leoni

Ministri Lekaj, vizitoi komunën e Vitisë, Gjilanit dhe atë të Artanës

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, vizitoi komunën e Vitisë, Gjilanit dhe atë të Artanës. Këto vizita u bënë në kuadër të bashkëpunimeve ndërmjet qeverisjes qendrore dhe asaj lokale, ku edhe u nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në mbështetje të projekteve infrastrukturore për qytetet e lartpërmendura. Ministri Lekaj së pari vizitoi komunën e Vitisë, ku u prit nga udhëheqësi i kësaj komune, Sokol Haliti, me të cilin diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe komunës së Vitisë, duke nënshkruar kështu memorandum bashkëpunimi. Ministri Lekaj u zotua para udhëheqësve dhe qytetarëve të Vitisë, se kjo komunë do të marrë mbështetjen e merituar sa i përket projekteve infrastrukturore dhe se Ministria e Infrastrukturës do të jetë çdoherë në mbështetje të kësaj komune, njëjtë sikurse për të gjitha komunat e tjera në Kosovë. Ndërsa, kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti, duke e cilësuar këtë takim si të frytshëm, e falënderoi Ministrin Lekaj për mbështetjen e dhënë dhe gatishmërinë për bashkëpunim. Radhën e vizitave për marrëveshje bashkëpunimi, ministri Lekaj e vazhdoi në komunën e Gjilanit. Aty u prit nga udhëheqësi i kësaj komune, Lutfi Haziri. Duke u njoftuar nga afër me planet infrastrukturore që ka Gjilani, ministri Lekaj dhe kryetari Haziri, nënshkruan memorandum bashkëpunimi. Ministri Lekaj, duke qenë i gatshëm të ofroj mbështetje për nevojat që ka Gjilani në infrastrukturë, tha se Ministria e Infrastrukturës do të jetë mbështetje e vazhdueshme e Gjilanit dhe të gjithë qytetarëve të kësaj komune. Lekaj gjithashtu theksoi para mediave, rëndësinë e ndërtimit të autostradës Prishtinë-Gjilan, për të cilën është nënshkruar edhe kontrata. Këto rrugë do të kenë impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik të Gjilanit si dhe në lidhjen e zonave rurale me ato urbane, siç është Përlepnica me kosto 520 mijë euro, Gërnicë 450 mijë euro, rrugicat në rrugën e Prishtinës 200 mijë euro si dhe rruga “Pajazit Ahmeti” 110 mijë euro, pra, vlera totale në këto projekte lokale është 1 milion e 280 mijë euro. Po ashtu, vazhdimi i projekteve që kanë qenë në procedurë dhe janë duke u zhvilluar, si: Vërbicë e Zhegovcit 1 milion e 300 mijë euro, për të cilën vetë kryetari e ka potencuar pasi që është rëndësi jetike, zgjerimi i qytetit në hyrje me kosto 1 milion e 600 mijë euro dhe projekti i unazës së jashtme që mendojmë se do të zhvillohet”, deklaroi ministri Lekaj. Ndërsa kryetari Haziri, në fjalimin e tij drejtuar qytetarëve dhe  mediave, tha se ky memorandum bashkëpunimi është kulmi i programit për investime publike në Gjilan dhe Anamoravë. Ministri Lekaj, gjithashtu vizitoi edhe komunën e Artanës. I pritur nga udhëheqësi i kësaj komune, Qëndron Kastrati, ministri Lekaj i ofroi kësaj komune përkrahjen e nevojshme infrastrukturore. Në këtë vizitë u nënshkrua memorandum bashkëpunimi, pra, mbështetje që Ministria e Infrastrukturës i ofron kësaj komune. Ministri Lekaj në fjalimin e tij thënë mediave, theksoi se Ministria e Infrastrukturës ka një fizibilitet të qartë për infrastrukturë  rrugore dhe jo vetëm sa për të hedhur asfalt. Ndërkaq, kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, e falënderoi ministrin Lekaj për vizitën e bërë si dhe për mbështetjen e ofruar nga Ministria e Infrastrukturës, duke uruar që të ketë një mbështetje edhe më të madhe.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Aliu mori pjesë në shfaqjen e filmit dokumentar “Gratë e lirisë”

Kryetari Aliu mori pjesë në shfaqjen e filmit dokumentar “Gratë e lirisë”. “Gratë e lirisë” …