Zeqirja NEZIRI: RAPSODËT E RUGOVËS DHE TEORIA E EPOSIT

Konteksti. Në këtë studim kam shtruar në diskutim vetëm tri momente kyçe të figurës së lahutarit dhe të ushtrimit të aftësisë së tij të këndimit, që dikur kanë qenë shumë aktuale, por ende nuk janë tërhequr në arkivin e literaturës shkencore. Në zërin e lahutarit ose të rapsodit, si pjesë përbërëse e cilësimit të figurës së tij, nëpër fjalorë dhe enciklopedi thuhej dikur, por shkruhet edhe sot se ai: (1) është i verbër, (2) aftësinë krijuese e ushtron nën stimulimin material të mecenit; dhe, kur ky mungon, (3) këndon nëpër “mehane” ose endet rrugëve duke kënduar dhe duke kërkuar lëmoshë. Në këtë kontekst tradita shqiptare, në makroplan, sidomos kjo e Rugovës në mikroplan, ndihmon teorinë e eposit t’i qartësojë këto cilësime të padrejta e të shtrembëruara për personalitetin e tij, rrjedhimisht edhe për ndryshimin e vetëdijes për personalitetin e këngëtarit epik. Kemi marrë si pikënisje dëshmitë në mikrorajon, në rajonin e Rugovës, si një pjesë përbërëse të tërësisë kom­bëtare shqiptare për të çuar përpara shpjegimin e problemeve të procesit krijues epik në makroplan, pra në nivel kombëtar shqiptar dhe global botëror. Përvoja e lahutarëve të krahinës së Rugovës, në plan krahinor, si edhe përgjithësisht e lahutarëve shqiptarë, në nivel kombëtar, dëshmon të kundërtën e asaj që shkruhet për subjektin e tij. 


Në krahinën e Rugovës janë regjistruar rreth 120 mijë vargje te Eposit të Kreshnikëve


Në nivel kombëtar deri tani janë regjistruar rreth gjysmë milioni vargje të këtij eposi, kurse vetëm në krahinën e Rugovës janë regjistruar mbi 120 mijë. Sipas këtyre të dhënave, fondi epik i krahinës së Rugovës përbën një të katërtën e fondit të përgjithshëm kombëtar të kësaj shtylle vertebrale “të kulturës shpirtërore të popullit shqiptar” (NEZIRI, Zymer Ujkan, 2006, Studime për folklorin I, IAP, Prishtinë: 169). Ajo është njëra ndër krahinat e rralla e ndoshta të fundit shqiptare, e cila traditën e lashtë mbi tremijëvjeçare të dokumentuar të këngëtimin epik e solli të gjallë deri në shekullin 21. Ndaj, ka të drejtë, studiuesi i pasionuar i kësaj lënde Zymer Ujkan Neziri kur konstaton se Rugova është njëra prej krahinave më të pasura të epikës legjendare në Ballkan (NEZIRI, Z.U., 2006, Studime për folklorin I, IAP, Prishtinë: 161).


Pak histori. Në traditën botërore eposi paraqitet në dy forma: (1) si poemë e gjatë e njësuar dhe (2) në formë kë­n­gësh të veçanta. Në rastin e parë, si poemë e gjatë ndërtohet si një tërësi e plotë dhe unike rreth një subjekti, me të cilin ngjarjet li­dhen në vijimësi njëra pas tjetrës. Eposet e këtij tipi janë fryt i aftësisë krijuese të individëve të veçantë, që bashkojnë pje­sët brenda një tërësie, pavarësisht nëse këta individë njihen sot me emër ose jo. TeDigenis Akritas p.sh. tregohet me radhë hi­storia e lindjes, e rritjes, e veprimtarisë, e martesës dhe e vdekjes së heroit. Në rastin e dytë secila prej këngëve paraqitet si unitet artistik më vete; që trajton një problem a një ngjarje të ve­çantë, një çështje që nga lindja, në rritje e gjer në zgjidhjen e saj. Por të gjitha kë­to formojnë një masë kompakte poetike, si një poemë të tërë. I tillë është edhe Eposi heroik shqi­ptar i Kreshnikëve.


Të dy grupet e eposeve heroike, kanë një vjetërsi shumë të lashtë, por regjistrohen shumë vonë. Përmbajtjen e kanë fantastike e përrallore, që nuk mund të perceptohet me mjetet e sotme reale, përveç imagjinatives. Zakonisht, veprat e tilla, janë prodhim i bashkësive pa shtet, të cilave i përshtaten edhe heronjtë e tyre. Të këtillë janë të gjitha eposet botërore, si në Evropë ashtu edhe në Azi, si bie fjala Shah Nameja te iranianët, Nibelungët te gjermanët, Këngët e gjesteve te francezët, si edhe Ka­levala finlandeze, Beowulfi anglez, Digenis Akritasi bizantin, ashtu edhe eposi heroik shqiptar.


Interesimi për studimin e këngës epike është i lashtë. Çështje të studimit të saj janë shtruar në çdo epokë: nga Aristoteli e këndej. Mirëpo, rrallë është studiuar si fenomen i veçantë, por më shpesh në kuadër të formave të tjera letrare. Më tepër është folur për ngjashmëritë midis epikës dhe llojeve të tjera letrare, se sa mbi karakteristikat e këndimit epik. Interesimi i vërtetë mbi studimin e këngës epike, si fushë e veçantë e letërsisë gojore paraqitet atëherë kur ky lloj i këndimit epik ka përfunduar së krijuari. Kjo vonesë shpjegohet me procesin e konstituimit të letërsisë, si disiplinë e veçantë shkencore, në shekullin e nëntëmbëdhjetë, kur më nuk krijoheshin ose nuk këndohen epose (PAVLIČIĆ, Pavao, 1983, »Epsko pjesništvo« , Stamać – Škreb, Uvod u književnost, Globus, Zagreb: 559).


Historia e mbledhjes dhe e botimit të eposit heroik shqiptar


 Jeta shkencore e eposit heroik shqiptar nis në prag të shekullit 20 me një fragment të botuar nga Majeri (më 1897), vazhdon me një këngë të plotë të Malësisë së Madhe të botuar nga Gaspër Jakova – Merturi (më 1904) dhe me dy këngë të Nikollë Ivanajt të botuara në vitet 1905 – 1906 në gazetën e tij Shpnesa e Shqypnisë. Interesimi për mbledhjen dhe botimin e tyre rritet midis dy luftërave botërore. Në këtë periudhë kohore Nikollë Ivanaj e Shtjefën Gjeçovi me shokë materialet e mbledhura nisën t’i botojnë në revistën Hylli i Dritës. Rëndësi të madhe historike për këngët e eposit heroik shqiptar ka ngritja e përmbledhësit Visaret e kombit, në vëllimet I, II dhe IV të të cilit nën përkujdesjen e Bernardin Palajt dhe Donat Kurtit u botuan një numër reprezentativ i këtij lloji të këndimit epik. Studiuesi i famshëm gjerman Maksimilian La­mberci (Maximilian Lambetrz), gjatë Luftës së Parë Botërore, pat mbledhur disa këngë, të cilat bashkë me disa përralla i botoi më 1922 (në vëllimin Përralla shqiptare). Gjithashtu, ndërmjet dy luftërave botërore këngë të eposit heroik botuan edhe Marin Sirdani (në vëllimin Skanderbeu mbas gojdhanash, 1926) e Kasem Ta­ipi. Kësaj kohe i përket edhe vëllimi Poezia epike e kufinit në Shqipëninë e Veriut (1943).


Disa nga këngët e eposit heroik shqiptar janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja. Përveç ndonjë botimi në organet e periodikut vlen të përmendet përkthimi i 20 këngëve të Visareve të Kombit në gjermanisht nga M. Lambertzi (më 1954, ribotuar më 1958), përkthimi i Këngëve popullore legjendare në rusisht (Moskë, 1958), si dhe, tani vonë, përkthimi në anglisht nga Robet Elsie dhe Janice Mathie-Heck (2004).


Puna për mbledhjen dhe botimin e këngëve të eposit heroik shqiptar vazhdon në mënyrë më intensive pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë periudhë të gjysmës së dytë të shekullit të 20 materiale të eposit heroik shqiptar janë botuar në vëllimin Këngë popullore legjendare (Tiranë, 1955; Prishtinë, 1972), Këngët e popullit (Tiranë, 1955), në Antologji të ndryshme, si dhe në vëllimet Folklor shqiptar II. Epika legjendare I, II. Cikli i kreshnikëve (Tiranë, I – 1966; II – 1983); dhe Këngë kreshnike (Prishtinë: I – 1974, II – 1991, III – 1993). Si materiale të përzgjedhura nga Instituti i Kulturës Popullore i Tiranës parashihet të botohen pesë vë­llime, kurse nga Instituti Albanologjik i Prishtinës pritet të botohet Koleksioni i  madh i Zymer U. Nezirit.


Gjendja e këngëve epike heroike në Rugovë


Në Institutin Albanologjik të Prishtinës është arkivuar projekti i Zymer U. Nezirit Epika legjendare e Rugovës(1979-1988), ku parashihet të botohet fondi individual i lahutarëve të kësaj krahine (NEZIRI, Zymer Ujkan, 1997,Epika legjendare e Rugovës V, IAP, Prishtinë: 7). Sipas fjalëve të Zymer Ujkan Nezirit, mbledhësi më i madh i këtij fondi këngësh epike heroike të kësaj krahine, në këtë krahinë prej një numri të madh lahutarësh është mbledhur një material shumë i pasur i eposit heroik shqiptar që përfshin rreth 120 mijë vargje dhe që planifikohet të botohet në 15 vëllime: në 7 prej tyre do të botohet fondi individual i shtatë lahutarëve, kurse në 8 vëllimet e tjerë materiali i herrur nga grupi tjetër i lahutarëve, të cilët në repertorin e tyre kanë një fond më të vogël se 7 – 8 mijë vargje. Prej gjithë këtij fondi të pasur, më 1997 është botuar vetëm vëllimi i pestë, ku janë përfshirë 30 këngë me dhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë vargje të kënduara nga Haxhi Meta – Nilaj.


Nga lahutarët me fond më të pasur dhe më në zë të Rugovës Zymeri veçon katër prej tyre: Shaban Groshin e Shkrelit (1923-1998), fondi i të cilit është vjelë pjesërisht (NEZIRI, Z.U., 2006, Studime për folklorin I, IAP, Prishtinë: 156), pra gjithsejt 19 këngë; Haxhi Meta – Nilajn (1912 – 1994), nga fondi i të cilit, tham pak më parë, janë botuar 30 këngë me 10 650 vargje; Isë Elezaj – Lekëgjekajn (1947), nga fondi i të cilit janë vjelë 11 këngë me rreth 6 500 vargje; dhe Isuf Selmani – Kuklecajn (1908 – 1989), nga fondi i të cilit janë vjelë 22 këngë dhe pas Haxhi Metës është lahutari i dytë që kalon kufirin e dhjetë mijë vargjeve. Këta lahutarë konsiderohen prototipa të lahutarëve të tjerë kombëtarë: Sokol Martinit, Osman Arifit, Ndue Lulashit e Mirash Ndout.


Përveç tyre, përnga fondi i pasur i këngëve nga krahina e Rugovës dallohen edhe: Ramë Çaushi – Elesaliaj (1908 – 2000), Ali (1915 – 1992) e Rrustem (1919 – 2000) Tahiri – Metujkaj me nga rreth 7 000 vargje secili; pastaj Bekë Tahiri-Shala (1937-1990), Ibish Bajrami – Kurbogaj (1915 – 1992), Misin Nimani – Sejdaj (1912-2002) dhe Isuf Veseli – Dreshaj (1926 – 2000) (NEZIRI, Z. U., 2006, Studime për folklorin I, IAP, Prishtinë: 157 – 158, 172). Natyrisht se këta lahutarë më në zë të kësaj krahine shkollën e këndimit në lahutë dhe të këngëve të eposit heroik shqiptar e kanë trashëguar nga lahutarët paraprakë, të shekullit 19, numri i të cilëve është koxha i madh. Përmenden diku rreth 100 lahutarë të vdekur që kanë lindur në shekullin e 19 ose në fillim të shekullit 20 (NEZIRI, Z. U., 2006, Studime për folklorin I, IAP, Prishtinë: 152). Një numër i këtyre lahutarëve e kanë njohur ose e përmendin në kontekst të traditës Qor Hysin, i cili ka kënduar edhe shqip edhe boshnjakisht, njësoj si kanë kënduar edhe lahutarët e tjerë të koleksionit të Millmen Perit: Avdulla Ferizi e Salih Uglla, mandej Xhemajl Zogu e Sulejman Forti, Sulejman Makaj e Shaban Nuhoxhiqi (NEZIRI, Z.U., 2006, Studime për folklorin I, IAP, Prishtinë: 52, 107).


Personaliteti i lahutarit


 Këngëtarët a lahutarët janë njerëz të thjeshtë, përgjithësisht analfabetë, kurdoherë të lidhur me pu­nët e veta blegtorale e bujqësore. Ata fitojnë teknikën e artit të tyre në rrethin familjar dhe shoqëror, ku edhe kualifikohen si këngëtarë të ardhshëm. Ata luajnë rol të rëndësishëm në bartjen e këngëve epike nga njëri brez në tjetrin. Nuk janë profesionistë, nuk e ushtrojnë mjeshtërinë e tyre nën stimule ma­teriale, por këndojnë kur t’u jepet rasti në familje, a ndër miq, në fis të tyre a ndër fise të tje­ra, ku shkojnë për festa të ndryshme familjare e popullore (HAXHIHASANI, Qemal, 1967, 155 – 156).


                Përfitimi i përvojës epike kërkon parakushte të shumta: rapsodi, që në fëmijëri, dë­gjon vargje (sepse jeton me mjedisin gojor) dhe nis ta ushtrojë ndërtimin e tyre. Këtë model e ka të njohur edhe dëgjuesi, sidomos ai tip dëgjuesish, i cili do ta ndjekë rrugën e ra­p­so­dë­ve / krijuesve, ndaj audienca është në gjendje ta bëjë dallimin midis var­gut të përshtatshëm dhe atij të modifikuar.


Mbë­shtetur në këto pikëpamje Bellou, Peri, Shmausi, Lambeci e Llordi erdhën në për­fu­ndim se këngëtari: gjatë ekzekutimit të këngës zotëron dhe krijon një sistem të caktuar shpre­hjesh; dhe gjatë ekzekutimit të këngëszotëron një mori formash të pë­r­pu­nu­a­ra, nga të ci­lat nis punën e vet.


Kjo mënyrë e këngëtimit nënkupton ekzistimin e një lloj shkolle popullore, në të ci­lën formohej këngëtari i ardhshëm. U konstatua se njëri këngëtar nga këngëtari tjetër ka mësuar ose ka marrë fraza, vargje, motive të rrumbulla­kë­­su­a­ra ose këngë të tëra dhe ia ka përshtatur sti­lit, vargut dhe repertorit të vet (BERISHA, Anton: 1982, Çështje të letërsisë gojore, Rilindja, Prishtinë: 110-132).


Ndihmesa e studiuesive ame­ri­ka­në Millmen Peri dhe Allbert B. Llord


Në këtë drejtim, në shekullin e njëzetë, një ndihmesë të madhe dhanë studiuesit ame­ri­ka­në Millmen Peri (Milman Parry) dhe Allbert B. Llord (Albert Lord), të cilët, duke punuar në fushën e homerologjisë dhe duke eksploruar material nga këngëtarë dygjuhësorë, mu­n­dësuan krijimin e veprave përgjithësuese dhe specialistike, të cilat ndihmuan të ndriçohen shumë çështje të nisura në shekullin e 18 e të avancuara në shekullin e 19, por në shekullin 20 të shtrembëruara në dëm të epikës shqiptare. Midis tyre është edhe çështja e të qenit i verbër e lahutarit, si dhe e stimulit material. Në thelb të kësaj çështjeje qëndron shkolla e dikurshme mitologjike sovjetike (tani ruse) me Meletinskin, mandej Bahtinin e pasues të tjerë të tyre, e cila kishte sforcuar tezën medievaliste, sipas të cilës eposet i kishin krijuar individë të shkolluar, të cilët përgjatë Mesjetës kishin shërbyer nëpër oborret feudale dhe kur këta ishin plakur, meceni i kishte përzënë dhe si të verbër ishin kthyer në popull, ku tani të plakur e të verbuar, vazhduan t’i këndojnë bëmat e mecenit ose të ndonjë heroi tjetër, si dhe të kërkojnë lëmoshë për ta siguruar bazën materiale (PEŠIĆ, Radmila / MILOŠEVIĆ  ÐORÐEVIĆ (1984), Narodna književnost, Vuk Karadžić, Beograd: 94).


Në këtë temë ndër veprat më të rëndësishme të studiuesve të huaj konsiderohen Heroic Poem – Heroic Poetry (London, 1952; Stuttgart, 1964) e D. C. Bowres; The Making of Homeric Verse (Oxford, 1971) e Millmen Perit;The Si­nger of Tales (New York, 1968) e Allbert B. Llordit; Homersko pitanje (Globus, Zagreb, 1988) e Zdeslav Dukatit. Ndërsa nga studiuesit shqiptarë dallohen punimet e simpoziumit Epi­ka heroike shqiptare (20-22 tetor 1983, Tiranë), si dhe studimet e Enver Me­hmetit (Tematika e këngëve kreshnike shqiptare, magjistraturë, mbrojtur më 1979 në Prishtinë), Zymer Ujkan Nezirit (Poezia legjendare e Rugovës, disertacion, mbrojtur më 1995 në Prishtinë; librat Studime për folklorin I (2006), II (2009), IAP, Prishtinë), Shaban Sinanit (Mitologji në Eposin e Kreshnikëve, Tiranë, 2000), Veis Sejkos (Mbi elementet e përbashkëta në epikën shqiptare – arbëreshe dhe serbokroate, studim monografik i botuar në Tiranë në vitin 2002), Izaim Murtezanit (Elementet mitike në eposin dhe baladën shqiptare dhe maqedonase, disertacion, mbrojtur më 2003 në Shkup, botuar më 2006) .


Studimi i eposit heroik shqiptar


 Problemet e ndryshme që ngre eposi heroik shqiptar lidhur me origjinalitetin, përhapjen, brendinë, strukturën dhe mjetet stilore kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve që nga fillimi i paraqitjes së tij në arenën shkencore. Deri në vitet e tetëdhjeta, më saktë deri në vitin 1983, mendime të përgjithsuara rreth vjetërsisë, karakterit heroik dhe bukurisë artistike, si dhe teza pak a shumë të kristalizuara janë paraqitur në hyrjen e vëllimit II të Visareve të Kombit, ku luftërat që trajtohen në këtë epos janë parë si kontraste nacionale të një periudhe shumë të lashtë (shekulli VI-VII).


Probleme të origjinës, të elementeve historike, kulturore, morale e shoqërore të tyre, si teza me interes lidhur me procesin e dyfishtë të një huazimi të ndërsjellë shqiptar-sllav të këtyre këngëve dhe mbi autoktoninë e figurave mitologjike që qëndrojnë në themel të tyre janë shtruar nga Eqrem Çabej, sidomos nga albanologu i njohur gjerman Maksimiliam Lamberci. Mandej vështrime përmbledhëse mbi problemet themelore të këtij eposi janë dhënë nga Dh. S. Shuteriqi, Zihni Sako (Historia e letërsisë shqipe I, Tiranë, 1959: 74) e Qemal Haxhihasani (1966), Shefqet Pllana, Demush Shala (1985), Jorgo Panajoti e Riza Hyso (1992). 


Si rezultat i punës së zhvilluar në terren për herrjen dhe mbledhjen e këtij materiali të pasur folklorik, më 20-22 tetor 1983, në Tiranë e në organizim të Institutit të Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave të Shqi­përisë u mbajt simpoziumi Epika heroike shqi­p­ta­re. Punimet e këtij tubimi shkencor dhanë ndi­h­me­së shumë të madhe që bënë një kthesë me rëndësi të madhe historike në studimin e eposit heroik shqiptar. Nga kjo anë e shkencës u vunë themelet shkencore të ngrehinës së identitetit kombëtar të eposit heroik shqiptar. Në të u ndriçuan, u çuan përpara dhe u avancuan anë të ndryshme të epo­sit heroik shqiptar nga të gjitha fushat e shkencës albanologjike, si nga ajo hi­sto­ri­ke, etnografike, gjuhësore, ashtu edhe nga ajo letrare historike, letrare teorike e krahasimtare me eposet e popujve të tjerë ballkanikë e evropianë. Në një periudhë të vogël kohore, pas mbajtjes së këtij simpoziumi, pasojnë studimet monografike të pesë studiuesve shqiptarë: Veis Sejkos, Enver Mehmetit, Zymer Ujkan Nezirit, Shaban Sinanit, Izaim Murtezanit (nga dy prej tyre u realizuan në Prishtinë e në Tiranë, kurse njëri në Shkup), të cilët, në këtë drejtim, dhanë një rëndësi të veçantë për thellimin e studimeve në fushën e eposit herok shqiptar. 


Koha e lindjes dhe bërthama e Eposit të Kreshnikëve


Lënda kryesore epike, që ka pla­­zmuar bërthamën e Eposit të Kreshnikëve, nuk mund të ishte produkt veçse i asaj shkalle zhvi­­llimi, kur shoqëria ndahej nga bashkësia primitive e kur lënda mitologjike – përrallore shndë­­rrohej, duke iu nënshtruar ligjeve të përvetësimit estetik, duke u integruar në stru­k­tu­rat e eposit poetik – heroik – legjendar. Teoria e përgjithshme e eposit ka provuar tashmë se çdo epos me përmbajtje të tillë epike – legjendare është fryt i bashkësisë primitive, i sho­­qërisë së thjesht fisnore, kur bashkësi të tilla popullsish, me tipare të njëjta etnike hy­j­në në udhën e kristalizimit të kombësisë.


                Që përafërsisht aty nga fundi i shekullit XIV është zhdukur domosdoshmëria his­to­ri­­ke për atë tip mendimi poetik, që lind dhe ngrit eposin legjendar, kjo dëshmohet edhe me faktin se në atë ko­­hë kishte filluar të kristalizohej pjesa tjetër e epikës tonë, epika trimërore me identitet historik. Duke u nisur nga këto premisa Jeronim de Rada me Gavril Darën e Ri dhe Bernard Bilotën, si dhe të gjithë rilindësit arbëreshë, në mungesë të materialit faktografik me të cilin disponon sot shkenca albanologjike, këtë botë të eposit heroik shqiptar, e vendosnin në prag dhe para “Motit të Madh”. Një parashikim profetik. Pikërisht në prag të pushtimit osman kishin ndodhur procese të tilla shoqërore e historike, të cilat po zë­ve­n­dë­so­nin brenda folklorit mendimin poetik legjendar me mendimin poetik historik. Pasiqë ba­­shkësia shoqërore kishte arrirë një shkallë të tillë të konsolidimit të vet etnik e të zhvillimit të saj shoqëror, sa që pajisej me vetëdije artistike historike, nuk mund të lindin më epo­se legjendare. Nuk është e rastit që në epikën tonë, nuk pati epos legjendar për ngjarje hi­s­to­rike kaq të rëndësishme, siç ishin Beteja e Kosovës, epoka e Skënderbeut, kry­e­n­g­ri­t­jet e Ta­nzimatit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Padyshim bërthama e konfliktit të eposit heroik shqiptar mbetet dyndjet sllave në Ba­­llkan në shekujt VI – VIII, prandaj edhe koha e lindjes dhe e formimit të tij i përket kësaj peri­u­dhe, d.m.th. she­kujve VI – XII (UÇI, Alfred, «Epika heroike dhe vendi i saj në folklorin shqiptar», „Kultura popullore”, Tiranë, IV(18)/1983, 2: 24, 27-28).


Në këtë epos gjejmë mjaft të dhëna që flasin për një fillim shumë të hershëm të jetesës së tij artistike. Të tilla mund të përmenden: botëkuptimi i lashtë, si: animizmi, antropomorfizmi, figurat mitologjike, të jetuarit me gjueti e blegtori etj. Në epos ma­let, pemët, trupat qiellorë ndiejnë sikur të ishin qenie të gjalla (hëna merr ndore, në besë, Halilin etj.); kuajt flasin si njerëz, këshillojnë trimat; zanat marrin pjesë në të gjitha ngjarjet (“Martesa e Mujit”). Gjithashtu eposi sjell dëshmi të qarta për kontakte të hershme të po­pu­llit tonë me po­pujt e tjerë. Ai flet p.sh. për kontaktet me romakët, me bi­zantin e hershëm etj. (kërkesat e Ba­lozi “tym për tym” janë një taksë bi­za­ntine).


Por në këtë epos, konflikti kryesor që gjendet në strukturën e kë­n­gëve, është ai ndë­r­m­jet shqiptarëve me sllavët e Jugut. Historia na mëson se ky konflikt filloi që me dyndjen e tyre të para në Ballkan (shekujt VI-VII) dhe vazhdoi deri më sot (2001). Edhe eposi ka në thelb kë­të konflikt që me lindjen e tij. Ai u rrit duke trajtuar anë të reja, nga më të ndry­sh­met të këtij konflikti. Ndaj “lahutarët e kanë ruajtur në këngët e këtij cikli vetëm jehonën e kësaj përgjakjeje” (NEZIRI, Z. U., 2006, Studime për folklorin I, IAP, Prishtinë: 169).


Ndër elementet faktografikë, që kohën e lindjes së eposit heroik shqiptar e çojnë në një periudhë kaq të largët historike janë: a) veshja mitike e personazheve, b) bashkëjetesa me qenie mitike; c) mënyra dhe vendi i jetesës, ç) mjetet luftarake, d) mënyra e zhvillimit të luftimeve, dh) vetitë e jashtëzakonshme morale e fizike; e)  mënyra e martesave; ë) binariteti i dy vëllezërve; f) lartësimi i figurës së nënës dhe mungesa në tërësi e babait; g)transformimi: vdekja dhe ringjallja. Kjo kohë, sipas të dhënave historike mund të shtrihet e shumta deri në periudhën e paraqitjes së formacioneve të para ushtarake. Domethënë koha e lindjes së eposit heorik shqiptar përkon me kohën e lindjes së formacioneve ushtarake, të cilat historikisht përputhen me periudhën antike.


Dëshmi tjetër e lashtësisë së eposit heroik janë edhe disa toponime (em­ra vendesh) që ndeshen në të. Këtu tërheq vëmendjen në mënyrë të ve­ça­ntë Jutbina, kryeqendra e keshnikëve. Sipas gjeografisë së sotme Jutbina shë­nohet si qytet i vogël në Kroaci; por gjeografia e lashtë tregon se dikur aty banonte një popullsi ilire/shqiptare, e cila ka ardhur duke u rrudhur pë­r­­brenda nga sulmet e jashtme. Në epos ka edhe shumë të dhë­na për Mesjetën e vonë, që dëshmojnë për jetesën e gjallë të tij: vazhdimësinë e këndimit dhe të kontaminmit me elemente të reja. Këto elemente tregojnë karakterin polistadial të eposi heroik shqiptar.


Tiparet e përbashkëta të eposit heroik shqiptar me eposet e tjerë


 Eposi heroik shqiptar nuk për­bën ndonjë dukuri të veçuar artistike, nga eposet e popujve të tjerë, por është pjesë e pa­n­da­­rë dhe pjesë përbërëse e thesarit epik botëror. Tematika e të gjitha eposeve është e afërt ose e ngjashme. Në kë­të linjë edhe eposi heroik shqiptar nuk bën përjashtime.


                Eposi i Kreshnikëve, në këtë kontekst, është i një radhe me eposet e mirënjohura – epo­­sin homerik, sagat e Skandinavisë, këngët për Rolandin dhe Sidin, epopenë e Digenis Akri­­tasit, Kalevalën, Nibelungët, bilinat ruse dhe epikën e sllavëve të Jugut (UÇI, Alfred (1983), «Epika heroike dhe vendi i saj në folklorin shqiptar», „Kultura popullore”, Tiranë, IV(18)/1983, 2: 39). Dë­­shmitë mbështeten në: a) lashtësinë e trashëguar sipas parimit oral dhe jo libresk; b) pro­­dhimtarinë autoktone ilire – arbëre – shqiptare dhe vazhdimësinë mijëvjeçare përballë kry­që­zi­mit të kulturave dhe të qytetërimeve të ndryshme nga Lindja e nga Perëndimi; c) karakterin legjendar dhe arkaik që li­dhet me botën poetike të eposeve të tjerë (UÇI, Alfred (1983), «Epika heroike dhe vendi i saj në folklorin shqiptar», „Kultura popullore”, Tiranë, IV(18)/1983, 2: 27-28). Me të e ndërlidhin përveç pranisë së qe­­nieve mitike e fantastike – përrallore edhe temat e ndryshme si: rrëmbimi a çlirimi i gra­ve, rrëmbimi i ndë­rsjellë i kuajve, zëniet rob, burgosjet dhe çlirimi i heronjve (“Arnaut Os­­­mani”), krushqitë dhe martesat, miqësitë dhe armiqësitë, bes­ni­kë­ri­të e larta dhetra­dh­ti­­të tronditëse, që janë të pranishme në të gjitha eposet nga Gilgameshi e deri te Sagat e Ka­­levalet skandinave. Duke qenë kështu, ai paraqet afri e paralelizma me eposet e popujve të tjerë, sidomos me ata të popujve ballkanikë. Paralelizma të tilla paraqiten në te­ma­tikë, mo­­tive, rrethana, subjekte, personazhe dhe në mjete të shprehjes.


Për shkak të këtyre veçorive specifike kanë depërtuar në repertorin e tij jo vetëm te­­ma e motive të kohëve të ndryshme, por edhe tema të një qarkullimi të gjerë me pre­ja­r­dh­­je nga eposi i popujve të tjerë. Të kësaj natyre janë p.sh. temat e evokimit të forcës fi­zi­ke, ndonjë paralelizëm me subjekte të “këngëve të gjesteve”, të “Nibelungëve” dhe sidomos re­­pertori i gjerë i temës së martesës, elemente të fondit të përrallave ose zakonet ka­ra­k­te­ri­s­­tike të martesave të periudhës së Mesjetës, ku heroi duhej të kalojë pengesa që kanë për që­­llim të provojnë aftësitë mendore dhe fizike të dhëndrit, të zgjidhë enigma të ndryshme, të dalë fitimtar në garat luftarake (sipas kërkesave të kohës, në qitje me hark, në mundje të li­­ra ose mbi kalë, në lufta, në rendje me kuaj ose koçi), siç përshkruhet në këngën e Lule Fra­­ngut (Q. Haxhihasani, 1967: 158).


Ngjashmëri paraqiten edhe në motive. Motivi i transformimit me anë të veshjes ësh­­të i njohur për të gjitha eposet. Në eposin tonë, Halili hyn në kampin e shqe­ve me ve­sh­­je të tjera dhe qëndron atje i veshur si vajzë. Pokështu, si në eposin tonë, edhe në Kën­gët e gjesteve, ose në epo­sin serb e maqedonas hasim motivin e trimit të sëmurë rëndë, i ci­li ngritet e lufton me armikun (te ne i tillë është Gjergj Elez Alija, te maqedonasit Bo­len Do­jçini). Në këngën “Vajtimi i Ajkunës” yjet, zogjtë, pemët e zanat ma­rrin pjesë në dhe­m­b­jen e nënës, kurse te Kënga e Vainemonenit elementet e këtilla të mrekullishme për­sh­k­ru­a­jnë gjendje gëzimi e lumturie. Tregimi për vajzën lu­ftëtare, që, në eposin tonë, vi­shet si dja­lë, merr emrin Omeri i Ri dhe në dy­lu­f­tim vret kundërshtarin e rrezikshëm, në vi­jat the­me­lore, është një subjekt gati i mbarë bo­tës. Ai është i pranishëm te grekët akritë, ita­lianët, po­rtugezët, rumunët deri edhe në Brazil.


Teoritë e studimit të eposit dhe propaganda pansllave


 Në shekullin e nëntëmbëdhjetë teoria migracionale (e shtegtimit të motiveve të pë­r­­bashkëta në përralla) e Teodor Benfeit gjeti shtrirje edhe në studimin e kë­­ngëve epike, sidomos të eposit heroik shqiptar. Dhe, si pasojë, duke e konsideruar si të hu­­azuar nga eposi mysliman i Bosnës, nuk u bë regjistrimi dhe botimi i tyre. Vsevolod Mi­­leri, themelues i “shkollës historike” në folkloristikë (Petrovski, Blazhe, 1992, Transformiranjeto na makedonskiot junački epos, IF “Marko Cepenkovski”, Skopje: 19-20), do t’i përpu­no­­jë idetë e teorisë aristokrate në një lëvizje të veçantë. Ai është i mendimit se eposi rus fi­­lli­misht ka lindur “në aristokracinë fisnore” dhe pastaj ka depërtuar në popull.


                Edhe teoria klerikale e Zhorzh Bedijesë nuk bënte ndonjë përjashtim, sepse kjo pra­­nonte shtresën e priftërinjve endacakë, të cilët kanë luajtur rol të rëndësishëm në lin­d­jen, shtrirjen, kultivimin dhe jetesën e eposit heroik. Sipas kësaj teorie ndërmejtësuesit, pri­­ftërinjtë, midis aristokracisë dhe popullit kanë luajtur rolin kryesor në jetesën e eposit he­­roik. Kjo teori, si dhe ajo e shkollës historike ngatërronte procese të jetesës së eposit dhe të këngës epike përgjithësisht. Bëmat dhe veprimet e personazheve, kjo teori i iden­ti­fi­ko­n­te me kohën dhe gjenezën e krijimit të eposit. Në këtë kontekst, Nikolla Jorga (Petrovski, Blazhe, 1992, Transformiranjeto na makedonskiot junački epos, IF “Marko Cepenkovski”, Skopje: 19-20), p.sh. ishte i me­­ndimit se Chanson de geste nga Franca ishin përhapur në Napoli, nga Napoli në Shqi­pë­­ri, që këtu në Rumuni dhe prej aty në Poloni (Petrovski, Blazhe, 1992,Transformiranjeto na makedonskiot junački epos, IF “Marko Cepenkovski”, Skopje: 19-20).


Përhapja e kufizuar gjeografike e këtyre këngëve – vetëm në pjesën veriore e verilindore të shqiptarëve, e ndërlidhur me vendveprimin e personazheve – trojet e Bosnjës, Dalmacisë, Hercegovinës e Kroacisë mundësuan paraqitjen e dy palë pikëpamjeve kundërshtare, të cilat këtë tip të këndimit epik e (1) konsiderojnë si të prejardhur e të huazuar nga sllavët e jugut – sidomos nga boshnjakët e myslimanizuar, sepse me këngët e tyre konvergjojnëemrat e personazheve dhe vendveprimi i tyre (grupi i parë); (2) që kundërshtohet nga të tjerët se këto janë origjinale shqiptare dhe nuk janë të huazuara nga popujt e tjerë sllavëjugorë (grupi i dytë).


Në diskutimet që janë shtruar rreth gjenezës së epikës sonë heroike ithtarët e pozitivizmit historik kanë formuluar dhe kanë vënë në qarkullim shumë hamendësi të paargumentuara. Ndërmjet tyre, vazhdon të prijë dhe të ketë ndikim teoria e bartjes dhe e shkollës folklorike sovjetike, që shekujt XVII – XVIII i ka plasuar kohën e formimin të epo­­sit tonë. Në përpjekjet për të mbrojtur këtë hipotezë rreth moshës së përbërësve kryesorë të epikës sonë heroike, ithtarët e saj kanë marrë si pikënisje, si rre­gull, vetëm ndonjë element a dukuri të pjesëshme e anësore të saj dhe nuk kanë marrë për ba­­zë bërthamën e përbërësve kryesorë të eposit heroik shqiptar. Po ky gabim me­to­do­lo­gjik është bërë edhe kur si kohë e lindjes së epikës heroike shqiptare është marrë shekulli XV, duke e lidhur origjinën e saj më të hershme, me moshën e ndonjë elementi të pje­s­shëm. Prandaj ithtarët e shkollës historike, të teorisë së bartjes dhe të te­­o­ri­së klerikale sllavistë nga të gjitha anët e botës u angazhuan t’i mohojnë grekëve, ru­mu­­në­ve, shqiptarëve e popujve të tjerë jo sllavë ballkanikë origjinalitetin e veçantinë në kri­­ji­met e gjata epike të tipit të eposit heroik (SHUTERIQI, Dhimitër S., 1986, Çështje të folklorit shqiptar 3, Tiranë: 344; BERISHA, Anton, 1987, Mbi letërsinë gojore shqipe, Rilindja, Prishtinë: 119).


Për rolin që gjoja e kanë luajtur sllavët e jugut në krijimtarinë epike të popujve të tjerë të Ballkanit


Në këtë kohë, pas krijimit të shtetit serb, nga studiuesit serbë, nisi të mendohet edhe për rolin që gjoja e kanë luajtur sllavët e jugut në krijimtarinë epike të popujve të tjerë të Ballkanit, si dhe për epër­sinë e tyre mbi ta. Një kritikë të zbehtë pikëpamjeve të këtilla i bën Tvërtko Çubeliqi, kur the­ksonte se „për ne ka rëndësi vendimtare si në kuptimin teorik, ashtu edhe pragmatik veçimi i nivelit ballkanik i vjershërimit epik dhe fomërsimi i eposit sllav, në të cilin vazhdimisht kemi qenë të përfshirë; dhe përfundimisht të eposit jugosllav, i cili dëshirohej të paraqitej si fenomen i vetëm në territorin sllavo-jugor” (ČUBELIĆ, Tvrtko, 1983, Na stazam usmenog narodnog stvaralaštva, Osijek: 151). Këto të vërteta shkencore historiografia sllave i ka fshehur për interesin e saj, që në mikrorajon, në Ballkan ta paraqesë epërsinë e sllavëve të jugut mbi të gjithë popujt e tjerë josllavë, pjesërisht i ka fshehur historiografia botërore për t’ia bërë qejfin hegjemonizmit pansllav, por pjesërisht (ose zyrtarisht) i ka fshehur edhe historiografia shqiptare deri më 1983 për hatër të vëllazërim – bashkimit të rrejshëm (jashtë kufijve politikë të Shqipërisë), ndërkaq (në Shqipërinë politike) për hir të proletariatit ndërkombëtar.


Gjithë kjo synonte të dëshmonte se këngët e eposit heroik shqiptar kanë origjinë boshnjake, se me to i ndërlidh përkatësia fetare dhe emrat e personazheve dhe se, krijimet epike shqiptare lindjen e tyre nuk mund ta kenë më të vjetër se shekulli i shtat­m­bë­dh­je­­­të. Këto pikëpamje “qenë të dëmshme, kundërshkencore dhe me tendenca të qarta politike” (NEZIRI, Z. U., 2006,  Studime për folklorin I, IAP, Prishtinë: 169).


Kësaj pikëpamjeje a i kanë ndihmuar dhe a e kanë fryrë edhe vetë studiuesit shqiptarë apo ajo ka mbetur të jetë vetëm pjellë e fantazisë së studiuesve të huaj? Në ndërkohë nga koha e fragmentit të Majerit e deri në nismën e mbledhjes sistematike të eposit heroik shqiptar kishte kaluar gati një gjysmë shekulli dhe në këtë interval kohor ishte krijuar shteti shqiptar (sot është krijuar edhe shteti i dytë – Kosova) dhe kishte nisur nga e mbara të ngriten edhe kuadro dhe qendra studimesh shqiptare, natyrisht, ku do të mblidhej dhe do të përgatitej për botim edhe kultura materiale e shpirtërore shqiptare. Kishte nisur nga botimi i përmbledhësit periodik Visaret e Kombit, nëpër faqet e të cilit u vunë themelet dhe bazamenti i afirmimit të qenies shpirtërore epike shqiptare. Por krahas pikëpamjes së Donat Kurtit  të ekzistimit të një eposi kombëtar që nga Antika, në Tiranë, në një periudhë shumë të afërt kohore botohet edhe vëllimi Këngë të kufirit të Veriut të Shqipërisë (1943).


Një pikëpamje,  kjo çoroditëse, metodologjikisht e dështuar


Ç’kuptojmë prej këtij titulli: se kemi të bëjmë me këngë periferike, të një krahine të skajshme të kombit apo diçka tjetër? Ky titullim i librit, edhe pse nuk thuhet aty, le shteg të mendohet se këngët e eposit heroik shqiptar nuk janë pjesë përbërëse të tërësisë kombëtare, por janë të një tërësie të izoluar, apo të përzier etnike, pra lirisht mund të nënkuptohet midis rreshtave dhe të thuhet se ato janë të huazuara nga popujt përreth kufijve politikë, ndoshta edhe kombëtar. Kush ishin dhe kush janë këta popuj të kufirit veriorë e verilindorë, askush tjetër veçse sllavëve jugorë? Ky titullim pastaj i jep krah zhvillimit të teorisë migracionale se këto këngë ndër shqiptarët e kësaj zone gjeografike i kanë sjellë ushtarët (jeniçerë ose roje kufitare) e Perandorisë Osmane. Një pikëpamje kjo çoroditëse, metodologjikisht e dështuar, shkencorisht e paargumentuar dhe historikisht e pa mbështetje shkencore. Në këtë kontekst edhe pas Luftës së Dytë Botërore deri më 1983, nëpër libra shkollorë dhe universitarë thuhet se ato ruhen edhe në krahinat jug-perëndimore të rrethit të Shkodrës, në Malin e Kolajt dhe në Bregun e Matit, të rrethit të Lezhës, në rrethin e Krujës, të Durrësit, Kavajës, Elbasanit, Lushnjes dhe të Fierit „si fenomen i bartur nga malësorët e veriut dhe emigrantët kosovarë“ (HAXHIHASANI, Qemal, 1968, »Parathënie«, Folklor shqiptar II – Epika legjendare 1, Tiranë: 8). Ky mendim a nuk është konfuz dhe a nuk mban ison e pikëpamjes së njëjtë se Veriu i ka huazuar nga sllavët e jugut dhe pastaj ua ka përhapur zonave të tjera më në jug dhe në perëndim të Drinit? Është e vërtetë se eposi heroik shqiptar është i kufizuar në aspektin gjithëpërfshirës e gjithëkombëtar, pra ka përhapje rajonale e krahinore dhe mungon në pjesët e tjera të kombit, por edhe kjo i ka arsyet e veta. Po veçojmë vetëm dy më kryesoret: (1) atje ku nuk ka ekzistuar dhe ka munguar rreziku i sllavëve të jugut nuk ka pasur nevojë të këndohen; dhe (2) sistemi polifonik jugor i këndimit shqiptar nuk mund ta përballojë këndimin me lahutë. Kështu ngjet edhe me këngët e Betejës së Kosovës të vitit 1389, të cilat territorialisht janë të kufizuara dhe janë regjistruar vetëm në zonën e përfshirë në këtë betejë.


T’u mohohet shqiptarëve e drejta e pronësisë dhe e origjinalitetit të eposit heroik kombëtar


Gjithë kjo bëhej me të vetmin qëllim që në çfarëdo mënyre qoftë t’u mohohej shqiptarëve e drejta e pronësisë dhe e origjinalitetit të eposit heroik kombëtar, njësoj si i mohohej e drejta e prejardhjes ilire dhe e drejta e formimit të etnosit, të cilat dëshmohen që në Antikë, përgjatë Mesjetës, si dhe në shekujt vijues. Si pasojë, duke mos i publikuar materialet e regjistruara në shqip të Perit e të Lordit, si dhe duke i shtrembëruar të dhënat biografike të lahutarëve (duke mos ua përmendur origjinën, mënyrën e formimit poetik dhe aftësinë e të kënduarit dygjuhësorë) doli se shqiptarët eposin e tyre, me ndërmjetësimin e boshnjakëve, e kanë huazuar nga sllavët e jugut, sepse eposi shqiptar me eposin e boshnjakëve konvergjon në emrat e personazheve dhe në vendbanimet, ose vendluftimet e tyre. Dhe këtu nuk harrohej të mbyllej çështja se dëshirohej të mbulohej e vërteta historike se në këto krahina në periudhën romake banonin fise ilire, të cilët nga trysnia e dyndjeve sllave që vinin nga verilindja, qenë detyruar të tërhiqen, të tkurren në brendi të kombit, njësoj si ngjau në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me shqiptarët e Kurshumlisë, të Nishit e të Toplicës, që u dëbuan me forcë nga Serbia; ose pas Luftës së Dytë Botërore me çamët në jug që u dëbuan me forcë nga Greqia; dhe si ndodhi tani shpejt më 1999 kur shqiptarët e Kosovës, nën mbikëqyrjen ndërkombëtare lanë vatrat e tyre dhe ia mësynë kufijve të Shqipërisë, të Maqedonisë e të Malit të Zi; ose më 2001 kur shqiptarët e zonave të përfshira nga luftimet në Maqedoni, menjëherë ia kthyen “vizitën” vëllezërve të tyre në Kosovë. A nuk ka analogji midis proceseve jetësore të shqiptarëve në dy periudha shumë të largëta historike mbi pesëmbëdhjetë shekullore?


Pikëpamjet e Truhellkës, të Murkos e të Shmausit


Qiro Truhelka kësaj ia shtoi pjesëmarrjen e zanatçinjëve të ndryshëm. (TRUHELKA, Qiro, »Maximilian Lambertz, Albanische Märchen, Wien, 1922«, Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologiju, Beograd, I/1923, 1-2: 230). Matija Murko, ndërkaq ishte i mendimit se këtë rrugë do kërkuar në ekzistimin e këngëtarëve dygjuhësorë në zonën e Sanxhakut e të Novi Pazarit; Alojz Schmausi këtë ndërlidhje e shihte në planin fetar. Gjurmëve të tyre shkuan edhe Cordignano me Stavro Skendin; kurse A. Desnickaja edhe pse nuk e mohonte origjinalitetin e eposit heroik shqiptar bëri kompromis duke konsideruar se këto këngë ishin krijuar nga ushtarët shqiptarë në malet e Bosnjës (DESNICKAJA, Agnia, 1977, Mbi lidhjet boshnjake – shqiptare në lëmin e poezisë epike«, „Gjurmime albanologjike – Folklor dhe etnologji” V/1975, Prishtinë:  43).


Gjithë kjo synonte të dëshmojë se këngët e eposit heroik shqiptar kanë origjinë myslimane boshnjake, se me to i ndërlidh përkatësia fetare dhe se këto krijime epike shqiptare gjenezën e lindjes së tyre në histori nuk mund ta çojnë më herët se shekulli i tetëmbëdhjetë. Këto pikëpamje sillnin si pasojë mungesën e faktorit të ekzistimit të këtij lloji krijimesh epike ndër shqiptarë.


(2) Maksimiliam Lamberci, Eqrem Çabej, Andromagji Gjergji, Qemal Haxhihasani, Alfred Uçi, Fatos Arapi, Enver Me­­hmeti, Zymer U. Neziri, Jorgo Panajoti, Shaban Sinani e shumë studiues të tjerë të eposit heroik, shqi­­ptarë e të huaj, vërtetojnë se një varg dukurish tematike, motivore, përmbajtjesore, tek­ni­­ke epike, si dhe të jetës zakonore familjare e fisnore të pranishme në këngët e eposit he­roik shqiptar dëshmojnë se, në gjenezë, nuk kanë ngjashmëri me këngët myslimane bo­sh­nja­­ke. Kështu, profesor Eqrem Çabej vërtetonte se fenomeni i çiftit të vëlle­zë­r­ve nuk është fenomen i vetëm një populli, por është i pranishëm te disa popuj indoevropianë (aromunët, grekët e vjetër, gjermanët, in­da­­sit, keltët e shqiptarët), përkundër shumë të tjerëve që nuk e njohin. Edhe M. Lam­be­r­tzi ishte i bindur se këngët e eposit heroik shqiptar, jo vetëm që ishin krijime të pavarura, por edhe ndërlidhjet me këngët myslimane boshnjake i shihte në procesin e ndikimit të kë­n­gë­ve shqiptare mbi ato boshnjake.


Pikëpamjet e grupit të dytë mbështeten në rrethanat historike shoqërore të jetesës së shqiptarëve, të cilët në udhëtimin e tyre historik qenë të detyruar të rrudhen brenda vetes dhe në këtë proces ta bartin me vete edhe kujtimin mbi vendbanimet e dikurshme, të cilat nga presionet e shumta qenë detyruar t’i lënë djerrë dhe të futen në brendi të kombit (GJERGJI, Andromaqi, «Etnosi ynë në epikën heroike legjendare», „Kultura popullore”, Tiranë, IV(18)/1983: 56;

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Meçe: UNË 1 MAJIN, NUK E KAM FESTË

Më shikoni?! Unë jam punëtori, por dhe i pa punë Skllavi i ri modern, që …