Brickos

Zenun Gjocaj: Meditime për romanin “Meditime në arrati” të A. Qeriqit

Kaluan 40 vjet që kur Ahmet Qeriqi, pos tjerash, merret me veprimtari aktive të pandërprerë politike e luftarake, përgjithësisht patriotike formash të ndryshme ilegale e legale. Si i tillë, pak a shumë, u burgos katër herë, duke përjetuar tortura të shumta nga organet e sigurimit “shtetëror” jugosllav. Përjetimet e tilla i ngriti në dy vepra artistike me tematikë të veçantë e të freskët letrare-artistike, “Meditime në arrati” (2002) dhe “Burgu” (2004), kushtëzuar nga kthesa historike, politike e kombëtare e ndërkombëtare, sidomos ajo evrolindore, e shfrytëzuar nga klasa politike revolucionare, ku merrte pjesë edhe vetë autori.
Veprat janë të një fizionomie të veçantë letrare mbi baza të një përjetimi, si thonë, të vuajtur me lëkurë, ku frymëzimet letrare e historike, kombëtare e jetësore të gërshetuara e të shkrira në një tërësi të njëpasnjëshme, pa kallpe e pranga të ndonjë politike ditore letrare. Ndërkaq, paraqitja artistike autobiografike e këtij realiteti të ri ideo-politik e veprimtarisë përgjithësisht patriotike, përmes aksioneve e aktiviteteve të ndryshme ilegale e të hapëta, kërkonte kryekëput njerëz të gatshëm për flijime, trima me karakter të fortë, të pajisur me ideale të larta liridashëse atdhetare, që s´e bëjnë mall vuajtjen as burgun, veten as familjen, jetën as vdekjen.
Jeta dhe vepra e personazheve pozitive të veprave të A. Qeriqit, me tërë qenien e tyre, janë vënë në shërbim të atdheut, pa marrë parasysh sakrificat, duke u kacafytur me vendosmëri me lakejt, servilët, lakmitarët e posteve dhe ofiqeve, shovinistët, përgjithësisht me personazhet e karaktereve të zeza të pushtuesit dhe të shërbëtorëve të tyre. Janë libra për veprimtarë politikë e revolucionarë të luftës për liri, të manifestuar në forma të ndryshme dhe të ngritura në letërsi që po lind, një letërsi me ngjarje të përjetuara historike. Të dyja, jeta e vërtetë dhe ajo letrare-artistike, këtu bëhen një trup e një shpirt. I tillë është edhe prototipi Eknat Malmiri i dy veprave të njëpasnjëshme të sipërshënuara të jetës dhe të letërsisë.
Shpërthim lulesh pranverore. Rrethanat e realiteti i ri në hapësirat ballkanike në fund të shekullit që e lamë, veçanërisht vlimet kryengritëse të kosovarëve në vitet ´80-ta e ato luftarake në vitet ´90-ta, krijuan tema, motive e rrugë të reja artistike, të pikturuara kryesisht me kolorit të vrugët në qelitë serbe e rrugicat kosovare, të gjakut të kuq të dëshmorëve e heronjve të rinisë shqiptare, të vrarë nga terrori serb.
Është për keqardhje heshtja e penave të shkrimtarëve për pikturimin e paktë artistik të këtij realiteti të suksesshëm kosovar që nga vitet ´60-ta të sh. 20. Pak a shumë, arsyetohet mospasqyrimi i luftës kombëtare për liri e bashkim gjatë gjithë shekullit 20, duke pasur parasysh pësimet brendaetnike, presionet politike e diplomatike të favorshme sllavo-greke. Bashkë me pasqyrimin e realitetit të ri kosovar, filloi një pikturim jo vetëm artistik i karakterit të psikologjisë së luftës për liri dhe logjikës së fitores së mundshme për pavarësi të ëndërruar e për unitet kombëtar. Në romanin “Meditime në arrati” A. Qeriqi shpalos ëndërrimet, ndjenjat, mendimet, kujtimet dhe dukuritë e tjera jetësore për ta formësuar mesazhin. Në këto rrethana vetmie, më së paku zë vend dëshpërimi e pesimizmi, sepse autori ishte i përgatitur shpirtërisht për këto vështirësi, qoftë edhe për vdekje. Me fjalë të tjera, shpalosen ndjenjat e brendshme shpirtërore e mendimtare në rrethana të dramatike kombëtare të një periudhe të caktuar të luftës për liri.
Vetmi subjektive politike e kombëtare. Temë themelore bëhet vetmia, e shoqëruar nga ëndërrimet, kushtrimet, ndjenjat e meditimet, kujtesa historike, por edhe nga shpresat për ndryshimin e gjendjes, së fundi edhe nga zhgënjimet. Kujtesa historike, e shpalosur herë pas herë, e rikrijon vazhdimësinë e historisë kombëtare e bartësit e saj, të nxjerra nga çastet e vetmisë në rrafshin meditativ, si dhe nga shkaqet politike, që e përbëjnë thelbin e mesazhit, sa fitohet përshtypja se romani i tejkalon caqet e një vepre autobiografike dhe i jepen tiparet e një romani më tepër se psiko-meditativ. Vepra ka subjekt koncentrik rreth një personazhi kryesor, i thurur përmes meditimeve psiko-analitike, të pastra si loti e si mali i pashkelur. Vlerat e vërteta historike, artistikisht të qëndisura, synojnë qëndresën krenare. Si i tillë, romani është shtjellim i shumëllojshëm faktesh e ngjarjesh të ndryshme dinamike, aty të figurshme, këtu konkrete, duke filluar që nga përjetimet shpirtërore, shëndetësore, përshkrimet fizike e simfonike të natyrës, të mishëruara me natyrën njerëzore e politike si reflekse të kohës, të pajisura me meditime historike e filozofike të autorit, të përgatitur mjaft mirë gjatë shkollimit zyrtar e atij personal, i udhëhequr nga logjika se nuk kihet sukses në luftë për liri pa njerëz me përgatitje superiore letraro-shkencore. Romani nuk është vetëm përshkrim përjetimesh në arrati, por meditim në vetvete, për vetvete e për rrethanat situative aktuale. është një analizë e veprimeve dhe aktiviteteve revolucionare, i hapave të marrë pa ndonjë konsultim të askujt, madje as të bashkëmendimtarëve të vet, ashtu si veproi ilegalja e Lëvizjes, e shpërthyer në formë demonstratash, pa kurrëfarë këshillash e instrukcionesh politike të jashtme.
Përgjithësisht, romani është gërshetim tiparesh letrare-artistike, autobiografike-politike-psiko-meditative, i projektuar përmes paraleles tripalëshe: narrator-personazh-natyrë subjektive e objektive, e shtjelluar përmes shprehjesh ideo-artistike, ku autori mediton çfar[ t´i ngarkojë personazhit, e personazhi ç´raporte të ketë me rrethanat e brendshme e të jashtme situative. Romani është vepër auto-psiko-meditative, i shprehur përmes prototipit të tij – Eknat Malmirit. Është një praktikë shkrimore e dëshmuar që nga letërsia greke, një prozë autobiografike që i përmbahet kodit të qëllimit drejt idesë për të qenë i lirë si njeri, si atdhe e si popull.
Meditimet e E. Malmirit. Figurë qendrore e romanit “Meditime në arrati” është Eknat Malmiri. Aty gërshetohen vlerat morale të tij e të shokëve me psikologjinë kombëtare të kësaj ane, kushtëzuar nga kushtet e rënda të robërisë, ku veprimtari për çështje kombëtare ishte i huaj në shtëpi të vet, ku “për herë të parë në vendlindjen e tij të dashur… po hynte tinëzisht” (f. 10), si shumë luftëtarë të hyrë kësisoji në atdhe e të larguar nga ai me qëllim të realizimit të synimit programatik të veprimtarisë politiko-luftarake të prirë nga ideali për liri, shpirti progresiv dhe energjitë liridashëse çlirimtare. Pezmi e dëshpërimi i Eknatit është i kuptueshëm, sepse ai kishte dalë në mal për t´i tubuar trimat e për të shtegtuar drejt fushës së madhe të luftës për liri, sikundërqë nuk mund të tuboheshin ata, përderisa ujku i bëri pikë e pesë. Si guri i rrokullisur shpatit, që merr me vete edhe të tjerë, Eknati, kasneci i luftës së armatosur çlirimtare dhe shtegtari i pasionuar i stepave drejt lirisë, përpiqet ta zgjojë masën nga gjumi, ta bëjë kureshtare, ta magnetizojë e ta marrë me vete drejt luftës për liri e përparim. Si i tillë, detyrohet të arratiset, jo t´i ikë burgosjes, por t´i grish çlirimtarët për formimin e gueriljeve për luftë të armatosur. Për fat të keq, mbetet zë i vetmuar në shkretëtirë, për shkak të kushteve ende të papjekura politike. Ndër të rrallë, Eknat Malmirit i ra shorti të bëhet lajmëtar i lirisë, së pari me propagandë e oratori të rrallë, pastaj me udhëheqje në demonstrata, dhe së fundi me grishje praktike për luftë të armatosur, duke pritur kushtrimorët në mal. Autori ishte aktiv edhe 15 vite më parë, qysh në bangat e shkollës së mesme, kur e nisi veprimtarinë e tillë LRBSH të A. Demaçit (shih S. Novosella, Kosova ´64, f. 33, 59). Për të realizuar një dëshirë e tillë, u deshën edhe 17 pranvera të tjera. Ky zë i vetmuar nuk e dëshpëron as nuk e thyen kryeprotagonistin e romanit. Autori ka një stil vetjak të luftës së pavarur, i frymëzuar nga heronjtë e traditës, i rritur në prehrin e gjyshit të tij përparimtar e i mikluar me historinë krenare kombëtare. Fati i kryepersonazhit të arratisur është i ngjashëm me fatin e popullit të cilit i takon, i vetmuar në Ballkan dhe përgjithësisht në Evropë, sidomos i kohës së arrestimit, në vitet ´80-ta. Eknati kishte dalë në mal për ta nisur fazën e dytë kryengritëse, luftën e armatosur, pasi ishte shkoqur nga planeti kryengritës i pranverës së nxehtë të ´81-shit, që tronditi jo vetëm Evropën, goditi jo vetëm shtypjen e tiraninë shekullore jugosllave. dhe zgjoi nga gjumi jo vetëm shqiptarinë.
Me tjerrjen e meditimeve të Eknatit, autori ndoqi një rrugë të re të qasjes artistike, kur populli, koha, paria kryengritëse, natyra e qëllimet kishin arritur një shkallë të mjaftueshme unifikimi dhe ishin vënë në ballë të frontit kundër armikut e lakejve të tij. Kështu, fati i popullit lidhet me fatin e Eknatit dhe të natyrës së pamposhtur. Meditimet në arrati gërshetohen me natyrën e vërtetë, që shndërrohet në metaforë të jetës së personazhit. Gërshetimi i faktorëve politikë, patriotikë e natyrorë, subjektivë e objektivë, individualë e kolektivë, marrin kuptim të përgjithësuar, shkrihen me forcën e idealit për liri dhe besimin në fitore, që ushqen heroizmin ndër masa. Është një kundërvënie e vetmisë së skajshme që e kaplon, pak a shumë e mundon Eknatin e mishëruar me shtresën revolucionare të shkrirë me masa e me kryengritje, aktualisht të shuar me gjak, por e mbetur si gaca e mbuluar në hi, që pret të shpërthejë prej çasti në çast. Kjo fërtymë përkohësisht e ndalur me dhunë, realizohet përmes shprehjeve të fuqishme stilistike të poetikës së romanit.
Nga ana tjetër, fati i të arratisurit është i lidhur edhe me fatin e familjes, Kosovës, që stigmatizon vetminë për realizimin e një qëllimi të caktuar, të fillimit të një lufte vendimtare për liri, të një grishje e të një grishësi për kushtrim. Për momentin e pranverës ´81, Kosova revolucionare ishte pothuaj e papërkrahur gjithaq. U deshën edhe 18 vite, mijëra luftëtarë e dëshmorë, që Kosova ta bindë botën se e ka djallin kojshi.
Arratisja si akt e veprim jetësor, politik e artistik, nuk është ikje, as fshehje, por pritje për një akt e fazë vazhduese revolucionare, e cila, për momentin e rrethanat, ishte zor për ta realizuar. Si e tillë ajo e shmang kryepersonazhin nga perceptimet e thjeshta konkrete dhe e shpie në meditime të kushtëzuara nga vetmia, preokupimi, rrethanat e pengesat e natyrave të ndryshme kryesisht politike, në kundërshtim me dëshirat për realizmin programatik të Lëvizjes. Rrjedh se Eknat Malmiri është i lidhur ngushtë për fatin e atdheut, popullit e familjes me ditët e veta të bardha e të zeza e, andaj prej të gjitha mundësive, me gjithë vështirësitë, e ka zgjedhur arratisjen, me shpresë se do ta ngjallë luftën guerile si fazë vazhduese. Mungesa e realizimit të këtij plani e shpie Eknatin në meditime të thella psiko-meditative tonesh të ndryshme, herë më të forta optimiste, herë më sentimentale e dëshpëruese, por kurrë drejt mërgimit.
Tekefundit, nuk mund të zhbëhej jehona e krijuar ato ditë të vala pranverore. Faza e dytë pas ilegales ishte kryer me sukses, por hekuri duhej rrahur sa është i skuqur, përndryshe duhej një zjarr tjetër i përsëritur, për ta skuqur e për ta kalitur hekurin përsëri, ashtu siç ndodhi më vonë. Këtu ka mundësi edhe për analizë më të thelluar ideopolitike, sepse kushtet nuk ishin të favorshme gjithaq për një luftë të armatosur, kur vetë shqiptaria duarthatë kosovare nuk ishte ndërgjegjësuar, viset e popujt e tjerë nën YU-federatë artificiale, si më të armatosura, ende nuk kishin filluar të përgjakeshin për liri. Forcat e pabarabarta të armikut kryesor të përbashkët, duhej shpenzuar e shkatërruar, që të mund të dilet në front me armë të ndryshkura e të lehta. Në anën tjetër, diplomacia perëndimore duhej ndërgjegjësuar e këndellur, që të kuptonte se kosovarët e viset e tjera shqiptare përreth, qenë ndarë padrejtësisht nga trungu kombëtar, andaj duhej dalë në përkrahje morale, diplomatike e militariste, përgjithësisht në mbrojtje të pavarësisë kosovare. Arti ndër shekuj gjithmonë ka synuar brigje fatlume jetësore, por fatkeqësisht është ndërtuar mbi gërmadhat e sakrificave sublime e fatkeqësive, ashtu si ndodh me rrugën revolucionare të Eknat Malmirit të vetmuar më tepër se një vit me kokë nën sqetull, para e pas arratisjes e kalimit të kohës në arrati.
Romanin dhe Eknatin e tij e përshkojnë virtytet tradicionale e patriotike, fryma liridashëse individuale e kolektive, shpirti heroik i sakrificës e qëndresës për të ardhme të lirë, në lidhje të ngushtë jo vetëm me aktualitetin historik. Bërthama shtetërore shqiptare, lëngonte nga iluzionet politike të të qenit model i një shteti ideal bashkëkohor. Andejpari ishte qetësi para një fërtyme që ndodhi shpejt e keq. Aty paraqitet vetmia politike e vetvetes, e malit (nuk ishte ajo gjallëria e dikurshme e barinjve, druvarëve, kafshëve e shpezëve, që formonin një harmoni simfonike, aqmëkeq, nuk ishte koha e punës por e luftës për liri. Duhej vdekur ose çliruar, të Kosovës e shtetit shqiptar. Aty përjetësohet e nxitet shpirti i sakrificës së Eknat Malmirit, i dalë jashtë vetes, këmbëngulës në realizimin e synimeve të vetvetes në radhë të parë, pastaj të kauzës së përgjithshme programatike, duke pasur qëllim tipizimin e karakterit e të misionit të njeriut të këtij trualli e të kësaj kohe.
Shkrirja e natyrës subjektive dhe objektive. Elementi epik i kushtëzuar nga rrethanat tipike të jashtme politike e ngjarjet e pranverës së nxehtë të viteve ´81, të masivizuara, të përgjakshme e të ndërkombëtarizuara, u shkri me elementin lirik, ashtu si ngjarjet e shumta, si të një filmi të metrazhit të shkurtër e të gjatë, kur futen përmes kamerës në një kasetë dhe aty konservohen e kurdoherë mund të shfaqen në ekran. Por me një ndryshim. Te romani „Meditimet në arrati“ të A. Qeriqit, ngjarjet lihen anash, për t´u zëvendësuar e tjerrë me mjeshtri gjatë e gjatë në ëndërr e zgjëndërr, natën e ditën, nëpër male e shpella, lugje e kodra, driza e firaja, në ajër të pastër, në gjelbërimin e natyrës impozante të Rrafshnaltës së Drenicës Perëndimore, jo për vetvete, por për hapat e mëtejmë të zgjidhjes së çështjes kombëtare. Kështu Eknati e Rrafshnalta, me çka kanë në brendësinë e tyre, vlonte nga meditimet e trishtueshme për drojën e ndonjë paralizimi a bllokimin të aksioneve të mëtejshme të Lëvizjes çlirimtare. Ndërkaq, natyra gjelbërohej e ngjallej me pasurinë e saj bimore, shtazore, madje edhe njerëzore (si Azem Cani bujar), me muzikën simfonike të gjallesave të shumëllojshme, të cilat e forconin qëndresën e vetmuar të Eknatit. Natyra personalizohej dhe Eknati natyrëzohej. Bëhej një shkrirje e dyanshme që i jepnin njëra-tjetrës tipare të vetat. “Vendi përreth qe përshkuar me një simfoni të pandërprerë të cicërimës së shpendëve e të zogjve të ndryshëm. Nga dega befasisht largohet dallëndyshja. Tutje ndonjë trumcak apo kanarinë dhe fëshfërima të hardhucave frikacake nëpër dushkun e rënë. Paraqitja madhështore e harmonisë në natyrën që po ringjallej, i bënte përshtypje të vecantë. Pranvera e hershme e vitit 1981 kishte shpërthyer me krejt hiret e dhuntitë e natyrës. Kishin çelur luleshtrydhet, mugulli kishte bulëzuar me sytha të njomëzuar, fijet e holla të barishteve ishin zgjatur… Kthjelltësia e ngrohtësia pranverore i ngjallnin shpresa, sepse së shpejti mugulli do t´i mbulonte degët dhe lëvizjet e tij (Eknat Malmirit – Z. Gj.) do të bëheshin më të sigurta. Përbrenda hetonte një përmbushje të energjisë fizike e shpirtërore.” (f. 13). Harmonizimi i trefishtë i natyrës së metaforizuar, i pranverës së shpërthyer politike kosovare dhe i vetë Eknatit në roman, janë metaforë e gjallë dhe e vërtetë që paralajmëronin fillimin e një rruge të gjatë e të mundimshme për liri. Tjetër gjë është se nuk doli aq gjatë sa menduan idealistët e analistët, falë Ushtrisë Çlirimtare dhe përkrahjes ndërkombëtare në luftën vendimtare kundër pushtuesit të tërbuar.
Në roman mbizotëron auto-psikoanaliza e guerilit modern politik, prej kah po vjen, ç´po bën, ku vete, ku po e shpie vetja, fati e kjo lëvizje shpirtërore psiko-fizike, politike e përgjithësisht patriotike. Kështu, konfliktet e brendshme psikike e rrethanat e jashtme, gjasojnë e dallojnë. Logjika, kokëfortësia e këmbëngulja vetjake e luftës për liri kacafyten me arsyen e mundësitë e papritura, përballë forcës pushtuese. Ilegali e mali momentalisht janë jo ikje nga përgjegjësia e rreziku, por mjet zgjidhjeje të përkohshme dhe të domosdoshme. “ Mbase kishte vepruar me ngut, por sa e sa herë kishte shfaqur qëndrimin e tij militant, lidhur me përgatitjen e njësive guerile…Duhej kërkuar metoda të reja të veprimit, në mënyrë që cështja të avancohej. Nuk duhej kursyer asgjë, madje as jetën”. (f. 19). Te Eknati kishte diçka të trashëguar e diçka të fituar, për t´iu përkushtuar vetëm çlirimit të atdheut deri në fitore, qoftë edhe i vetëm, deri sa t´i rrah damari i fundit, pa marrë parasysh pasojat. “ Synimi i kahmotshëm i Eknat Malmirit kishte qenë arratia, mali, ilegaliteti. Ishte mbase edhe ndonjë recidiv trashëgues, nga gjyshi apo atgjyshi, diçka ataviste që rrëshqiste drejt parashikueshmërisë. Në moshë të re ishte vënë në kontakt me Lëvizjen Revolucionare të Adem Demaçit dhe kishte vepruar për zgjerimin e veprimtarisë atdhetare…Mbase edhe ishte nxituar që s´ishte konsultuar sa duhet me shokët…por ishte arratisur për t´i ndjekur zhvillimet nga afër dhe në rast të organizimit të kryengritjes së armatosur, nuk donte të ndodhej në burg”. (Po aty) Dilemat e tilla duan një analizë jo vetëm letrare, sepse ishin të vërteta, andaj kanë të bëjnë edhe me autorin, por edhe artistikisht kanë efekte, kur kihen parasysh ngjarjet që rrjedhin pastaj.
Tërësia e kontrasteve dhe e kundërthënieve të brendshme të kryepersonazhit e jep patosin e kërkimeve artistike në dy plane: të shpirtit të vetmuar të të arratisurit, në njërën anë, dhe harmonizimi i tij me korin masiv të këngës së masivizuar e të shprehur në kryengritje të asaj pranvere, në anën tjetër. Eknati i arratisur, kudo shoqërohej nga pushka e qeni i tij më besnikë se shumë shërbëtorë të huaj shqipfolës gjak shitur. Shoqërimi i qenit besnik, në cilësinë e truprojës, të vëzhguesit shtazor në mënyrën e vet, të çon në meditime universale kritike njerëzore me ngjyrime metaforike e filozofike.. Si qenie e simbol i besueshmërisë, që ua kalonte shumë qenieve njerëzore, e mos të flasim për “supovcat” shqiptarë që kënaqeshin me tortura të ushtruara mbi të burgosurit gjatë hetimeve për hir të armikut, fatkeqësisht e fatmirësisht, qeni e ruante dhe e mbronte njeriun patriot prej ”njeriut”. Po ashtu, edhe natyra virgjine me veçoritë e konfiguracionit gjeografik, bashkë me disa njerëz të shkrirë me atë natyrë, ishin mbrojtës të të arratisurit. Të shumtën, ata ishin barinj, malorë e bujq, të papërlyer, me tipare të pastra njerëzore, sepse jeta e tyre ishte e virgjër si dhe natyra e atyre anëve.
Kujtimet për ishin një mjet efikas për kalimin e kohës në arrati. Eknat Malmiri i arratisur e i strehuar “ku nuk kalonin as dhitë e egra” (dimrit u strehua në një bunker improvizuar nga i jati në shtëpi), pos tjerash, kalon kohën me përkujtimin e përcjelljen e fatit të kaçakut të dikurshëm Miftar Shema, atgjysh i Eknatit (autorit) më tepër patriot, por edhe kontravers, të bashkëmendimtarëve e bashkëluftëtarëve të tij, duke marrë mbi vete personifikimin e tipareve pak a shumë një me ta: Beqë Dervenin nga Shkupi, Met Ademin, Zenë Gjonin, Himë Lilën, Xhemil Dinën, Fat Grapin, Ylli Piran, Rrahë Drenin, Lim Malin, Dritë Bufin, Bije Jakun etj. Të gjithë këta luftëtarë të lirisë, bashkë me Eknatin, ishin diku ose në burg, ose në ilegalitet. Ndër ta kishte edhe të vrarë, si Naser Hajrizi e Asllan Pireva, nxënës të Eknatit. Në arrati ia kishte dalë ta çojë në vend realizimin e programit jo vetëm të tij, të tjerrë me ide filozofike, madje edhe me përmbajtje të urtisë biblike: “Dhe Hyji tha: Le të bëhet dritë! Dhe u bë dritë!” (f. 11). Është simbolikë e thellë e shkallëzimit: ëndërrimet – përgatitja – demonstratat – lodhja – gjumi – ëndrra – zgjimi – dhe më në fund, – drita. Rrëfimet konkrete ia ndërpresin simbolikën. Kohën e kalonte më tepër duke lexuar. Malin e kishte shndërruar në bibliotekë. Vështirësive iu shtronte para përvojën filozofike: ëndrra – ëndërrimi – realiteti – proceset psikologjike – meditimi “si eremit i shkëputur nga bota”, duke kaluar kohën me kujtimet e atgjyshit Miftar Shema, me bëma e vrazhdësi, “personazh tipik i kohës së kundërthënieve, vrazhdësisë e paditurisë”. Në raste më të rralla ishte goditur nga koncepti fatalist se pluhur ishim e pluhur do të bëhem, por kjo urti biblike nuk e ligështon. Ndërkaq, në faqen e zezë ishin Basho Sani, Lutë Zajzi, Milhami, Teki Lluga, Velë Kaçami, dikur moti Dan Zaptia, i ngritur në një personazh negativ episodik.
Prologu i çdo revolucioni është kriza e përgjithshme politike, ekonomike e morale, shpirtërore e materiale, që e kap shoqërinë për fyti. Ndër të parët e të rrallët, A. Qeriqi e kishte hetuar gangrenizimin e YU-shtetit artificial, i cili në botë kishte formuar një jehonë e imazh të rrejshëm si shtet harmonik e i stabilizuar. Vepra shpesh bie në konkretizim të tillë, që e shpie punën në përshkrim publicistik. Në këto paragrafe, autori shpesh lëshohet në përshkrime konkrete të rrethanave, për t´i paralajmëruar kthesat e shndërrimet drejt përmbytjeve të mëdha YU-politike e shtetërore, ku terrorit serb po i lirohej hapësira e veprimit, e presionit mbi shqiptarë dhe po i mundësohej shtypja e egër. Ndër kosovarë shqiptarë të robëruar ndodhi kryengritja. Individualizimi u masovizua ndërsa masovizimi u individualizua, si në rastin e Eknatit të arratisur e mijëra të tjerëve të arrestuar, tani si në formën e një turme pozitive për të mirën e ardhmërisë së vet, që s´e bënin mall jetën. Shndërrimi i fakteve jetësore e politike në rrafshin artistik, herë më pak, herë më shumë, varësisht nga qëllimet e autorit e të shtruarit të çështjeve, si forcë që gdhend subjektin, si faktor që lidh fatin, jetën, veprën, qëllimin e personazhin, sidomos Eknatin, autori i jep peshë të veçantë artistike. Si njohës i mirë i filozofisë politike, autori e ka shtruar temën mbi bazën e kundrimeve historike, mbi kundërvënien politike-shoqërore kombëtare e ndërkombëtare (shqiptarë-joshqiptarë) në aspektin politik, filozofik, moral e artistik, që u hap rrugë mekanizmave të brendshme të poetikës, organikisht të harmonizuar me segmente të tjera artistike. Duhet theksuar se sinqeriteti e meditimi i thelluar psikologjik i autorit, e ka frenuar, për të mos thënë, e ka penguar sadopak zhvillimin artistik, sepse i duhej bërë analizë e gjykim moral e politik veprimit që i kishte vënë vetes detyrë ta realizojë, pa marrë parasysh pasojat. Aty ka më së paku përjetime individuale, meditime lirike jetësore, përsiatje filozofike për vetveten Megjithëkëtë, përmes vetvetes, romani është objekt i analizës së perceptimit e meditimit për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Është kënd i ri vështrimi, i harmonizuar me natyrën, momentin, situatën, kombin e shoqërinë, si një dritare, për ta parë qëndresën kundër vështirësive në luftë me vetveten e me armikun, deri në fitore.
Pak kund merret në gojë armiku, veprimet e të këqijat e tij, sepse dihet synimi i çdo pushtuesi, diku më i butë e diku më i egër. Pezmin më të madh autori e ka në shërbëtorët e verbër të tyre, të ndarë vertikalisht, brenda një familje a farefisi, regjioni a mjedisi. Kjo ishte dialektikë e përhershme si në jetë, ashtu edhe në vepra, që nga kombet e lashtë e letërsitë e tyre. Ndodh që i afërmi (si Milhami) të dalë më i largët dhe anasjelltas, siç i ndodh Eknatit… Romani është prozë psiko-meditative mbi bazën e asociacioneve organikisht të harmonizuar. Pa i kërkuar gjithaq, autorit i erdhën vetë elemente të reja të poetikës së romanit, ato që ia diktoi arresti. Shfrytëzimi i kujtimeve me mjeshtri, i ideve dhe përjetimeve të guerilit të parealizuar, Eknat Malmiri i ka dhënë rrëfimit karakter lirik, intim dhe emotiv. Si gueril, i ka tiparet e një mentaliteti të ri njerëzor, intelektual i gjithanshëm, njohës i shumë drejtimeve shkencore-shoqërore, politike e filozofike. Në mal e përshkojnë motive emocionuese e refleksive për të medituar, bazuar në horizontin e gjerë të diturisë së fituar, si profesor e figurë intelektuale e politike, përgjithësisht patriotike. Romani shquhet për thellësinë psiko-meditative e pasqyrimin artistik të një trajtimi origjinal jetësor në një rrafsh të caktuar situativ, përzier ndonjëherë me përshkrime publicistike, sidomos të karakterit politik, megjithëse ka situata ku nuk mund të shmanget nga ai. Synimi i autorit përmes Eknatit ishte që t´i heq prangat vrulleve të ndrydhura luftarake, të zhytura në pellgun e dëshpërimit për pamundësinë e realizimit të idealeve liridashëse. Ndjenjat e përgjegjësisë morale për fatin e popullit tjerrën aktualisht përmes analizës meditative, ndonjëherë të konkretizuar, të përshkuara nga besimi optimist në fitore. Janë gërshetuar tradita dhe novatorizmi jo vetëm letrar, psikologjia e mendimi, politika e revolucioni, historia dhe e sotmja. 
Eknat Malmiri është subjekt koncentrik, i rrethuar me një forcë të madhe gravituese të bërthamës organizuese i rrethuar nga figura episodike si bashkëmendimtarë të dorës së dytë etj. Në qendër të veprës gjallon forca e idealeve për liri, e sprovuar nëpër udhëkryqet e (pa)mundësisë, përballë procesit të zhvillimit objektiv historik e rrethanave aktuale. Shquhet prirja e rrëfimit psiko-meditativ të një shpirti luftarak të vuajtur me lëkurë, si vetë autori. Është realja e ngritur në art dhe ideali i stilizuar. Meditimi ishte shok jete, luftë e ngushëllim i ilegales në jetë e vepër.Romani shquhet edhe për karakterin lirik të shprehjes, sidomos të natyrës malore e psikike emocionuese. Pas formimit të organizatës së A. Demaçit, LRBSH, jetës politike, kombëtare e artistike, i ka munguar një vepër e një personalitet që vihet praktikisht në shërbim të kushtrimit për luftë të armatosur për liri. Ai lindi dhe u arratis për këtë qëllim më 3 prill 1981, ndërsa si personazh e si vepër doli në dritë më 2002. Nuk lejoi të bie viktimë as e vetvetes, as e shoqërisë. U nis të bjerë në altarin e atdheut, por nuk e pati fat. Luftës për liri ia hapi gjoksin 40 vjet me radhë. Tani vepron, gjallon. 
Bashkë me shokë të vet kishte vepruar me tërë energjinë fizike e mendore dhe kishte arritur sukses në shkallën e parë, në shpërthimin e demonstratave, por tani i kishte vënë vetës për detyre që t´i rreket realizimit të fazës së dytë; përgatitjes për luftë të armatosur, së pari me formimin e grupeve guerile. Koincidencë në rrafshin familjar e kombëtar: Eknatit u detyrua të dalë komit 100 vjet më vonë se atgjyshi i tij Miftar Shema (I burgosur gjatë viteve 1881-1887). Së pari të përkujton odisejadën tragjike shekullore të luftës për liri, së dyti vazhdimësinë tradicionale të kësaj lufte, të mbajtur mend e të përcjellë brez pas brezi me gojë e vepra, si porosi për flijim. Tragjike ishte tani një atdhetar, i shkolluar, i arsimuar, si karakter moral e intelektual, si Eknat Malmiri, të bredhë maleve të Drenicës bashkë me zogj, shpezë e gjallesa të tjera të ndryshme. Mirëpo ky ishte edhe një proces i suksesshëm, se liria nuk vie pa vështirësi, qoftë edhe i natyrës absurde si kjo e arratisjes së një intelektuali të shquar, i shkrirë me natyrën e Trojeve të Shkreta e Fushëmbifushat e maleve të Drenicës, ku njeriu i shkencës e i artit, duhej bërë banor i shpellës. Ironia e ndërtuar mbi këto absurditete, paralajmëronte një të ardhme të sigurt, kuptohet nëse veprimtaria vendimtare politike vazhdon në mënyrë simfonike nga të gjithë bartësit e Lëvizjes. Ashtu siç pritej edhe ndodhi. Realiteti dëshmoi se veprimtarëve politikë u erdhën ditë edhe më të vështira, që priteshin, qoftë me burgosje masive të mijëra shqiptarëve, qoftë të luftës së armatosur, të paguar me qindra e mijëra, të vrarë, të plagosur dhe të rënë dëshmorë.
Të gjitha këto kërkonin karakter të fortë e të vendosur për t´i ndenjur besnik realizimit të idealit të luftës për liri, me gjithë vështirësitë e natyrës objektive. „Ajme! Sa e sa dëshira të zjarrta që nuk i kishte realizuar, por nga të cilat asnjëherë nuk hiqte dorë!“ (f. 129). Si i tillë, Eknati e kishte mbizotëruar natyrën dhe ishte bërë një me të. Malin e kishte shndërruar atë në bibliotekë, që natyra nuk e lakmon. Së fundi, edhe natyra kishte ndikuar te Eknati, qoftë në përkeqësimin shpirtëror, fizik e politik. E vërteta e natyrës, e jetës dhe e artit paralajmëronte ardhjen e një dimri. „Dielli kishte perënduar…Vjeshta po afrohej. Gjethet e ahut vjeshtor kishin filluar të skuqeshin para kohe. Rënia e tyre i kishte ngjallur një trishtim të papërmbajtur…Tek-tuk dëgjonte ndonjë krrokamë korbi, i cili po përgatitej të ndërtonte strehën e sigurt në trungun e ahut…Dyndja e reve në drejtim të jugut paralajmëronte prehjen e kohës. (f.161). Natyra, moti, politika dhe Eknati si prototip, përgatiteshin për një fërtymë të re të furishme për mirë e për keq, madje edhe për armikun.
Fundi i romanit e përmbledh fijet e idesë së autorit e vetë veprës, më tepër të dhembshme, anipse rrjedhat politike të realitetit të mëvonshëm në hapësirën kosovare nuk u parashikuan mirë. Edhe autori e di se nuk ka fitore pa vështirësi. Eknati ishte nisur rrugës së historisë, tani i vetëm në arrati, por jo edhe në luftë, për çka e dëshmoi e ardhmja, me të cilët u takua përsëri në burg dhe në „BURG“ (në romanin e dytë të botuar pas dy vitesh). „Nga ndikimi i të gjithë faktorëve të natyrës, me të cilët jetonte dhe ishte njësuar, (Eknati) kishte përjetuar një thyerje shpirtërore. Për herë të parë në jetë ndihej i tradhtuar, i zhgënjyer dhe i tretur. Ishte nisur në rrugën e madhe të historisë, por i vendosur për të pritur edhe për të ecur tutje…“ (f. 161)
Libri shquhet për thjeshtësinë e shprehjeve, për mishërimin harmonik midis natyrës së vërtetë e asaj të stilizuar, të autorit dhe prototipit të tij, për forcën e motivimit krijues, precizitetin e thënies së sinqertë. Në „Meditime në arrati“ zbërthehet fati i Kosovës, brenda realitetit të saj historik e aktual, të Kosovës klithmë, dhembje, heroizëm, qëndresë e kurrsesi vajtim, me kusht që të jetë në duart e vetë kosovarëve. Për këto A. Qeriqi niset nga faktorët determinues historikë, kombëtarë e shpirtërorë (gjuha, tradita, karakteri kombëtar etj). Si i tillë, romani, autori e kryepersonazhi janë një si projektues i luftës për liri. Përjetimet e përshkrimet letrare-artistike janë sintezë e aspiratave për liri, të skalitura në prizmin e strukturimit psiko-meditativ, të përshkuar së pari nga ideja, pastaj nga ëndërrimi, dhe së fundi nga shpresa e optimizmi.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …