Ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj, ka thënë se askush nuk mund ta dijë paraprakisht se cili do të jetë vendimi i gjykatës, duke u bazuar në përvojën e tij të mëparshme me proceset gjyqësore. “Absolutisht, as nuk ka shansë me ditë”, ka deklaruar Limaj, duke kujtuar se tri herë e ka përjetuar ankthin e pritjes së aktgjykimit, në Hagë, në rastin “Kleçka” dhe në Gjakovë. “Unë kam qenë tri herë në gjyq, i kam kaluar tri herë radhazi. Haga, rasti Kleçka dhe në Gjakovë, tri herë kemi kaluar me familjen ankthin e pritjes”, është shprehur ai. Duke folur për verdiktin e pritshëm ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Limaj ka thënë se aktgjykimet liruese në rastin e tij dhe të Ramush Haradinajt duhet të merren parasysh në vlerësimin e këtyre proceseve. Sipas tij, këto raste kanë dëshmuar se akuzat nuk përfundojnë domosdoshmërisht me dënime. Ai ka shprehur shpresën që ish-krerët e UÇK-së, të cilët i cilësoi si themelues të Ushtrisë Çlirimtare dhe të shtetit të Kosovës, të kthehen në vendlindje me krenari dhe dinjitet. “Po pres që sot themeluesit e UÇK-së, dhe të shtetit të kthehen ashtu siç kanë shkuar, krenarë dhe me dinjitet”, ka thënë Fatmir Limaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
