Kryetari Aliu priti aktorin franko-shqiptar me famë botërore Rexhep Mitrovica

Në vigjilje të edicionit të 48-të të Festivalit të Teatrove që mbahet në qytetin tonë, i pari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, në mesditë priti në zyrën e tij një delegacion të trupës franceze të kryesuar nga aktori franko-shqiptar i kalibrit botëror, Rexhep Mitrovica. Këta të fundit, bashkë edhe me aktorin tjetër të përmasave botërore, Arben Bajraktaraj do të vënë në skenë shfaqjen “Le Pont”, dramatizim i veprës “Ura me tri harqe” nga Ismail Kadare. Kjo shfaqje mysafire, ngre siparin e edicionit të 48-të të Festivalit të Teatrove që mbahet në Ferizaj. I pari i Ferizajt, Agim Aliu i paraqiti aktorit Mitrovica dhe mysafirëve tjerë një historik të shkurtër të qytetit të Ferizajt, veprimtarisë teatrore në Ferizaj që daton nga viti 1943 si dhe shprehu kënaqësinë e nderin e veçantë që qyteti të cilin drejton të ketë mysafirë të tillë të përmasave botërore siç janë aktori Rexhep Mitrovica dhe Arben Bajraktaraj. Në anën tjetër, edhe aktori i mirënjohur franko-shqiptar, Rexhep Mitrovica falënderoi të parin e qytetit, Agim Aliu për pritjen duke u shprehur se është gjithmonë kënaqësi të jetë i ftuar dhe të jetë në mesin e artistëve. Lidhur me shfaqjen, ai u shpreh se beson se publiku do të jetë i kënaqur me atë çfarë do t’i ofrohet në natën e parë të këtij festivali. Në fund të këtij takimi ku të pranishëm ishin edhe drejtorja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati Shabani, drejtori i Teatrit “Adriana”, Fatmir Hyseni si dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit “Adriana”, Nexhat Xhokli dhe Besim Ugzmajli u shpërndanë dhurata, suvenire këto me motive nga qyteti ynë. Agjenda e aktorit Mitrovica vijoi edhe me një konferencë për media në Teatrin “Adriana” ku para gazetarëve ai shpalosi ndjesitë e tij për qytetin dhe veprimtarinë teatrore këtu. Në këtë konferencë u dhanë informacione detale edhe për shfaqjen “Le Pont” nga regjisori Simon Pitaqaj. Poashtu, drejtori i Festivalit, Fatmir Hyseni dhe drejtori artistik i Festivalit, Besim Ugzmajli prezantuan para publikut programin si dhe detajet tjera të organizimit. E veçanta e këtij edicioni të Festivalit të Teatrove është përveç pjesëmarrja e aktorëve të lartpërmendur, edhe dominimi i dramës shqipe në shfaqjet e netëve të Festivalit. Juria në këtë edicion të Festivalit përbëhet nga Fadil Hysaj, Blerta Rrustemi Neziraj dhe Nexhat Xhokli. Festivali i Teatrove fillon më 21 tetor dhe zgjat deri më 28 tetor. Teatri “Adriana” ka filluar shitjen e biletave me një çmim simbolik prej 1 euro, për të gjitha netët sa do të zgjas festivali.

Kontrolloni gjithashtu

Institucionet komunale të Skenderajt me homazhe përkujtuan heroin, Malush Ahmeti

Në nderim të rënies heroike të komandantit Malush Ahmeti, 26 vjetë më parë, kryetari i …