Zeqir Bekolli: Përvjetor i shpresave të thyera për puntorët e “Rilindjes”

Zeqir Bekolli: Përvjetor i shpresave të thyera për puntorët e “Rilindjes”

Sot, më 12 shkurt 2020, u bënë plot 75 vjet qyshkur pa dritën e vet e përditshmja gazeta “Rilindja”, e cila (hiq anën politike) shërbeu si abetare për shqiptarët nën ish-Jugosllavi. Ajo gazetë dhe kolektivi i saj, kundruall shumë katrahuarave, arriti të jetë një kroniste e kohës, kurse lexuesit shqiptarë t’i afrojë lajme të fushave të ndryshme të cilat vështirë se i gjenë te mediat e sotme.

Pos lajmit politik, aty lexuesi e ka gjetur atë ekonomik, kulturor, sportiv. Në kohën kur doli gazeta ishte njëra ndër mediat me tirazhim më të madh të kohës. Në fillim botimi i saj nisi në qytetin e Prizrenit, për t’u zhvendosur më pastaj në Prishtinë në ndërtesën afër Muzeut Historik të Kosovës, ku qëndroi deri në ndërtimin e Pallatit të „Rilindjes“, ku u krijuan kushte dhe hapsira të përshtatshme për botimin e saj. „Rilindja“, më pastaj do të shndërrohet në një ndërmarrje të përbërë në gjirin e së cilës, pos gazetës ishin edhe gjashtë ndërmarrje tjera të cilat NSHGB „Rilindja“ e shndërruan në një gjigant të fuqishëm mediatik.

Mirëpo, pas rënimit të autonomisë së Kosovës, goditje mori edhe gazeta „Rilindja“ të cilën pushuesi serb e mbylli, duke e pamundësuar daljen e saj. Pavarësisht prej masave represive të pushtuesit serb, kolektivi i gazetës „Rilindja“ nuk u dorëzua. Në fillim, organizoi grevën e njohur të urisë, pas së cilës vendosi që gazetën e deriatëhershme për bujqësi „Bujku“ ta kthejë në gazetë të përditshme politike-informative ,duke e shndërruar në këtë mnëyrë edhe si zëdhënëse të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi.

Me një fjalë, në rrethanat e pushtimit klasik dhe të përpjekjeve shoveniste serbe për pastrimin etnik të Kosovës, „Bujku“ dhe kolektivi i saj arritën me sukses ta mbajnë gjallë shpirtin e shqiptarëve, duke kundërshtuar ashpër politikën shtypëse të pushtuesit, për të qarë rrethimin drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit. Gazetarët trima të asaj periudhe, kundruall rrahjeve, torturave, vrasjeve,… nuk u ndalën për asnjë çast. Ata ishin çdoherë në kye të detyrës duke bërë edhe sakrifica ekstreme me të vetmin qëllim që publiku i brendshëm dhe ai ndërkombëtar të njëheshin me dhunën dhe represionin sistematik të pushtuesit serb mbi shqiptarët dhe këtë e realizuan me sukses.

Edhe në rrethanat e luftës gazetarët ishin aty ku ndodhnin ngjarjet, vrasjet, djegiet, shkatrrimet dhe spastrimet etnike. Edhe pse qe ndaluar së botuari gazeta, kolektivi i saj veproi me mençuri duke hapur qendrat e saja në Zvicër e më pastaj edhe në Tiranë në të cilat gazeta doli me emrin „Rilindja“, falë mundësive që i afroi interneti, duke u shndërruar kështu në një zë të fuqishëm i shqiptarëve. Kundrejt kësaj pune dhe angazhimi, në rrthanat e lirisë, në vend që ky kolektiv të përkrahet nga shoqëria e gjerë, me një vendim të njëanshëm të administratës së UNMIK-ut, më 31 shkurt 2002, u mbyll gazeta „Rilindja“, kurse gazetarëve të saj iu pamundësua hyrja në Pallat.

Pas shkapërderdhjes së kolektivit, Pallatin e „Rilindjes“, tok me ankesin dhe mbi 5 hektarë tokë i mori Qeverisë e Republikës së Kosovës për nevojat e saja. Ndërsa, punëtorët e saj, një numër syresh kanë mbetur rrugëve, disa prej tyre kanë vdekur ose janë pensionuar, kurse një numër fare simbolik ka arritur të gjejë punë, dikush nëpër institucione e dikush nëpër media private e gjetiu. Duhet përmendur se nga gjiri i këtij koletivi kanë dalë edhe figura të mëdha të kombit siç është Jusfu Gërvalla, i vrarë nga UDB-ja serbo-jugosllave në Gjermani. Pushtuesi serb ka vrarë gazetarin, Afrim Maliqi, dhe korrespondetin e gazetës nga Rahoveci ,Teki Rexhepi.

Ndërsa pas luftës nga personat deri tash të panjohur janë vrarë edhe gazetarët Xhemajl Mustafa dhe Shefki Popova. Edhe pse ka ndodhur kështu, kolektivi i „Rilindjes“ me shpresa të thyera vazhdon të mos dorëzohet. I organizuar rreth sindikatës dhe udhëheqjes së saj legjitime vazhdon të luftojë për realizimin e të drejtës për 20 për qindëshin për pasurinë e saj tashmë të uzurpuar, këtu në Prishtinë dhe në Tiranë të njohur si „Euro Rilindja“ dhe nuk do të pushojë deri në realizimin e këtyre të drejtave. Kolektivi ka edhe një synim, që ta rikthej në publik gazetën tradicionale „Rilindja“, por tash në kushte dhe rrethana të reja. (Autori është drejtor i gazetës „Rilindja“)

Zeqir Bekolli: Përvjetor i shpresave të thyera për puntorët e “Rilindjes”

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …