Më 1 shtator hapet shkolla në Gurishtë të Malishevës

Sot në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, që drejtohet nga Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, u bë e ditur se me një shtator do të bëhet hapja zyrtare e objektit të ri të shkollës në fshatin Gurishtë, e po ashtu, pritet që me një shtator të hapet edhe aneksi i shkollës në Mirushë. Sipas drejtorit të arsimit Avdi Morina, këto dy shkolla, do të mësojnë në një ndërrim dhe me këto, numri i shkollave në territorin e Komunës së Malishevës, që mësojnë në një ndërrim, shkon në dymbëdhjetë shkolla.

Në mbledhjen e sotshme, edhe drejtori për shëndetësi Hajdin Berisha, ka bërë të ditur se, kanë marrë vendim për uljen e gatishmërisë lidhur me ethet hemorragjike krime kongo (EHKK), përkatësisht, kanë zvogëluar orarin e punës së laboratorit në QKMF, pasi rastet e thumbimeve nga rriqrat, kanë rënë dukshëm, por pavarësisht kësaj, kujdesi do të vazhdoj deri më 30 shtator, kur edhe llogaritet se përfundimisht largohet rreziku nga EHKK. Me këtë rast, drejtori Berisha, ka konfirmuar se në këtë vit, në territorin e Komunës së Malishevës, nuk është regjistruar asnjë rast i infeksionit me virusin e EHKK.

Sa i përket sëmundjeve, edhe drejtoria e inspektoratit, përkatësisht shefi i drejtorisë Bardhyl Buçaj, gjatë raportit të tij, ka bërë të ditur se inspektorët komunal, janë duke i inspektuar stallat në tërë territorin e Komunës së Malishevës, lidhur me sëmundjen gungore të kafshëve, por deri më tani nuk kanë hasur në asnjë rast të kafshëve të infektuara.

Gjatë raportimeve të drejtorëve, u bë e ditur, se po vazhdojnë punimet në realizimin e disa projekteve kapitale, kryesisht në infrastrukturë. Drejtori i urbanizmit, Ahmet Morina, duke njoftuar për projektet, tha se gjatë vikendit, ka filluar edhe rregullimi i rrugës për nxënësit e lagjes Dobruna, në Llazicë, në mënyrë që fëmijët e kësaj lagjeje, përkatësisht për rreth 150 nxënës, do të rregullohet rruga nga lagja e tyre, deri në shkollën e fshatit.

Edhe drejtori për buxhet dhe financa, Vesel Krasniqi, ka njoftuar se janë në proces të hartimit të qarkores së dytë buxhetore, ku për këtë qëllim krahas takimeve nëpër fshatra, më 31 gusht, do të mbahet një tryezë, e organizuar nga OSBE dhe me 2 shtator, do të mbahet dëgjimi i fundit publik, me qytetarë dhe me kryetarë të fshatrave të komunës së Malishevës.

Kontrolloni gjithashtu

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Komunës së Vitisë dhe organizatës “CNVP”

Sot, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim Xhevat Lushin – …