Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vlerësuar lart bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në pikën kufitare Morinë–Vërmicë, duke e cilësuar atë si një prej shembujve më të suksesshëm të integrimit ndërkufitar mes dy vendeve. Sipas Ramës, në vetëm pesë muaj të këtij viti janë regjistruar mbi 3 milionë udhëtarë në këtë pikë, çka dëshmon për rëndësinë strategjike të saj dhe efikasitetin në lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe bizneseve. Në këtë pikë kufitare, gjatë një vizite të përbashkët, ishin të pranishëm ministri i Financave i Shqipërisë, Petrit Malaj, dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, Hekuran Murati. “Ministrat konfirmuan angazhimin e përbashkët për rritjen e cilësisë së shërbimit dhe garantimin e funksionimit të plotë të pikës doganore 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Qëllimi është eliminimi i çdo vonese dhe përmirësimi i shërbimeve për qytetarët dhe bizneset,” deklaroi Rama. Ai shtoi se kjo pikë doganore përfaqëson jo vetëm një model efikas të menaxhimit të përbashkët, por edhe një hap konkret drejt bashkëpunimit ekonomik dhe rajonal mes Kosovës dhe Shqipërisë.
