leoni

Lidhja Shqiptare e Prizrenit

139 vjet më parë, më 10 qershor të vitit 1878 u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit

Gjatë pranverës së vitit 1878, krahas hovit që mori lëvizja e protestës kundër Traktatit të Shën-Stefanit, ngadhënjeu edhe ideja për të kundërshtuar me armë vendimet që mund të merreshin në Kongresin e Berlinit në dëm të tërësisë tokësore të shqiptarëve. Në këto rrethana, kërkesa për të formuar një lidhje të përgjithshme u bë mjaft popullore. Megjithatë forcat e ndryshme atdhetare të lëvizjes kombëtare nuk e konceptonin njësoj karakterin dhe programin që duhej të kishte kjo lidhje e përgjithshme.

Qarqet atdhetare shqiptare, të përfaqësuara në përgjithësi, nga Komiteti Kombëtar i Stambollit, formuan grupimin ose, rrymën radikale, që synonin të themelonin një Lidhje Shqiptare, e cila duhej të mobilizonte popullsinë e vendit në emër të të drejtave kombëtare të Shqipërisë dhe ta drejtonte atë në luftë për ruajtjen e tërësisë tokësore të atdheut, duke kërkuar në të njëjtën kohë krijimin e një vilajeti autonom shqiptar ose, po ta lejonin rrethanat ndërkombëtare, të një shteti shqiptar autonom. Sipas udhëheqësve të kësaj rryme, Lidhja Shqiptare duhej përgatitur për të luftuar, në përshtatje me rrethanat që do të krijoheshin, jo vetëm kundër shteteve shoviniste fqinje, por edhe kundër Perandorisë Osmane. Një grupim ose rrymë e dytë në lëvizjen kombëtare ishte ai i të moderuarve, siç u cilësua po nga bashkëkohësit, që përfaqësohej nga personalitete të njohura atdhetare, si Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Abedin pashë Dinoja, Mahmud pashë Biçaku, Omer pashë Vrioni etj.

Ashtu si radikalët, edhe të moderuarit kërkonin që lidhja e përgjithshme të kishte karakter kombëtar. Ata e pranonin në parim edhe idenë e një vilajeti të bashkuar autonom shqiptar, të pajisur me një autonomi administrative e kulturore. Por, ndryshe nga elementët radikalë të Komitetit të Stambollit, këta nuk e shikonin vilajetin e bashkuar shqiptar si një hallkë, si një shkallë për të shkuar më tej drejt një shteti të bashkuar e të pavarur shqiptar. Përveç kësaj, të moderuarit nuk ishin gjithashtu të prirur për t’iu kundërvënë Portës së Lartë. Ata shpresonin se vilajeti shqiptar mund të krijohej me pëlqimin e vetë sulltanit, të cilin, besonin se do ta bindnin, pasi, sipas tyre, krijimi i këtij vilajeti ishte në interesin e vetë Perandorisë Osmane.

Për këtë qëllim ajo thirri në Stamboll, në fund të majit, personalitetet më të dëgjuara të jetës politike shqiptare, si Iljaz pashë Dibrën, Ali Pashë Gucinë, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Ahmet Koronicën, Zija Prishtinën, Mustafa pashë Vlorën, sheh Mustafa Tetovën, Vejsel bej Dinon dhe disa dhjetëra të tjerë, ndaj të cilëve ushtroi për disa ditë me radhë një trysni të fortë për t’i detyruar që t’i jepnin besëlidhjes karakterin e një organizate islamike ballkanike. Personalitetet shqiptare, që i rezistuan presionit të qeverisë osmane, Porta u përpoq t’i mbante në Stamboll me pretekste të ndryshme, për të penguar pjesëmarrjen e tyre në Kuvendin Kombëtar. Por ata u nisën për në Prizren pa lejen e saj. Prizreni kishte marrë në ato ditë të para të qershorit një pamje festive. Përveç banorëve të përhershëm qarkullonin në qytet mijëra mysafirë të tjerë të veshur me rrobat e krahinave të tyre dhe të armatosur. Kuvendi Kombëtar u hap më 10 qershor 1878.

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …