34 vjet nga vrasjet në Paraçin të Serbisë dhe kulmimi i nacionalshovenizmit serb që çoi në shkatërrimin e RSFJ-së

36 vjet nga vrasjet në Paraçin të Serbisë dhe kulmimi i nacionalshovenizmit serb që çoi në shkatërrimin e RSFJ-së

Më 3 shtator të vitit 1987 ishte vrarë, Aziz Kelmendi, i lindur në fshatin Karaçicë të  Drenicës. Ai kishte rënë  në dalje të Kazermës së Paraçinit dhe nga regjimi dyshohej se kishte vrarë katër  ushtarë jugosllavë. Kjo vrasje mbeti enigmatike për faktin se u krijuan dy versione krejtësisht të kundërta. Versioni zyrtar i kreut politik dhe atij të Armatës  Jugosllave, në Beograd  pastaj edhe i politikës vasale zyrtare  të komunistëve të Kosovës, konsideronte  se ushtari,  Aziz Kemendi, i verbuar dhe  i indoktrinuar me nacionalizëm dhe irredentizëm shqiptar,  kishte vrarë katër ushtarë jugosllavë e pak më vonë e kishte vrarë edhe vetën.

Versioni tjetër i përfolur në Kosovë, që i shkonte përshtati politikës durimtare pacifiste, kishte projektuar versionin se Shërbimi  Sekret Serb,  brenda Ushtrisë së Jugosllavisë, kishte vrarë  katër ushtarët, duke përzgjedhur në mesin e tyre një serb, një kroat një boshnjak dhe një tjetër, me qëllim për  t’ia adresuar ushtarit, Aziz Kelmendi, të cilin e kishin zgjedhur si “qengj të flijimit”.  Armata jugosllave asokohe dënoi me burg të rëndë shtatë nga shokët e Aziz Kelmendit,  prej 3 deri në 20 vjet burg, të akuzuar se  jo vetëm që kishin ditur se Aziz Kelmendi po projektonte vrasjen e ushtarëve, por edhe e kishin mbështetur e ndihmuar atë.

Fushata, kundër Aziz Kelmendit, familjes dhe të njohurve të tij, por edhe kundër të gjithë shqiptarëve liridashës në Kosovës e më gjerë,  ishte fushatë e egër, madje edhe e mbështetur  me shpifje, izolim të familjes, linçime, shkrime  të ulëta denigruese e  fyese kundër familjes së tij dhe kundër fajtorit kujdestar, i cili sipas tyre ishte, “nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar”.

Me qëllim të zgjerimit të fushatës antishqiptare, regjimi jugosllav i kohës, kishte dënuar me burg gjashtë ushtarë shqiptarë, dhe një boshnjak, duke i akuzuar se kishin bashkëvepruar me Aziz Kelmendin në vrasjen e katër ushtarëve dhe plagosjen e disa të tjerëve. Kishin dënuar me burg të rëndë: Rizah Xhaklin, 20 vjet burg, Abdylxhemil Alimanin, 20 vjet, Afrim Mehmetin, 13 vjet, Pajazit Aliun, 13 vjet, Shefqet Paqarizin,  7 vjet, Enver Behlulin, 5 vjet , dhe Riza Alibashiqin, 14 vjet burr dhe Islam Mahmutin, nga Gjakova, 2 vjet.

Kjo fushatë e egër, antishqiptare, bëri që popujt jo serbë të Jugosllavisë ta kuptonin përfundimisht se nacional-shovenizmi serb kishte kulmuar betejën jo vetëm politike të serbizimit të Jugosllavisë dhe dobësimit gradual të rolit të republikave të tjera në federatën, e cila si e tillë, me shumë kontradikta politike, sociale e kombëtare nuk mund të bënte më tej. Pak vite më vonë, kryetari  fundit i Federatës jugosllave, kroati,  Stipe Mesiq, do të shprehej krenar se ai do ta përfundonte ekzistencën e Jugosllavisë federative, e cila u zhbë me gjakosjen mizore të kroatëve, të boshnjakëve myslimanë dhe të shqiptarëve, për të marrë fund me shkatërrimin definitiv të ish RSFJ-së dhe më në fund edhe bombardimin e  Serbisë, nga NATO-ja prej 24 marsit deri më 9 qershor të vitit 1999, kur më në fund  Serbia e Milosheviqit kishte nënshkruar kapitullimin.

Aziz Kelmendi, qoftë si martir, apo hero,  i kontribuoi në masë fillimit të shkatërrimit definitiv të Jugosllavisë. Nëse ai revoltën e tij e manifestoi duke goditur Jugosllavinë nga brenda, që të zgjoheshin shqiptarët dhe popujt e robëruar nga RSFJ, kjo ka vlerën e vetë historike, sepse ajo nuk ishte armata e tij, por ishte armata që kishte robëruar atdheun e tij. Ishte armata që vriste ushtarët shqiptarë dhe ua kthente në arkivol familjeve  duke u kumtuar lajmin se ushtari, pjesëtari më i dashur i familje së tyre,  kishte bërë vetëvrasje.

Nëse, Aziz Kelmendi u zgjodh si “qengj i flijimit”, për ta ndezur zjarrin e shkatërrimit të Jugosllavisë, edhe kjo duhet të kuptohet se  ishte një kthesë historike, sepse RSFJ-ja duhej të vdiste, ajo nuk mund të qëndronte më gjatë, në radhë të parë për shkak se mendësia fashiste, nacionaliste, totalitare serbe, ishte ajo e cila kërkonte serbizimin e saj dhe krijimin e Serbisë së Madhe.

Pushka e Aziz Kelmendit, ishte më habertarja e kohës. Vepra e tij,  e bashkëluftëtarëve dhe pasuesve të tij,  shpejtoi procesin e vdekjes së përgjakshme të Jugosllavisë, por ajo u kuptua shumë vjet më vonë dhe mori dimensionin aktiv-operativ, kur mijëra policë dhe ushtarë të regjimit serb të Milosheviqit, më 5. 6 dhe 7 mars të vitit 1998 iu vërsulën familjes Jashari në Prekaz të Drenicës, duke demonstruar forcën dhe  tërë brutalitetin fashist mbi shqiptarët, me qëllim për shfarosjen e tyre kolektive, spastrimin etnik të Kosovës dhe zhbërjen e shqiptarëve. Shto kësaj edhe rreth 400 varreza masive me trupat e shqiptarëve të vrarë e të masakruar gjatë atyre viteve nga regjimi fashist i Beogradit. Edhe 21 vjet pas luftës, ende trajtohen të zhdukur më shumë se 1. 600 qytetarë të Kosovës, trupat e të cilëve me të drejtë mendohet se janë djegur nëpër minierat e Serbisë. Fakte e argumente të tilla kanë  sjellë disa dëshmitarë serbë, sidomos për djegien  e kufomave të shqiptarëve, në Maçkaticë të Serbisë.

Dilema,  që ende shfaqet për figurën dhe veprën e Aziz Kelmendit edhe sot pas 34 viteve, edhe pas krimeve ndër më çnjerëzorët që i ushtroi regjimi i Milosheviqit kundër shqiptarëve në vitet 1998-1999,  është pasojë e robërisë shekullore të shqiptarëve, është mungesa e këndelljes historike, në masë është edhe paaftësia e një pjesë të njerëzve tanë për t’i kuptuar realisht dhe me kohë ligjet e jetës, të cilat zhvillohen gjatë  proceseve historike.  Për me keq dhe më shëmtuar, në Kosovë nuk ka pak ithtarë të ish-Jugosllavisë, bashkim vëllazërimit dhe përbashkësisë, të cilët urrejtjen e tyre të verbër e të çoroditur e kanë kthyer kundër pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëjtë me urrejtjen e Vuçiqit e të Daçiqit. Të tillët, fajin për shkatërrimin e Jugosllavisë së tyre ia adresojnë edhe Aziz Kelmendit dhe luftës  fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë luftës së UÇK-së, lagja Kelmendi e fshatit Karaçicë, për veç  shumë luftëtarëve të dalluar  ka dhënë dëshmorë edhe luftëtarin e njësive Speciale të SHP të UÇK-së, Xhavit Kelmendi, ndërsa ka rënë në Pashtrik në dhjetor të vitit 1998 edhe Naser Kelmendi.

Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

1 prill 1981

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – IV

-30- Konfidenciale GR 550 Fm Beograd 140826Z, maj Direkt për FCO (DESKBY 141030Z)                                                  Kopje …