Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka ngritur alarmin për gjendjen e sigurisë në minierën e Stantërgut, pas incidentit të mbrëmshëm ku 63 minatorë mbetën të ngujuar në nëntokë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Minatorët u nxorën më pas shëndoshë e mirë, por për Sindikatën, incidenti nuk duhet të trajtohet si një ngjarje e zakonshme. Ajo ka kërkuar reagim institucional dhe hetim të plotë, duke paralajmëruar se kushtet aktuale të punës paraqesin rrezik serioz për jetën e punëtorëve. “Nuk mund të presim tragjedinë për të reaguar”, thuhet në reagimin e Sindikatës. Sipas tyre, pajisjet e vjetruara, gjendja e rrugëve të emergjencës, rreziqet profesionale dhe mungesa e investimeve në siguri dhe shëndetësi e bëjnë situatën në Trepçë gjithnjë e më shqetësuese. “Minatorët nuk mund të vazhdojnë të punojnë çdo ditë me frikën se një defekt teknik mund t’u rrezikojë jetën”, thekson Sindikata. Sindikata ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse hetim të plotë dhe transparent të incidentit, përcaktimin e përgjegjësive dhe një vlerësim urgjent të pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve të emergjencës dhe sistemeve të sigurisë në minierë. Po ashtu, kërkohen investime urgjente shtetërore në sigurinë e minatorëve, me theksin se deklaratat pas incidenteve nuk janë të mjaftueshme. “Trepça mund të jetë pasuri strategjike e Kosovës, por mbi çdo pasuri qëndron jeta dhe shëndeti i minatorit. Mos të presim që një incident i radhës të kthehet në tragjedi. Tani është momenti për veprim!”, thuhet në reagim.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
