leoni

Zymer Ujkan Neziri: U përurua libri me kumtesa për Eposin e Kreshnikëve

Zymer Ujkan Neziri: U përurua libri me kumtesa për Eposin e Kreshnikëve

Në Institutin Albanologjik të Prishtinës, më 17 mars 2017, u përurua libri Eposi i Kreshnikëve: monument i trashëgimisë kulturore shqiptare, dy vëllime me kumtesa, me 1249 faqe, kryeredaktorë prof. dr. Zymer Ujkan Neziri dhe prof. dr. Shaban Sinani, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe i Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, Prishtinë, 2016.

 Në sallën e mbushur përplot dhe në praninë e shumë studiuesve e profesorëve universitarë nga Tirana, Prishtina e Shkupi, përurimin e librit Eposi i Kreshnikëve: monument i trashëgimisë kulturore shqiptare, e hapi prof. dr. Zymer U. Neziri dhe i përshëndeti të pranishmit: zëvendësministrin e Arsimit, të Shkencës e të Teknologjisë, z. Agim Bërdyna me bashkëpunëtorë, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, z. Qemal Minxhozi, deputetët e Kuvendit të Kosovës: dr. Flora Brovina e prof. dr. Shpejtim Bulliqi, rektorin e Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema, akademikët Floresha Dado, Mark Tirta, Marenglen Verli, Mehmet Halimi, profesorët veteranë Agim Vela, Agim Vinca, Hajrullah Gruda, Hakif Bajrami, Mehmet Rukiqi, Mujë Rugova, Riza Smaka, Shekfi Sejdiu, si dhe Ragip Begaj, Blerta Krasniqi, Agron Isa Gjedia, Fitim Çaushi, Skënder Asani, Mark Palnikaj, mulla Xhevat Kryeziu. Ai i përshëndeti edhe lahutarët dhe bartësit e njohur të traditës së epikës gojore, e sidomos të Eposit të Kreshnikëve: Hajri Ismanin, Fehmi Nishefcin, Isë Elezin, Imer Sefë Mleçanin, Januz Mushkolajn, Nazmi Hajdarin, Rrustem Bajramin. Sylë Mushkolajn. Ai përshëndeti të pranishmit edhe në emër të Redaksisë së këtij libri, të profesorëve: Adem Zejnullahu, Agron Xhagolli, Arbnora Dushi, Ardian Ahmedaja, Ardian Marashi, Hysen Matoshi, Mark Tirta, Miaser Dibra, Nicola Scaldaferri, Shaban Sinani, Shefkije Islamaj, Zeqirja Neziri.

Libri mban të njëjtin titull me atë të konferencës shkencore ndërkombëtare, mbajtur në Prishtinë, më 28-30 gusht 2010, kushtuar Eposit të Kreshnikëve, organizuar nga Instituti Albanologjik dhe Qendra e Studimeve Albanologjike, në të cilin janë botuar referati dhe kumtesat (77), paraqitur nga studiues vendës e të huaj. Aty janë kumtuesit nga shumica e qendrave tona studimore dhe universitare në Ballkan dhe nga studiuesit tanë në Itali (Antonio Bellusci, Nicola Scaldaferri), Austri (Ardian Ahmedaja, Ina Arapi), Francë (Fotaq Andrea, Red Radoja), Poloni (Rigels Halili). Aty janë edhe kumtesat e studiuesve të huaj, të pranishëm në këtë konferencë, nga Evropa, Amerika dhe Azia: Mirsad Kunić (BeH), Andrej Fajgejl (Francë), Gerd-Dieter Nehring e Karl Reichl (Gjermani), Antonia Young, Angela Selmani, Justin Elliott, (Britani e Madhe), John Kolsti, Stephen Schwaratz (SHBA), Kazuhiko Yamamoto (Japoni), Robert Elsie (Kanada).

Agim Bërdyna, zëvendësministër i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, përshëndeti në emër të ministrit Arsim Bajrami e të MASHT-it dhe tha: për këtë libër i përgëzoj studiuesit Zymer Neziri e Shaban Sinani, sepse Eposi i Kreshnikëve është vlerë e rëndësishme kombëtare, përballë globalizimit, dhe se ai duhet të ketë vendin e vet të merituar edhe në programet tona shkollore.

Qemal Minxhozi, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, në fjalën  e tij përshëndetëse, ndër të tjera tha: etnokultura jonë ka ekzistuar edhe para se të vendoseshin këta kufij që kemi sot në Ballkan, kurse kryeqyteti ynë është albanologjia, ndërsa institucionet tona duhet të ndajnë fonde për vepra të këtilla, sepse Eposi i Kreshnikëve dëshmon identitet kombëtar dhe me të drejtë është kandidat për UNESCO, kurse Kosova duhet të bëhet pjesë e UNESCO-s.

Në emër të Akademisë së Shkencave  të Shqipërisë, fjalë përshëndetëse pati akad. Floresha Dado, kryetare e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, që duke e vlerësuar lart këtë ndërmarrje të madhe të përbashkët të dy institucioneve tona në Prishtinë e në Tiranë për Eposin e Kreshnikëve, tha se ky epos gjigant në këto këto dy vëllime me kumtesa është dokument serioz që shoqëron dosjen për UNESCO. Në këtë libër ka qasje të reja dhe rezultate të reja për këtë epos të jashtëzakonshëm, që ka nivel të vlerave universale.

Një përshëndetje pati edhe prof. dr. Marjan Dema, rektor i Universitetit të Prishtinës, dhe për këtë libër me kumtesa të konferencës 2010 tha se kjo vepër e nderon albanologjinë për Eposin e Kreshnikëve. Kjo poezi epike e popullit shqiptar, që, me të drejtë quhet monument i etnokulturës shqiptare, por që është në rrezik, vendin e ka edhe në UNESCO, prandaj i përgëzoj Institutin Albanologjik dhe Qendrën e Studimeve Albanologjike për këtë ndërmarrje kaq të madhe.

Në emër të  Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, që është bashkorganizuese e konferencës më 2010 dhe bashkëbotuese e këtij libri, përshëndeti akad. Marenglen Verli, drejtor, e ndër të tjera tha: fillimisht dua të them se kjo punë kaq e madhe është proces që lidhet me terrenin, prandaj puna jonë varet nga autoritetet qeveritare dhe vëmendja e tyre duhet të jetë e vazhdueshme, sepse nevojat janë të domosdoshme, sidomos tash kur jemi në prag të përvjetorëve të datave të mëdha të historisë për Skënderbeun e Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

Përshëndetja e fundit në këtë përurim ishte nga Dega e Folklorit e Institutit Albanologjik, ku filloi baza e këtij projekti shumë të madh në fushën  e epikës legjendare, më 2009. Në emër të Degës foli prof. dr. Arbnora Dushi, redaktore, sekretare shkencore e Redaksisë dhe bashkëpërgatitëse e librit. Ajo përmendi konferencën më 2010, që kishte 100 kumtues nga viset tona e nga bota, dy ditë në Prishtinë e një ditë në Rugovë, si dhe punën në vijim për mbledhjen e kumtesave dhe për redaktimin e tyre, por për edhe vonesën e botimit, tha se nuk ka të bëjë me fajin tonë e të autorëve.

Në vijim, Z. U. Neziri, tha se urime për këtë përurim kanë mbërritur nga: Britania e Madhe: Antonia Jung, Angela Selmani, Justin Elliott; nga Austria: Ardian Ahmedaja; nga Franca: Fotaq Andrea, Andrej Fajgel; nga Gjermania: Karl Reichel; nga Italia: Nicola Scaldaferri, si dhe nga viset e tona: Shkodra, Tirana, Shkupi, Tetova, Gjirokastra, Vlora, natyrisht, edhe nga Prishtina. Por, sot i kujtojmë me respekt, tha ai, edhe dy autorë të kumtesave të këtij libiri, që tashmë nuk jetojnë: profesorët Alfred Uçi dhe Zenun Gjocaj.

    Prof. dr. Shaban Sinani, në cilësinë e kryeredaktorit të librit, tha: për herë të tretë për Eposin po mblidhemi në këtë auditor, në dy konferenca, 2010 e 2014, dhe në këtë përurim. Pas konferencës më 1983, kjo e vitit 2010 ka një cilësi të lartë e të thelluar. Janë autorët që i kanë thelluar dhe e kanë përmirësuar cilësinë, por edhe drejtori i projektit, prof. Zymer Neziri. Këtu dua të përmend edhe përkrahjen e prof. Ardian Marashit, drejtor i mëparshëm në QSA, inkurajues i punës sonë, e tash prof. Marenglen Verlin, drejtor. Për punën e zellshme në këto dy vëllime do të përmend edhe prof. Arbnora Dushin. Në këto dy vëllime u zbatua kriteri i rigorozitetit. Kishte edhe kumtesa të kthyera pas. Ky është kontribut për depozitimin e dosjes në UNESCO, dosje e shkencorizuar. Rëndësia e botimeve në këtë kohë të globalizimit është e madhe. Në këtë botim janë së paku tre breza studiuesish të epikës legjendare. Botimi tregon se eposi ynë heroik legjendar është policentrik: janë vatrat Nikajt e Mërturi, siç dihej nga vitet ’30 të shekullit të kaluar, po edhe Rugova, e tash edhe Maqedonia Perëndimore. Eposi ynë është edhe policiklik, se pos ciklit të Mujit e të Halilit, është edhe cikli i Gjergj Elez Alisë. Tashme dihet se krahas shoqërimit me instrument të këtyre këngëve, kemi edhe formën recitative të tyre. Kreshnikët janë heronj kulturorë, e jo historikë, se ndryshe do të bënim atentat mbi ta. Me interes janë edhe kumtesat e studiuesve të huaj, por pati edhe të atilla që nuk kishim dëshirë t’i dëgjonim. Për studimin e vargut do të veçoja Nicola Scalladferrin, se vargu matet vetëm i kënduar. Eposi shqiptar ka tipare origjinale etnodalluese dhe se konfuzioni në mendimin shkencor tani u tejkalua.

Zymer U. Neziri, po ashtu kryeredaktor i librit, tha se sot po përurojmë librin, më të madhin e këtij lloji, me mbi 1200 faqe kumtesa të konferencës më 2010, të përgatitur gjatë katër vjetëve të punës së pandërprerë dhe, pas pritjes edhe të tri vjetëve të tjera për mjete për shtyp, tashmë u finalizua kjo ndërmarrje e madhe në fushën  e studimeve epike. Libri Eposi i Kreshnikëve: monument i trashëgimisë kulturore shqiptare është i ndarë në tetë grupkumtesa nga fushat: teorike-problemore, rajonale, krahasimtare, koleksione, kontribute, etnomuzikologji, etnologji, gjuhësi. Me këto kumtesa do të pasurohen studimet epikologjike me të dhëna të reja për analiza të mëtejme lidhur me çështjet madhore për Eposin e Kreshnikëve, ashtu siç janë projektuar edhe në konferencat shkencore ndërkombëtare më 2010, po edhe më 2014, në IAP dhe QSA, siç janë: zanafilla e eposit shqiptar; autoktonja në eposin shqiptar; funksioni etnik sipas simboleve mitologjike-përrallore; temat dhe motivet e konfliktit shqiptar-sllav; vlerat autentike të eposit: mitologjia, figuracioni e vargëzimi; shtresime krahasuese me eposet evropiane: krahasimet në aspektin tematik dhe motivor; shtresime të lashta etnokulturore: paralele të jetës së kodifikuar sipas Kanunit shqiptar me epokën homerike; sinonimia historike: Muji e Halili-sinonim i qëndresës kufitare; konteksti ballkanik: përkime dhe ndikime të ndërsjella me epikat gojore të Ballkanit; këngëtarët dygjuhësorë (bilingualë); teoria formulaike e Perry-Lordit si një nga bazat për studimin e eposit; interpretimi i këngëve epike: rrugët e zhvillimit; lahuta: instrumenti përcjellës për interpretimin e eposit; gjendja e sotme në arkiva dhe në terren; detyrat e stadit aktual të studiuesve dhe të institucioneve kundrejt Eposit të Kreshnikëve.

Dhe, në fund, Z. U. Neziri tha: dua të them se tash, me këtë botim, jemi më mirë me veten e me botën, me qendrat studimore në Evropë, Azi, Amerikë e gjetiu. Eposi me këto kumtesa të konferencës më 2010 do të popullarizohet më shumë, bota do të na njohë më ndryshe për etnokulturën tonë kaq të pasur dhe për vlerën e saj që pak shoqe ka, për rrënjët e vjetra, që tashmë na radhisin në grupin e traditave më të vjetra në Evropë e në botë.

Eposi i Kreshnikëve: monument i trashëgimisë kulturore shqiptare, I dhe II, Prishtinë, 2016, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe i Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, është libër në dy vëllime të përgatitura për shtyp sipas standardeve të larta për botime të këtilla shkencore. Kumtesat janë redaktuar nga redaktorët përkatës dhe janë plotësuar nga autorët. Teksti përfundimtar është rishikuar disa herë, sipas nevojës, në pesë versione të paralibrit. Edhe gjuhësisht, libri është rilekturuar, për herën e dytë. Të gjitha kumtesat kanë shkurtore (abstrakt), bibliografinë dhe rezymenë në gjuhën angleze, përkthyer nga Justin Elliott, Londër. Referati, nga Z. U. Neziri e Sh. Sinani, është shqip e anglisht. Libri ka fjalën e hapjes (H. Matoshi), fjalën përfundimtare (Z. U. Neziri), regjistrin e emrave dhe fotografi nga ky aktivitet shumë i madh shkencor ndërkombëtar për epikën tonë heroike legjendare, më 2010, në Prishtinë e në Drelaj (Rugovë). Pas mbylljes së përurimit, Agron Isa Gjedia, kryetar i shoqatës mbarëkombëtare ”Bytyçi” ndau mirënjohje për Shaban Sinanin dhe Zymer U. Nezirin, për kontributin e tyre në etnokulturë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Dhjetë alfabete të gjuhës shqipe, të cilat i ka prezantuar në një libër studiuesi i mirënjohur, Robert Elsie

Robert Elsie: Literatura shqipe në traditën islame-osmane I

Me ardhjen e tij ne Shqiperi, pushteti Osman solli me vete kulturen e tij te …