Brickos

Nënkryetari Hajdin Berisha, priti në takim futbollistin Lirim Kastrati

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, së bashku me një pjesë të qeverisë komunale, pritën në takim futbollistin e njohur, Lirim Kastrati, i cili është pjesë e kombëtares U21 dhe aktualisht luan në ligën superiore të Italisë, në Seria A, për Bolonjën. Kastrati është futbollisti më i njohur malishevas që luan në arenën ndërkombëtare dhe është model i sportistëve malishevas.

“Kemi kënaqësinë dhe nderin të ju presim në vizitën tuaj bërë Komunës së Malishevës. Ne krenohemi me suksesin dhe të arriturat tuaja, si dhe me prezantimin e sportistëve të Malishevës, në arenën ndërkombëtare. Ju jeni modeli më i mirë për të gjithë lojtarët e ekipeve të Malishevës, të cilët ju admirojnë për sukseset e treguara. Po ashtu, për dallim nga gjeneratat e mëhershme, ju jeni  e fat që e keni mundësinë ta djersitni fanellën e kombëtares sonë dhe ta përfaqësoni shtetin, e këtë ju futbollistët jeni duke e bërë në mënyrën më të mirë”, ka thënë mes tjerash, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, në pritjen e bërë për futbollistin Lirim Kastrati.

“Ndihem jashtëzakonisht mirë kur jam në vendlindjen time, në Malishevë dhe në Turjakë, sepse këtu i kam marrë hapat e parë në futboll. Ndihem edhe më mirë kur të tjerët e vlerësojnë punën time dhe kjo më bën të jem edhe më shumë obliguar të prezantohem sa më mirë, që ta prezantoj vendin tim, vendlindjen time”, ka thënë futbollisti Lirim Kastrati. Sa i përket ekipit kombëtar, Kastrati tha se “janë duke bërë më të mirën të mundshme dhe kanë filluar mirë, e po tregojnë rezultate të mira”.

Lirim Kastrati, është nga fshati Turjakë i Komunës së Malishevës. Aktualisht luan për ekipin e Bolonjës, në Seria A, në Itali, ndërsa ka luajtur edhe për ekipin e Romës, për moshat e reja. Është pjesë e reprezentacionit të Kosovës në futboll, për U21, e po ashtu më herët ka qenë i grumbulluar edhe në ekipin e parë.

Deri më tani, në fushën e sportit, përkatësisht futbollit, është malishevasi që ka arritur më së shumti rezultate, dhe është model i të rinjve sportist dhe mbetet sportisti më i admiruar në Komunën e Malishevës.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë, …