Kosova ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt integrimit në sistemin evropian të pagesave, pasi më 6 nëntor ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për përfshirje në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro. Nëse aplikimi miratohet, qytetarët dhe bizneset e Kosovës do të mund të përfitojnë nga transfere bankare më të shpejta, më të sigurta dhe me tarifa dukshëm më të ulëta. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, përfshirja në këtë mekanizëm evropian mund të sjellë kursime prej rreth 55 milionë eurosh në vit për qytetarët dhe bizneset. Ky përfitim lidhet kryesisht me uljen e kostove të transfereve ndërkombëtare, veçanërisht atyre që realizohen ndërmjet Kosovës dhe vendeve evropiane. SEPA, që nënkupton Zonën e Vetme të Pagesave në Euro, është një sistem që standardizon pagesat bankare në euro ndërmjet vendeve pjesëmarrëse, duke bërë që transfertat ndërkufitare të realizohen sipas kushteve të përafërta me ato të pagesave brenda një shteti. Përfitues të drejtpërdrejtë nga ky proces pritet të jenë edhe qytetarët e diasporës, të cilët çdo vit dërgojnë mbi një miliard euro në Kosovë për familjet e tyre. Me përfshirjen eventuale në SEPA, këto dërgesa do të mund të realizoheshin me komisione më të ulëta dhe në kohë më të shkurtër. Përveç qytetarëve, përfitime priten edhe për bizneset që zhvillojnë veprimtari ekonomike me partnerë në vendet evropiane, pasi ulja e kostove të pagesave ndërkombëtare mund të ndikojë në lehtësimin e importit, eksportit dhe transaksioneve të tjera tregtare. Kosova e kishte nisur këtë proces në tetor të vitit 2024, kur dorëzoi paraaplikimin. Përgatitjet përfshinë harmonizimin e legjislacionit për bankat, shërbimet e pagesave dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Në SEPA aktualisht bëjnë pjesë 41 vende, përfshirë shtetet e Bashkimit Evropian, por edhe vende jashtë tij, si Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
