Dështimi i seancës së 50-të të Kuvendit të Kosovës për konstituimin e institucioneve është tregues i një papërgjegjësie alarmuese nga ana e deputetëve dhe partive politike. Në një kohë kur vendi ka nevojë jetike për stabilitet institucional dhe veprim të përbashkët, klasa politike zgjedh të zhytet në apati dhe interestë ngushtë personal e grupor. Ky është një akt i qartë i braktisjes së përgjegjësive kushtetuese dhe morale ndaj qytetarëve.
Përfaqësuesit e zgjedhur të popullit duket se kanë harruar arsyen për të cilën janë në Kuvend: për të shërbyer vendin, jo për të përfituar prej tij. Me një mungesë të plotë ndjeshmërie ndaj krizave që kalon vendi, ata vazhdojnë të përfitojnë nga meditjet dhe pagat e majme, duke dëshmuar se prioriteti i tyre i vetëm është xhepi personal.
Kjo indiferencë politike nuk është vetëm shqetësuese, është fyese për çdo qytetar që me mund, sakrificë dhe shpresë e ka ndërtuar këtë shtet.
Edhe më tronditës është fakti, që një pjesë e deputetëve nuk përfaqësojnë më interesin e Kosovës, por duken si zgjatim i interesave të huaja, përfshirë ato të Beogradit. Kjo situatë është simptomë e një Kuvendi, që është kthyer në arenë të individëve të korruptuar, servilë dhe jo profesionistë, njerëz që në vend të dinjitetit shtetëror kanë zgjedhur nënshtrimin e turpshëm për përfitime personale.
Ky është një realitet i dhimbshëm, një histori që do të turpërojë, jo vetëm këtë legjislaturë, por brezat që do të vinë, të cilët me të drejtë do të pyesin: Si ka mundësi që pas gjithë atyre sakrificave shekullore për liri e shtet, Kosova të përfaqësohet nga individë që nuk e meritojnë as vendin që zënë në sallën e Kuvendit?
Nëse një shtet rrezikohet nga brenda, kjo ndodh pikërisht kur përfaqësuesit e tij harrojnë idealet, vlerat dhe popullin që i ka zgjedhur. Dhe në këtë rast, faji nuk është vetëm i tyre, por edhe i një shoqërie që hesht, që duron, që e ka normalizuar të keqen. Kjo heshtje e popullit nuk është vetëm pasive, por mund të bëhet bashkëfajësi.
Kosova dhe qytetarët e saj nuk e meritojnë një Kuvend të tillë. Ata meritojnë përfaqësim dinjitoz, të ndershëm dhe me vizion. Derisa ky ndryshim të ndodhë, historia do të shkruajë me dhimbje për këtë kapitull të errët të politikës kosovare, si një dështim i thellë i përfaqësimit dhe përgjegjësisë publike.