Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka ftuar bizneset të lidhin kontrata, pas vendimit për dalje në treg të liberalizuar. Në të kundërtën, prej nesër nisin ndërprerjet e rrymës.
KOMUNIKATË PËR PUBLIKUN
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) rithekson se procesi i hapjes së tregut të energjisë elektrike është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, në mënyrë transparente dhe të paanshme, duke respektuar të gjitha standardet procedurale dhe materiale.
Ligjshmëria e këtij procesi po konfirmohet çdo ditë nga gjykatat kompetente, përmes aktvendimeve që mbështesin veprimet e ZRRE-së, duke vërtetuar se të gjithë hapat janë ndërmarrë në përputhje me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës.
Të gjithë konsumatorët komercialë që i kanë përmbushur kriteret për kalim në tregun e hapur, janë të obliguar të furnizohen nga një furnizues i licencuar. Furnizimi i përkohshëm përmes Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF) përfundon sot më 30 korrik 2025, dhe periudha tranzitore e garantuar për furnizim prej 60 ditësh është e përcaktuar në ligj dhe nuk mund të zgjatet me vendime administrative.
ZRRE u bën thirrje të gjithë konsumatorëve komercialë që duhet të jenë në treg të lirë dhe që ende nuk kanë lidhur kontratë komerciale të furnizimit, të veprojnë pa vonesë dhe të zgjedhin një nga furnizuesit e licencuar, të publikuar në faqen zyrtare të institucionit, sepse nga data e nesërme pasojnë ndërprerjet pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht.
ZRRE mbetet e përkushtuar për të garantuar një treg te energjisë elektrike të drejtë, funksional dhe konkurrues, në shërbim të konsumatorëve dhe në përputhje me legjislacionin vendor dhe standardet evropiane.