Platforma “Liria ka emër” po përgatit tri aktivitete në kundërshtim me aktgjykimin dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Ismail Tasholli ka bërë të ditur se në mesin e nismave janë një peticion me synimin për të mbledhur rreth një milion nënshkrime në Kosovë dhe diasporë, një grevë e përditshme dhjetëminutëshe deri në vendimin e Apelit, si dhe një fushatë me 40 video për historinë dhe luftën e UÇK-së. Duke folur për këto iniciativa, Tasholli ka thënë se peticioni do të zhvillohet fizikisht në Kosovë dhe në diasporë, ndërsa nënshkrimet e mbledhura synohet t’u dërgohen institucioneve në Hagë, Strasburg dhe Bruksel. “E para që do ta organizojmë është një peticion fizik brenda Kosovës dhe në diasporë, ku pretendojmë që t’i grumbullojmë afër 1 milion nënshkrime që t’i dërgojmë në Hagë, në Strasburg dhe në Bruksel”, ka deklaruar Tasholli. “E dyta, që e kam folur me disa pjesëtarë të disa sindikatave të ndryshme, që do ta organizojmë një grevë, ku 10 minuta çdo ditë deri në vendimin e Apelit, do të bllokohet Kosova, do të shkojnë në pauzë institucionet, do të bllokohet komunikacioni, do të bllokohen institucionet”, ka bërë të ditur ai. Ndërkaq, aktiviteti i tretë do të jetë një fushatë informuese dhe sensibilizuese përmes 40 videove, të ndara në katër seri dhe me pjesëmarrjen e profileve të ndryshme shoqërore. Sipas Tashollit, në këto materiale do të përfshihen intelektualë, nëna të dëshmorëve dhe figura të njohura publike, përfshirë edhe influencerë, të cilët do të flasin për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Paralelisht me këto iniciativa, platforma “Liria ka emër” ka dërguar edhe letra te deputetët e Parlamentit Evropian dhe zyrtarë të tjerë të Bashkimit Evropian, lidhur me procesin gjyqësor në Hagë dhe vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
