Akademiku Arsim Bajrami ka propozuar krijimin urgjent të një komisioni shtetëror të ekspertëve juridikë, i cili do të ndihmonte ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përgatitjen e ankesave kundër aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë. Në propozimin e tij për mobilizimin e ekspertizës vendore dhe angazhimin e koordinuar institucional, Bajrami vlerëson se faza e ardhshme e procesit duhet të zhvillohet kryesisht në rrafshin juridik, përmes analizës së aktgjykimit, shqyrtimit të provave dhe identifikimit të shkeljeve të mundshme procedurale dhe materiale. Sipas tij, komisioni duhet të përbëhet nga gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë, prokurorë, avokatë penalistë, profesorë të së drejtës dhe ekspertë të së drejtës penale ndërkombëtare. Mandati i tij do të ishte analizimi i aktgjykimit, vlerësimi i provave dhe përgjegjësisë individuale penale, si dhe përgatitja e një ekspertize juridike që do t’u vihej në dispozicion ekipeve të mbrojtjes. Bajrami propozon që ky komision të fillojë punën menjëherë dhe ta përfundojë ekspertizën brenda muajit nëntor, pa penguar apo vonuar afatet e ankimimit të ekipeve mbrojtëse. Ai kërkon gjithashtu që strategjia e mbrojtjes në shkallën e dytë të përqendrohet në kundërshtimin e konstatimeve faktike, analizimin e besueshmërisë së dëshmitarëve, përgjegjësinë individuale të të akuzuarve dhe pretendimet për ekzistencën e një plani apo qëllimi kriminal. Në propozim përfshihet edhe angazhimi i ekspertëve ndërkombëtarë, monitorimi i pavarur i respektimit të standardeve të gjykimit të drejtë dhe aktivizimi diplomatik i Kosovës në raport me shtetet donatore dhe vendet mike. Si përvojë që duhet studiuar, Bajrami përmend rastin e gjeneralëve kroatë Ante Gotovina dhe Mladen Markač, të cilët fillimisht ishin dënuar nga Tribunali i Hagës, por më pas ishin liruar nga Dhoma e Apelit më 16 nëntor 2012. Në përfundim, akademiku Bajrami thekson se mbrojtja në fazën e ardhshme nuk duhet të mbështetet vetëm në deklarata politike dhe argumente historike, por në ekspertizë profesionale, dokumentacion dhe prova konkrete.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
