leoni

150 gra në Kosovë u trajnuan në kuadër të pilot projektit të Bankës Botërore për punë në internet

Banka Botërore dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Republikës së Kosovës kanë përfunduar pilot projektin Gratë në Punë në Internet (Women in Online Work – WoW), i cili ndihmoi që të trajnohen mbi 150 gra të reja, të papuna apo të nënpunësuara, në shkathtësi të cilat janë të kërkuara nga tregu me rritje të pafund i punës së pavarur (freelancing) në internet.

Pilot projekti njëvjeçar WoW, i krijuar me financim nga Fondi i Mirëbesimit për Rritje të Gjelbër i Bankës Botërore dhe Koresë dhe i zbatuar nëpërmjet programit të asistencës  teknike Rritja e gjelbër në zonat rurale të Kosovës, është realizuar në pesë komuna në  Kosovë,  me të diplomuara të suksesshme që tani konkurrojnë globalisht për punë në ueb-zhvillim, dizajn grafik, marketing digjital, shkrim dhe kërkim, dhe futje të të dhënave, ndër të tjera. Dy fazat e para të pilot projektit, të kryera në Gjakovë, Lipjan dhe Prishtinë dhe zonat përreth, kanë rezultuar me 77 përfituese që kanë siguruar të paktën një kontratë të punës në internet.

“Sektori i TIK-ut paraqet një fushë të mundësive të vërteta që gratë në Kosovë të bëhen pjesë e fuqisë punëtore aktive. Ministria është e përkushtuar seriozisht për avancimin e këtij sektori dhe për ta vendosur atë në qendër të politikave ekonomike të vendit tonë. Rritja e pjesëmarrjes së grave përmes programeve të tilla si WoW, është një komponent thelbësor në këtë strategji”, tha Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik në Kosovë.

Puna në internet mund të ndihmojë gratë në Kosovë duke iu treguar atyre një mënyrë të përshtatshme për t’u lidhur me një numër të madh të mundësive të punësimit që paguhen më shumë dhe janë më të gjelbra.  Në të gjithë vendin, gratë ngecin prapa  burrave për nga pjesëmarrja në fuqinë punëtore, ndërkohë që përballen me mospërputhje në nivel të pagave, si dhe me segregacionin sektorial dhe profesional. Puna në internet mund të ndihmojë në lehtësimin e barrës së papunësisë kudo që gratë të kenë qasje në internet të brezit të gjerë. Në bazë të suksesit në Kosovë, Banka Botërore është duke punuar në drejtim të zgjerimit të projektit WoW në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Pjesëmarrjen në trajnimin Gratë në Punë në Internet (WoW) do ta quaja një përvojë jetësore sepse ka ndryshuar jetën time në shumë mënyra. Ky trajnim më ka mundësuar të mësojë dizajnin grafik dhe të forcojë aftësi të tjera. Më e rëndësishmja, tash jam ekonomikisht e pavarur dhe kam klientë shumë të mirë, afatgjatë”, ka theksuar Dafina Haziri, student 24-vjeçare e shkencave kompjuterike nga Prishtina, e cila ka marrë pjesë në pilot-projektin sepse ka pasur vështirësi të gjejë punë në fushën e saj për shkak të mungesës së përvojës praktike. “Ende nuk mund të besoj se para gjashtë muajve e dëshpëruar po kërkoja punë”.

Qeveria e Kosovës tashmë është duke planifikuar për të ndërtuar mbi këtë sukses duke përshkallëzuar programin e punës në internet për gratë nëpërmjet të projekteve të financuara nga USAID-i, USAID EMPOWER Sektori Privat dhe USAID Avancojmë Kosovën  së Bashku – Zgjidhje Vendore.

“Ne mbetemi shumë mirënjohës ndaj Bankës Botërore dhe Fondit Korean të Mirëbesimit për Rritje të Gjelbër për dizajnimin dhe zbatimin e këtij pilot projekti dhe shpresoj që do të mund të llogarisim në mbështetjen e tyre si këshilltarë të besuar në përpjekjet tona të mëtejme. Gjithashtu, unë do të doja të shpreh mirënjohje për vizionin dhe mbështetjen nga projektet e USAID-it, EMPOWER Sektori Privat dhe Avancojmë Kosovën së Bashku – Zgjidhje Vendore, që janë zotuar për  ta  ngritur  këtë  pilot  projekt  në  lartësi  të  reja”,  tha  zëvendësministrja  e  Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj Gashi. “Në afat të shkurtër, ne shpresojmë për ta zgjeruar këtë pilot projekt në të gjitha komunat, në mënyrë që sa më shumë gra të reja dhe nënpunësuara të mund të përfitojnë. Ambicia jonë këtu është të mbështetim iniciativat me ndikim, si dhe të demonstrojmë lidershipin e Kosovës në fuqizimin ekonomik të femrave në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku ka shumë vende me çështje të ngjashme zhvillimore.”

Edhe aty ku barrierat kulturore dhe fetare kufizojnë punësimin tradicional për gratë, kontratat në internet paraqet një “port të sigurt” duke lejuar aranzhime të punës fleksibile dhe nga shtëpia, duke lehtësuar angazhimin si me punëdhënësit vendas ashtu edhe të huaj.  “Ky pilot projekt jo vetëm që ka dëshmuar realizueshmërinë e konceptit të trajnimit dhe ndikimit jetësor, por ai treguar potencial të madh për përshkallëzimin dhe replikimin e këtij pilot projekti për punë të gjelbër në të gjithë botën. Dorëzimi i projektit te një donator me reputacion për përshkallëzim të mëtejshëm është një bazë për qëndrueshmërinë e projektit dhe interesimi nga vendet e rajonit, duhet të konsiderohen si të arritura në vetvete,” tha Eun Joo Allison Yi, Koordinatore e Fondit Korean të Mirëbesimit për Rritje të Gjelbër në Bankën Botërore.

The Korea Green Growth Trust Fund (KGGTF) – është program i Grupit të Bankës Botërore me një donator të vetëm. Programi në vlerë prej 88 milionë dollarë, është themeluar në vitin 2011 në bashkëpunim me Republikën e Koresë. KGGTF-ja financon shfrytëzimin e dijenive operative teknike për Rritje të Gjelbër për të ndikuar në dizajnin e projekteve investuese të klientëve të Bankës Botërore dhe IFC-së. Shtigjet dhe zgjidhjet ekonomike që integrojnë nevojat shumësektoriale, risitë teknologjike dhe përfshirja sociale janë qasjet e rritjes së gjelbër. KGGTF-ja shfrytëzon maksimalisht përparësitë e përvojave të politikëbërësve dhe praktikuesve teknikë të rritjes së gjelbër nga bota reale për të promovuar dhe integruar konceptet e rritjes së gjelbër në vendimet për investime.

USAID EMPOWER Private Sector Project, EMPOWER Sektori Privat, që ka filluar në korrik 2014, është projekt pesëvjeçar i dizajnuar për të nxitur krijimin në shkallë të gjerë të vendeve të punës duke rritur konkurrueshmërinë e kompanive kosovare. Projekti financohet nga USAID-i dhe Sida.

USAID Advancing Kosovo Together –  Local Solutions (AKT –  LS) Programi Avancojmë Kosovën së Bashku  –  Zgjidhje  Vendore  (AKT  –  LS)  është  një  program  i  financuar  nga  USAID-i  i   cili implementohet nga Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF, që ka për qëllim të forcojë komunikimin pozitiv  dhe  konstruktiv  ndëretnik,  duke  u  përqendruar  në  problemet,  nevojat  dhe   zgjidhjet  e përbashkëta.  Aktivitetet  e  programit  Avancojmë  Kosovën  së  Bashku  –  Zgjidhje  Vendore  do  të fokusohen në angazhimin e njerëzve që të mendojnë, flasin dhe punojnë së bashku  me anëtarët e komuniteteve tjera.

Kontrolloni gjithashtu

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Komunës së Vitisë dhe organizatës “CNVP”

Sot, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim Xhevat Lushin – …