Task Forca e Hetimeve të Posaçme, e udhëhequr nga Clint Williamson, ishte vendosur në Bruksel dhe kishte prokurorët dhe hetuesit e saj, ndërsa EULEX-i në Kosovë, sipas tij, nuk kishte rol të drejtpërdrejtë në punën e kësaj strukture. Mattsson ka pretenduar se në korrik të vitit 2014, Williamson kishte arritur në përfundimin se nuk kishte arsye të mirëfillta gjyqësore për hetimin e këtyre krimeve. Ai ka përmendur edhe një rast tjetër që EULEX-i kishte trajtuar lidhur me organet njerëzore, duke thënë se informacionet e siguruara gjatë atij rasti e kishin bërë të qartë, sipas vlerësimit të tij, se pretendimet e raportit të Martyt ishin tërësisht të gabuara. Sipas Mattssonit, pas kësaj, politikanët ndryshuan udhëzimet për Task Forcën dhe i kaluan asaj edhe rastet e krimeve të luftës që EULEX-i i kishte trajtuar në Kosovë. “Politikanët nuk kishin organe që të hetonin, ndaj ata i dorëzuan në TFPH të gjitha rastet e krimeve të luftës që i kishim në mision. Ai vendim që të hetohej UÇK-ja u mor nga politikanët e jo nga unë apo ndonjë gjyqtar a hetues në mision”, ka deklaruar ai. Duke folur për ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeministrin Ramush Haradinaj dhe UÇK-në në përgjithësi, Mattsson ka thënë se, sipas tij, synimi politik për hetimin e tyre ishte i qartë. “Ishte e qartë se politikanët donin të hetonin Thaçin, Haradinajn dhe UÇK-në. Për mendimin tim, ky është sfondi”, ka theksuar ish-zyrtari i EULEX-it. Megjithatë, kur është pyetur për aktgjykimin e shkallës së parë, përmes të cilit ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim, Mattsson ka bërë dallimin ndërmjet mënyrës së nisjes së hetimeve dhe drejtësisë së procesit gjyqësor. “Nuk kam ndonjë informacion për dyshimet konkrete apo dëshmitë që u shpalosën në gjykatë. Teorikisht ato mund të kenë qenë të mbështetura, por problemi është se hetimi kur filloi nuk ishte objektiv, por çështja nëse të pandehurit patën gjykim të drejtë është tjetër muhabet”, ka deklaruar Mattsson.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
