Kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu bëri të ditur se do ta parashtrojnë ankesë ndaj Gjykatës Komerciale pas pezullimit vendimit të tregut të lirë të energjisë.
“Vendimi nuk është shfuqizim. Nuk është i ekzekutueshëm menjëherë. Është aktgjykim që kemi të drejtë ankese edhe 15 ditë”, tha Fejzullahu.
Gjykata Komerciale e Kosovës pezulloi vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që parasheh daljen e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.
Masa e pezullimit do të vlejë derisa Gjykata të marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje.
Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor. Sipas vendimit, të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit u detyruan të kalojnë në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.
Kompanitë që nuk kanë arritur të lidhin kontratë me një furnizues, po furnizohen nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), si mundësi e fundit për sigurimin e energjisë elektrike, për një periudhë 60-ditore. Kjo periudhë, për ata që kanë lidhur kontratë me KEK-un, skadon më 31 korrik.