Sot, më 7 maj 2025, në Gjakovë përkujtohet 26-vjetori i “Epopesë së Çabratit”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të luftës së fundit në Kosovë, ku dhjetëra dëshmorë dhe martirë të kombit u flijuan për lirinë e vendit. Datat 7, 8 dhe 9 maj të vitit 1999 mbeten të paharruara për qytetarët e Gjakovës, të cilët përjetuan luftime të ashpra ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe, përfshirë ushtrinë, policinë dhe paramilitarët. Kjo betejë është e veçantë për misionin e saj – mbrojtjen e mijëra civilëve nga një ofensivë brutale serbe. Në luftimet e Epopesë së Çabratit ranë 7 dëshmorë dhe 41 civilë të pafajshëm, ndërsa më 7 dhe 8 maj, 43 qytetarë të kësaj lagjeje u rrëmbyen dhe zhdukën, një plagë e hapur që ende i dhemb komunitetit lokal dhe tërë Kosovës.
