Zeqir Bekolli: Koncepti i pavarësisë nuk po vdes, por po vdesin moralisht ata, që propozuan tezat për krijimin e komunave etnike serbe

Kosova tashmë po shihet qartazi se ndodhet në një udhëkryq, që për pjesën dërrmuese duket të jetë enigmatik, por jo edhe për kureshtarët, një pjesë e të cilëve me kohë kanë ngritur zërin dhe kanë shkruar se bisedimet e Vjenës, Pakoja e Ahtisarit, propozimet e Grupit negociator, nuk janë asgjë tjetër, pos rrugë që shpie në copëtimin e Kosovës apo në qipriotizimin e saj. Duhet thënë troç se fillet e kësaj nisme ndodhen në mosseriozitetin e spektrit politik, të institucioneve të përgjumura, në shprehinë e ngulitur në vetëdijen tonë se të tjerët na i kryejnë punët dhe ne vetëm duhet të përtypemi. Pse po themi mosseriozitet, sepse pikësëpari në këto bisedime pala shqiptare e Kosovës ka hyrë pa kurrfarë platforme paraprake, qoftë ajo e dalë nga Kuvendi, apo nga “Akademia” e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, apo nga ndonjë grup ekspertësh. 
Para se të elaborohet kjo, mund të thuhet se është bërë gabim kardinal kur pala shqiptare e Kosovës dhe institucionet e saj kanë pranuar të bisedojnë me Beogradin, duke ia mundësuar atij të jetë faktor i barabartë, por edhe të shndërrohet në nyje të problemit. Bisedat, që në nismë është dashur të zhvillohen me faktorin ndërkombëtar dhe me komunitetin e pakicave për t’i shqyrtuar hallet e kërkesat e tyre, sepse Beogradi këtu ishte kolonizator dhe pas krimeve dhe gjenocidit që bëri nuk e ka pasur as të drejtën morale të flasë për Kosovën dhe në emër të saj, e lëre më të bëhet pengesë e një procesi aq të pritur nga shqiptarët. 
Gabimi tjetër, që mund të konsiderohet tejet fatal, që shpie drejt copëtimit apo qipriotizimit të Kosovës, ndodhi me rastin e propozimeve të palës shqiptare gjatë bisedimeve në Vjenë, për territoret e paqena të komunave e të kishave serbe, duke krijuar rrethanat për krijim in e Mitrovicave të reja, por edhe dëmtuar në këtë mënyrë rëndë edhe fushën e trashëgimisë kulturore. Kishat, të cilat sot mbahen nga ortodoksët serbë: Kisha e Graqanicës, e Prizrenit, e Deçanit dhe ajo e Deviqit në komunën e Skenderajt, janë të ndërtuara para ardhjes së serbëve në Gadishullin Ballkanik. Ky realitet është i njohur dhe për këtë ka argumente të bollshme, qofshin ato burime ndërkombëtare, vendore apo sllave. Edhe këtë fakt nuk ishte në gjendje ta dëshmojë grupi i unitetit, madje për këtë nuk angazhoi asnjë institut a ekspert ndërkombëtar. Por, çuditërisht, vetëm një ditë para se të udhëtonte për në Vjenë, nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, nëngrupi i Grupit të Unitetit, i ngarkuar për trashëgiminë kulturore, i kërkoi hartat topografike për vendndodhjen e kishave në Kosovë, që flet për një papërgjegjësi, joseriozitet dhe një skandal të llojit të vet. Duke propozuar hapësira marramendëse, të paqena, për kishat dhe manastiret serbe, grupi negociator i dha një fizionomi mesjetare Kosovës, propozime për të cilat nuk kishte rënë ndërmend edhe vetë Beogradit!!! 
Gabimi tjetër, po ashtu drastik, është mbetja e Kosovës pa opozitë, nga frika për mbetje larg procesit politik, që e ka goditur shumë çështjen, sepse Kosova ka mbetur pa propozimin alternativ dhe pa mekanizimin për korrigjim dhe shtyrje të procesit, duke e çuar vendin drejt udhëkryqit dhe amullisë, në të cilën tashmë ndodhemi. Këtu mund t’iu bëhet vërejtje serioze edhe veprimeve amorfe të institucioneve, të cilat u sollën sikur nuk ekzistonin fare, apo sikur të ishin përgjegjëse para qytetarëve të Xhibutit e jo të Kosovës, pa e ndjerë fare peshën e përgjegjësisë për vendin. Çka i stimuloi gabimet? Korrupsioni është mekanizmi i “instaluar” nga UNMIK-u dhe i paluftuar prej tij dhe subjekteve vendore, që u bë jo vetëm pengesë kryesore për pavarësinë, por edhe shteg i servilizmit të demonstruar në Vjenë. 
Na ka rënë të lexojmë se në periudhën kur pjesëtarë të delegacionit nga Grupi i Unitetit udhëtonin për në Vjenë, në shtypin vendor botoheshin shkrime dhe faksimile për zhytje në korrupsion të formave të ndryshme. Mund ta marrim me mend se në çfarë niveli ka mundur të jetë një pjesëtar i tillë në tavolinën e bisedimeve ! Ku ka qenë përqendrimi i tij, në shmangie nga akuzat apo në atë për çka është folur në tavolinën e gjelbër! 
Se nuk ka pasur fare seriozitet, flasin edhe paraqitjet e ndryshme publike si ajo: se delegacionin serb e mundëm 8:2, se kemi folur me Bushin për këtë çështje, se pavarësia po troket në derë, e lloj – lloj deklaratash fëmijërore. Apo, edhe mosmbajtja e shënimeve me rastin e takimeve, mungesa e një platforme të hartuar më parë nga ekspertë e të ngjashme. Dhe tani, kur mjegulla pothuajse është ngritur dhe po shihet e vërteta dhe kur kërkohet një përmbledhje e një energjie, Grupi dhe institucionet e kanë futur kokën në zall mu si struci dhe sikur mundohen që problemin ta hedhin diku tjetër, apo duke heshtur, atë ta përcjellin në rrugë, apo të fillojnë të bindin opinionin se “pavarësia ka vdekur”, se kërkohet një lloj zgjidhje tjetër, por gjithmonë me ata në krye. Kjo përsiatje, që është edhe një përpjekje për t’u shfajësuar për gabimet me pasoja, nuk i ha më pazari, siç thotë populli. 
Koncepti i pavarësisë, madje edhe diçka më shumë, jo vetëm që nuk po vdes, por po vdesin moralisht sata, që në Vjenë nuk u angazhuan për pavarësinë, por për krijimin e hapësirave etnike dhe kishtare të paqena. 
Shtrohet pyetja tjetër: Pse të pyeten Rusia dhe Serbia? Njëra ishte kolonizatore për një periudhë të gjatë në planin ideologjik, kurse e dyta, kolonizatore e Kosovës. Realitetin e ri në Kosovë duhet ta ndërtojmë vetë, në bashkërendim me ata që po na përkrahin, siç janë: SHBA-ja, Anglia e të tjerë. Duhet t’u themi ndal provokimeve, që cenuan dhe cenojnë rëndë ekzistencën tonë. Për këtë duhet të bëhemi të vetëdijshëm. Kuvendi i Kosovës duhet t’i shtrëngojë “opingat” dhe ta shpallë pavarësinë e Kosovës, nëse nuk dëshiron që ta mbulojë turpi i historisë, sepse me bisedimet shtesë s’do të ketë më Kosovë. Kosovën e duam kështu siç e kemi, e nuk na duhet një Kosovë e shndërruar në karikaturë, që fatkeqësisht ka nisur të propagandohet.
Nëse duhet të bisedohet me Beogradin, duhet të bisedohet për problemin e Kosovës Lindore e të Sanxhakut të Nishit, për këtë hapësirë, nga e cila janë dëbuar me dhunë banorët e 710 fshatrave shqiptare. Për bisedime të këtij problemi duhet të bisedojë Tirana zyrtare. Prandaj, shqiptarët nuk kanë pse të frikësohen nga e vërteta. Të vërtetën për ne po e thonë dhe e kanë thënë edhe të huajt. Bie fjala, gazetari i famshëm gjerman Viktor Majer, ndër të tjera në librin e tij të fundit thotë troç:”Kosova nuk duhet të bjerë në kurthin e autonomive të papërcaktuara apo të statuseve speciale apo çfarëdo qofshin ato, që nuk kanë përmbajtje. Shqiptarët janë autoktonë në Kosovë. Serbët kanë ardhur aty shumë vonë”. Besoj se kjo thënie e tij nuk do koment.

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …