leoni

Me Akademi Solemne përfunduan aktivitetet për shënimin e 50 vjetorit të Demonstratave të vitit 1968 në Ferizaj

I pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorë të drejtorive komunale, pjesëmarrës të demonstratave të vitit 1968 dhe familjarë të tyre, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, veprimtarë të çështjes kombëtare, përfaqësues të Shoqatës të të Burgosurve Politik dhe qindra qytetarë u mblodhën në Teatrin “Adriana” në akademinë solemne të organizuar për shënimin e 50 vjetorit të Demonstratave të vitit 1968. Në këtë akademi, me një fjalë rasti i pari i Ferizajt, Agim Aliu çmoi lartë përpjekjen e popullit shqiptar dhe pjesëmarrësve të demonstratave të vitit 1968, të cilat kulmuan me luftën tonë të lavdishme çlirimtare për lirinë e vendit. “Viti i Skënderbeut, i vitit 1968, shënon momentin e një kërcimi cilësor të ndërgjegjësimit politik të popullit shqiptar të ish Jugosllavisë. Në demonstratat e nëntorit të atij viti, karakteristikë e veçantë ishte gjithë përfshirja në pjesëmarrje. Studentë, profesorë, punëtorë, bujq e intelektualë, përfshirë edhe vajzat e gratë shqiptare, intelektuale, punëtore apo amvise, u rreshtuan bashkë dhe masovikisht, për të deklaruar publikisht kërkesat për vetëvendosje, barazi politike e shtetndërtim. Demonstratat e vitit 1968, shënojnë momentin e një internacionalizimi cilësor të çështjes së pazgjidhur shqiptare, duke e futur atë pakthyeshëm në një agjendë politike ndërkombëtare të kohës dhe në perspektivë. Ferizaj, ishte ndër qendrat më aktive të Kosovës në organizimin dhe masovitetin e atyre demonstratave. Studentë, intelektualë e punëtorë, ishin bashkë dhe me guxim të pashembullt dhe me një largpamësi të admirueshme politike, i bënë me dije Jugosllavisë që Kosova dhe viset tjera shqiptare të okupuara, do të ishin vet varri i idesë së mykur të jugosllavizmit, si një prej ideologjive më të rrezikshme të kohës. Jehona e demonstratave të vitit 1968 dhe esenca dhe përmbajtja e kërkesave të tyre, do të shtriheshin edhe më fuqishëm në vitet në vijim, për të kulmuar me zgjimin spektakolar e të virtytshëm të vitit 1981, e deri në kryengritjen kulmore të viteve 1998-1999, me luftën e UÇK-së. Sot, si përfaqësues i qytetarëve të Ferizajt, jam i nderuar që shënojmë jubileun e 50-të të ’68-ës. Edhe më të rëndësishëm këtë jubile e bën simbolika e fuqishme e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. Shpreh mirënjohjen për të gjithë bashkëkombësit, e në veçanti, për të gjithë bashkëqytetarët tanë, që ndër shekuj, asnjëherë nuk u tërhoqën nga beteja historike për lirinë. Sot, në mënyrë të veçantë shprehim mirënjohjen dhe nderimin për sakrificën e heronjve të 1968-ës, atyre që nuk janë më në mesin tonë dhe atyre që ndajnë bashkë me ne kujtimet e një momenti të lavdishëm të historisë sonë. Në mënyrë të veçantë, sot ndjejmë mungesën e shumë heronjve të kryengritjes politike të ’68-së, që ndërkohë kanë ndërruar jetë në mënyra të ndryshme, por gjithnjë me zjarrin e atdhedashurisë së pashuar deri në frymën e fundit” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu. Njëri ndër protagonistët kryesor të kësaj ngjarje në Ferizaj, është edhe Hasan Abazi, organizator dhe pjesëmarrës i Demonstratave të vitit 1968 në Ferizaj. Ai, i emocionuar shpalosi kujtime nga ajo periudhë dhe përpjekjet e gjithë grupit të shokëve për organizimin e kësaj demonstrate gjithëpopullore më 27 nëntor 1968 në Ferizaj. “Edhe pse këto demonstrata ndodhën në kohën kur po frynin erërat e ndryshimit që manifestoheshin në demonstratat e studentëve në vendet e Evropës, demonstrata e bëra në Kosovë kishin karakter kombëtar, kishin karakter çlirimtar ndaj robërisë shekullore për të kërkuar barazi, drejtësi, shkollim, vetëvendosje me të gjithë popujt në Jugosllavi. Demonstratat e ’68-tës për herë të parë manifestojnë hapur pakënaqësinë që shqiptarët e Kosovës kishin në Jugosllavi, sidomos pas dështimit të udhëheqjes jugosllave për ndryshimet kushtetuese, ku në diskutimin e hapur ishte propozuar që edhe Kosovës t’i jepet statusi i barabartë brenda federatës. Të gjitha këto ngjarje forcuar dhe zgjuan ndërgjegjen e shqiptarëve vizionar të cilët e kuptuan se nuk duhet duruar më, duhet ngritur zërin për të forcuar më shumë substancën tonë kombëtare, për t’u trajtuar si popull i barabartë, jo më në ilegalitet, por hapur në rrugë, demonstrata, para opinionit vendor dhe ndërkombëtar” tha Hasan Abazi, njëri organizatorët kryesor të kësaj demonstrate në vitin 1968 në Ferizaj. Ai madje tha se epiqendër e organizimit kishte qenë Prishtina, mirëpo ishte vendosur që këto demonstrata të shpërndaheshin edhe në qendra të tjera, ndër to padyshim edhe në Ferizaj. Edhe historiani Skënder Lutfiu, paraqiti një referat të shkurtër mbi këtë ngjarje me peshë historike dhe organizimin e shtrirjen e kësaj lëvizjeje në gjithë Ferizajn. “Nuk bënte dhe nuk pritej të bënte përjashtim as Ferizaj, qytet në të cilin tradicionalisht janë zhvilluar ngjarje të rëndësishme për historinë e kombit shqiptar. Kujtojmë Betejën e Slivovës 1881, Kuvendin e Ferizajt 1908, Kryengritjet e viteve 1910-12 në të cilat treva e Ferizajt dha një kontribut të jashtëzakonshëm në luftën e Ferizajt më 1945. Për organizimin e demonstratave të vitit 1968 u formua Këshilli Organizativ në përbërje të Ismet Ramadanit, , Hasan Abazit, Abdullah Zymberit, Beqir Beqirit, Muhamet Sylejmanit, që të gjithë studentë nga Komuna e Ferizajt. Për organizimin e demonstratave kontributin më të madh e dhanë studentët e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik dhe studentët e Fakultetit Teknik. Për të bërë përgatitjet e fundit, Këshilli Organizativ mbajti një mbledhje më 26 nëntor 1968 në Hotelin Luboten në Ferizaj. Në këtë mbledhje u morën disa vendime, si vendimi për mbajtjen e demonstratës ditën e nesërme prej orës 14:30 deri në 15:30, vendtubimi tek konvikti i shkollave të mesme, pastaj që referatin ta shkruaj Ali Mehmeti ndërsa ta lexoj në sheshin kryesor të qytetit Ismet Ramadani. Në ballë të marshit demonstrues ishin edhe nxënëset si Sherife Syla, Kefsere Hoxha, Lutfije Qerimi, Emine Mustafa, Fatime Vata, Hadije Ilazi, Hazbije Syla, Xhemile Arifi e tjerë. Në përballjen me policinë, në krye të demonstratës u vunë studentët ndërsa më parë ishin nxënësit e shkollave të mesme. Në sheshin kryesor të qytetit ishin grumbulluar mijëra demonstrues në të cilin u lexua referati nga Ismet Ramadani ku thuhet; “Ne bijtë e Skënderbeut që me shekuj luftuam për lirinë e për të drejtat tona, që derdhëm gjak për Kosovën martire, jemi duke demonstruar sot kundër shkeljes të të drejtave tona, kundër atyre që mohuan qenien tonë në këto troje dhe duke kërkuar që edhe ne të kemi të gjitha ato të drejta që i kanë popujt tjerë në Jugosllavi. Rroftë populli shqiptar, rroftë Republika e Kosovës” përfundoi citatin duke elaboruar në hollësi këtë ngjarje historike, historiani ferizajas, Skënder Lutfiu. Pas pjesës foljore, programi i Akademisë Solemne vazhdoi me pjesën artistike në interpretimin e këngëve burimore nga studentë dhe kori i qytetit të Ferizajt nën dirigjimin e profesoreshës Lindita Isufi. Në fund të Akademisë Solemne, i pari i Ferizajt, Agim Aliu, ndau mirënjohje post mortum për veprimtarin Ismet Ramadani, me motivacionin “Për vlerat e tij patriotike, guximin, idealin e lartë të treguar dhe personalitetin me kontribut të jashtëzakonshëm në Demonstratat e vitit 1968”, mirënjohje të cilën e pranoi bashkëshortja e veprimtarit Ismet Ramadani, Haxhere Ramadani. Ajo, e emocionuar, falënderoi të parin e Ferizajt, Agim Aliu për gjithë këtë organizim, kujdesin e treguar në shënim të kësaj ngjarje historike dhe vlerësimin e figurave qendrore të lëvizjes popullore për lirinë e vendit. Pasditen e sotme, pjesë e aktiviteteve për shënimin e 50 vjetorit të Demonstratave të vitit 1968, ishin edhe homazhet në vendin ku nisën këto demonstrata, në gurin e gdhendur që bart këtë histori, pranë Hotelit Luboten, ku morën pjesë drejtorë komunal dhe pjesëmarrës e familjarë të protagonistëve të Demonstratave të vitit 1968 në Ferizaj. Në këtë homazh u vendosën trëndafil në gurin ku është vendosur pllaka përkujtimore, simbol i gjakut të derdhur për lirinë e pavarësinë e vendit.

Kontrolloni gjithashtu

44 mësimdhënës të arsimit fillor (niveli 1-5) ndjekin trajnimin për karrierë

Nën organizim të Drejtorisë për Arsim dhe Edukim në Komunën e Malishevës, të mërkurën ka …