Edhe pse i ri në kalendar, viti 2025 nuk solli asnjë risi në dialogun Kosovë–Serbi. Përgjatë gjithë vitit, procesi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbeti i ngrirë, pa asnjë takim sy më sy mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Një takim i tillë mungon që nga shtatori i vitit 2023. Përpjekjet e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kaja Kallas, për t’i rikthyer palët në tavolinën e bisedimeve dështuan, ndërsa edhe takimet teknike u shoqëruan me obstruksione. Dështimi i takimit inaugurues të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në janar, për shkak të mospjesëmarrjes së Serbisë, u cilësua nga pala kosovare si politizim i një çështjeje humanitare. As pas emërimit të Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, nuk pati përparim domethënës. Takimet trepalëshe të mbajtura gjatë vitit përfunduan pa rezultate, me Kosovën që kërkon zbatim të marrëveshjeve ekzistuese dhe Serbinë që insiston në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Kështu, viti 2025 u mbyll me dialog të bllokuar, pa progres politik dhe pa sinjale të qarta se procesi i normalizimit do të rifillojë seriozisht në të ardhmen e afërt.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
