte në pyetje, ndërsa të tjerë kishin dëshmuar me identitet të fshehur. Ajo theksoi se mbrojtja e dëshmitarëve është e nevojshme, por shtroi dilema për kufijtë e kësaj mbrojtjeje kur mund të preken të drejtat procedurale të të akuzuarve. “Po, është e duhur dhe e nevojshme që të mbrohen dëshmitarët, por deri në çfarë mase e bëjmë këtë në shkelje të të drejtave të njeriut, të të drejtës ligjore të të pandehurve, si dhe të praktikës së procesit të rregullt gjyqësor?”, deklaroi Di Lellio. Këto vlerësime u paraqitën gjatë panelit me temën “Dhomat e Specializuara të Kosovës: Një ngecje për drejtësinë tranzicionale?”, ku u diskutuan edhe pasojat e procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së për drejtësinë tranzicionale në Kosovë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
