leoni

5 deponi të mbeturinave të ngurta u mbyllën në Ferizaj

Në kuadër të aktiviteteve për pastrimin e ambientit kudo edhe komuna e Ferizajt i është bashkuar aksionit nacional të titulluar “Ta pastrojmë Kosovën”.

Autoritetet komunale të shoqëruara nga shoqatat  ambientaliste simbolikisht kanë pastruar ambientet në qendër të Ferizajt duke bërë thirrje edhe tek qytetarët për krijimin e ambienteve sa më të pastra.

Kryetari i komunës së Ferizaj Muharrem Svarqa me këtë rast tha se komuna po angazhohet me tërë mekanizmat e saj për shërbime sa më efikase pastrimi.

“Sot kemi të bëjmë me një aktivitete ndërkombëtarë ku është inkuadruar edhe Kosova, përmes këtij aktiviteti nacional shtetëror “Ta pastrojmë Kosovën” ku edhe komuna e Ferizajt po jep kontributin e  vet me të gjitha përpjekjet që po bënë,  në mënyrë që të kemi një ambient të pastër, të kemi hapësira sa më të gjera të gjelbërimit,  në mënyrë  që të kemi edhe një jetë sa më të shëndoshë si produkt i një ajri më të pastër”, ka thënë kryetari Svarqa.

Ndërkaq pas aktiviteteve në qendër drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjenca mbylli dhe pastroi 5 deponi të mbeturinave të ngurta në qytet dhe nëpër fshatra.

Drejtoresha Mimoza Fazliu me këtë rast potencoi se komuna e Ferizajt mbetet e përkushtuar për krijimin e ambienteve sa më të shëndetshme.

“Këtë të martë janë mbyllur deponia në rrugën “Kadri Zeka”, deponia te ish KFOR-i grek,  tek tregu i ri i kafshëve, te kazerma e FSK-së, si dhe deponia me mbeturina të ngurta në rrugën Doganaj-Zaskok. Ne si drejtori e Shërbimeve Publike jemi të interesuar që asnjë deponi e tillë të mos mbetet në qytetin e Ferizajt”, tha drejtoresha Fazliu, duke shtuar se ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë me kompanitë private të qytetit që dolën në ndihme në mënyrë vullnetare në heqjen e mbeturinave.

Aktiviteteve të sotme për pastrim iu bashkua edhe organizata gjermane GIZ e cila po ndihmon komunën përmes një këshilltari të saj për ta fituar një garë ambientale.

Christian Hofbruckl ekspert i angazhuar për këtë çështje tha se aktualisht gjendja me mbeturinat nuk është e mirë, por po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje më të përshtatshme.

“Ne jemi këtu  për tre muaj dhe gjatë kësaj kohe po vëzhgojmë situatën lidhur me deponitë ilegale. Na vije keq por situata me deponitë ilegale në komunën e Ferizajt është katastrofale ndërsa ne po punojmë çdo ditë e me shumë në gjetjen e një zgjidhjeje. Mirëpo për tre muaj nuk mund të ndryshohet shumë, duhet një kohë e gjatë për t’u parë efektet por sigurisht se duhen financime më të mëdha nga komuna për projekte sa më efikase” thotë eksperti i angazhuar nga GIZ-i gjerman.

Deponitë e mëdha ilegale janë një sfidë e shpeshtë edhe për autoritetet lokale të Ferizajt. Paralajmërohet se roli i inspektorëve do të jetë më i fuqishëm ditëve të ardhshme në ambientet ku vërehet se qytetarët të pandërgjegjshëm hedhin mbeturina pa pasur frikë se mund të dënohen nga dikush.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga skema praktike në punë

Sot, kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga …