Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar Qeverinë për vonesat në realizimin e projektit për ndërtimin e Fabrikës së Municionit në Gjakovë, duke kërkuar llogaridhënie institucionale për ecurinë e këtij investimi. Ramadani ka rikujtuar se marrëveshja për ndërtimin e fabrikës ishte nënshkruar në dhjetor të vitit 2024, ndërsa, sipas tij, deri në fillim të nëntorit të vitit 2026 nuk kishte nisur vendosja e asnjë tulle në këtë projekt. Ai ka theksuar se vonesat i kishte ngritur edhe në Kuvendin e Kosovës, përmes diskutimeve dhe pyetjeve parlamentare, duke pretenduar se vetëm pas presionit publik është bërë e ditur se punimet kanë filluar. “Veç presioni publik i fut në lëvizje këta qeveritarë. Në dhjetor 2024 kanë bërë marrëveshjen për Fabrikën e Municionit. Deri në fillim të nëntorit 2026, asnjë tullë nuk e kanë vënë”, ka shkruar Ramadani. “Ngrita këtë në Parlament, në diskutim dhe me pyetje parlamentare. Opinioni publik u trondit me të vërtetën që në Gjakovë as që kanë nisur punimet. Tashmë doli lajmi që paskan filluar”, ka deklaruar ai. Në fund, Ramadani ka paralajmëruar se do të kërkojë përgjegjësi për vonesat dhe për çdo veprim apo mosveprim të institucioneve lidhur me këtë projekt. “Do t’i mbajmë përgjegjës për secilin veprim e mosveprim. Do të japin llogari për të metat!”, ka përfunduar deputeti.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
