Zhbllokohet rruga nga bora në një lagje në fshatin Bardh të Malishevës

Të gjitha rrugët kryesore në fshatrat e Komunës së Malishevës janë të hapura nga bora, por në viset malore, përkatësisht në fshatrat që shtrihen përgjatë Maleve të Berishës, ka pasur vështirësi në qarkullim, pasi erërat e kanë zhvendosur borën në disa vende, duke krijuar trashësi të borës deri në tri metra, si në Berishë e në Bardh. Pas shumë përpjekjeve, në fshatin Bardh, është liruar rruga për lagjet e Berishëve dhe Goden. Të gjitha fshatrat që shtrihen në Malet e Berishës, si Tërpezë, Fshat i Ri, Berishë, Lladrovc, Senik e Bardh, janë vizituar nga nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili së bashku me ekipet komunale, kanë inspektuar punën e kompanisë së kontraktuar për mirëmbajtjen e rrugëve, si dhe u janë përgjigjur thirrjeve të banorëve të këtyre fshatrave, në vendet ku ka pasur nevojë të intervenohet për largimin e borës. Në Berishë, trashësia e borës në disa vende arrinte lartësinë rreth tre metra, sidomos në rrugën që lidhet me fshatin Kleçkë, ku është bërë hapja e rrugës, ndërsa edhe në fshatin Bardh, sidomos në lagjen e Berishëve, është hapur rruga deri në brendi të lagjes, pasi nga e hëna në mbrëmje ka qenë e bllokuar nga bora. “Ne do të jemi në shërbim të banorëve 24 orë në ditë dhe do ti përgjigjemi të gjitha kërkesave të banorëve, për hapjen e rrugëve”, tha nënkryetari Berisha, gjatë hapjes së rrugëve në këto fshatra.

Kontrolloni gjithashtu

Pensionohet mësimdhënësja Xhulije Xhemajli pas 28 vitesh kontribut në arsim

Pas një karriere të gjatë në arsim, është pensionuar mësimdhënësja klasore Xhulije Xhemajli, e cila …