Selim Halil Berisha (3.6.1950 - 20.3.1999)

Zymer Mehani: Dëshmori Selim Berisha-profesori që frymëzonte brezat

(Në 25-vjetorin e rënies)

Profesorit dëshmor
Selim Berisha, emri yt mbetet i gjallë,
Në zemrat e atyre që lirinë e duan,
Si një flakadan që kurrë s’ka për t’u shuar.
Ndjejmë dhimbjen e një kombi në luftë,
Por edhe krenarinë që lindi nga sakrifica,
Me atdhetarin, profesor Selim Berisha.
Të kujtojmë çdo jetë që u dha për amanet,
Të ndërtojmë një të ardhme në tonin shtet,
Me themele të forta, në paqe dhe n’prosperitet.
Prof. Selim Berisha, ti je simboli i guximit,
Një yll që ndriçon në qiellin e Kosovës,
Gjaku yt u ngjit në flamur të Marigonës.

Kosova gjatë mugëtirës së shekujve nuk reshti asnjëherë së përpjekuri për t’i këputur
vargojtë e pushtimeve të gjata. Këto përpjekje për çlirim i bartën dhe i trashëguan, sidomos
mësuesit, duke ushqyer brezat me dije dhe kombëtarizëm. Ata, me mençurinë dhe urtësinë që i
karakterizonte, siç ishte edhe prof. Selim Berisha, u shndërruan në fanarë ndriçues përgjatë çdo
shtrëngate.
Prof. Selim Berisha, i vjen Llapit e Gollakut, por edhe Kosovës e mbarë kombit
shqiptar, pikërisht në kohën e duhur. Ky ishte intelektual i denjë dhe i arsyeshëm, që mundte të
çante pa drojë mes përmes errësirën, si një shkëndijë drite me hapin ngadhënjimtar dhe të
dritësonte si një flakadan shprese për Drenocin që e lindi dhe për Kosovën që e rriti këtë
intelektual dhe ushtar të Zahir Pajazitit e të Adem Jasharit, me vlera të mëdha.
Në kujtesën e shumë brezave, prof. Selim Berisha do të mbetet ndër emrat më të veçuar,
i cili erdhi në jetë për të mbetur përgjithmonë i përjetshëm, ngase me penë e me pushkë shkroi
faqe të reja në historinë e popullit shqiptar. Ai do të mbetet në kujtesën e të gjithëve si një
testament i çmuar i arsimit dhe i luftës për çlirim në vendin tonë.
Liridashësit, arsimdashësit, miqtë dhe admiruesit e mbajnë në kujtesë dhe e mbulojnë me
nderim dhe respekt këtë dishepull vlerash. Gjithmonë inteligjenca e tij prej intelektuali të denjë
gërshetohej me guxim, që për të gjithë ne ishte shembull se si duhet të punohet për interesin
kombëtar.
Prof. Selim Berisha konsiderohet si një nga figurat dhe personazhet më të
rëndësishmëm të arsimit shqiptar dhe të luftës për liri, ku, përgjatë gjithë rrugëtimit të vet tregoi
vlera, ngase fjala e tij e matur dhe me vend ishte gjithmonë në korelacion me punën dhe me
veprimin. Ai ishte një ndër arsimtarët më të njohur. Mbaroi me rezultate shumë të mira,
Normalen e Mitrovicës e Fakultetin Filozofik, Dega e Historisë dhe për shumë vjet, deri në
rënien e tij dëshmor, iu përkushtua edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj, ngase e dinte fare
mirë se arma më e fuqishme për ta mposhtur çdo të keqe është arsimimi i popullit.
Puna e palodhur si mësues i popullit të prof. Selim Berisha njihet për një vërshim të
vrullshëm dhe plot temperament. Kontributi i tij është një vlerë e pazëvendësueshme e
memories historike të shqiptarëve dhe kësofare ai bën pjesë në plejadën e intelektualëve të denjë
të kombit, që me penë e me pushkë e shkroi faqen më të rëndësishme të historisë së arsimimit
dhe të epokës ademjashariane të çlirimit të Kosovës.
Përkushtimi, karakteri, vendosmëria dhe zgjuarsia e prof. Selim Berishës i shërbyen
interesit kombëtar dhe ishin një sprovë e ngadhënjimit mbi një jetë gjithnjë të vështirë për
shqiptarët e Kosovës, jo vetëm ekonomike, por edhe politike e shoqërore nën regjimin serb.
Deri në momentet e fundit të jetës së tij qëndroi me kokën lart, pa u frikuar, pa kërkuar
privilegje dhe pa u fshehur pas emrit të madh. Cilido që e njohu atë, njohu tek ai më të mençurin
prej miqve, më besnikun prej shokëve dhe më trimin prej bashkëluftëtarëve të tij.
Prof. Selim Berisha jetoi në jetë si një ikonë dhe simbol i mençurisë dhe i trimërisë. E
gjitha kjo rrezatoi në mënyrën më të fuqishme në ditët e atij marsi pranverak të vitit 1999, kur
po zhvillohej lufta e Ushtrisë sonë të lavdishme-UÇK-së për çlirim të vendit nga pushtuesit
serbë, në të cilën ra duke luftuar i vendosur, ngase ishte i gatshëm të sakrifikonte gjithçka për
lirinë e popullit.
Sa më shumë që kalojnë vitet, jemi të bindur se figura dhe personaliteti i tij vazhdojnë të
marrin përmasat që ai i kishte me të vërtetë. Ai do të shndrisë gjithnjë e më shumë në botën
shqiptare, ngase vërtet ishte një nga personalitetet dhe figurat më poliedrike të kohës dhe i tillë
do t’u përcillet brezave përgjatë kohërave.
Ndër gjithë dimensionet e shquara të prof. Selim Berishës, në qendër të tyre do të
shkëlqejë gjithmonë dimensioni i tij i lirisë. Si pasardhës i një familjeje atdhetare, ai pati fatin
më të madh që të marrë një nga vendimet më të rëndësishme të jetës së tij, të rreshtohej në
radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rrok armën e të luftojë për liri, me heroizëm të
paparë, në stilin ademjasharian, duke mbrojtur pragun e shtëpisë.

Ndaj le të përulemi në 25- vjetorin e rënies së tij, me nderimin më të madh, para
veprës së tij të ndritur dhe le të shprehim gjithashtu, krenarinë tonë, sepse sot, pas kaq vitesh, e
gjejmë këtë burrë disa herë më të madh sesa ditën që u nda nga ne.
(Fragment nga monografia e publicistit Zymer Mehani “Dëshmori Selim Berisha-
profesori që frymëzonte brezat”, që do të promovohet sot, më 20 mars 2024 në IAP, në 25-
vjetorin e rënies në luftë për liri).

Kontrolloni gjithashtu

Dr. sc. Bekim Vishaj: Në shenjë përkujtimi, 39 vite me parë u nda nga jeta Doajeni i folklorit shqiptar, Dervish Shaqa

Dervish Shaqa  u lind në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit, në vitin 1912. U …