Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të presidentes Justina Shiroka-Pula për largimin e fotografisë së presidentit historik Ibrahim Rugova dhe Deklaratës së Pavarësisë nga vendet e nderit në Presidencë. Në reagimin e saj, LDK-ja e ka cilësuar këtë vendim të papranueshëm, duke theksuar se fotografia e Rugovës dhe Deklarata e Pavarësisë kanë rëndësi historike dhe shtetërore dhe nuk mund të trajtohen si elemente të zakonshme dekorative. Sipas LDK-së, fotografia e Ibrahim Rugovës dhe Deklarata e Pavarësisë ishin vendosur në Presidencë nga ish-presidentët Vjosa Osmani dhe Fatmir Sejdiu. Partia vlerëson se këto simbole përfaqësojnë udhëheqjen historike të përpjekjeve të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci, si dhe vullnetin e qytetarëve për një shtet të pavarur dhe sovran. “Presidenca është institucion shtetëror ku nderohen themeluesit e shtetit dhe aktet mbi të cilat është ndërtuar ai”, thuhet në reagimin e kësaj partie. LDK-ja ka theksuar se largimi i këtyre simboleve cenon respektin institucional ndaj historisë dhe identitetit shtetëror të Kosovës. Sipas saj, përgjegjësia e Presidencës për të ruajtur vazhdimësinë e shtetit dhe për të nderuar trashëgiminë e tij tejkalon mandatin e secilit president. Në fund, LDK-ja i ka bërë thirrje presidentes Shiroka-Pula që ta rishikojë vendimin dhe të rikthejë fotografinë e Ibrahim Rugovës dhe Deklaratën e Pavarësisë në vendet e tyre të nderit në Presidencë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
