RKL: Sot varroset Beg Rizaj, luftëtari i përbetuar i lirisë…

(Begut, Mirsadit, Xhaferit, Valonit, Turgajt, Arbenit, Samitit, Hysenit, Fatlumit, Nusretit…)


 


 


Luftimet në Kumanovë, më 9 e 10 maj të vitit  2015, mes një formacioni të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcës qindfish më të madhe të policisë së ish-RJ të Maqedonisë, doemos se na i kthejnë në memorie  legjendat biblike: luftën e Davidit kundër Goliatit, dyluftimin e Gjergj Elez Alisë kundër Balozit të Zi, qëndresën e Oso Kukës në Vraninë, Qëndresën titanike të  Legjendarit, Adem Jashari, në Prekaz…


 


Kështu është përsëritur e ripërsëritur sa e sa herë e kaluara heroike shqiptare, sepse vetëm kështu, vetëm me sakrifica të tilla, me luftëra gjithnjë të pabarabarta kemi mbijetuar e do të mbijetojmë në këtë Evropën tonë “shumë të qytetëruar, shumë të drejtë e shumë demokratike”. Kësaj radhe po e kursej Fishtën e Madh, për ta treguar fytyrën e vërtetë të Evropës shtrigë e njerkë, sepse jo për të gjitha mjerimet e katrahurat tona na ka faj Evropa.


 


Nuk ishte Evropa ajo që i shpalli terroristë bijtë tanë.


As kreu i NATO-s nuk i shpalli banditë, madje asnjë shtet në Evropë nuk u ngut për të dhënë vlerësime të tilla, përveç politikës zyrtare të Shkupit, të Beogradit, të Kremlinit e Athinës. Kësaj valleje iu bashkuan edhe batot e bastardët, vllastiqët, lubët, drizët, kursanët, sorrët e ham-hamët e mbetjeve të UDB-së në Kosovë. Kori i këtyre shtriganëve ishte në linjën e përhershme të etiketimeve, manipulimeve, shantazheve, përhapjes së dubiozave, duke i etiketuar luftëtarët me tiketat e markës “Made in Jugosllavia”, gjithnjë si shqiptarë: “terroristë, separatistë, irredentistë” etj. Disa medie e portale shkuan aq larg sa 40 trimat në Kumanovë, që i bënë ballë hordhive  të një shteti, i shpallen edhe banditë, zhvatës, njerëz me dosje,  të manipuluar nga Serbia, madje edhe nga vetë Gruevski.(!)


 


 Më të zëshmit ishin si gjithnjë shpikësit e teorive të konspiracionit, gërmuesit e nevojtoreve të UDB-së, të KGB-së, bijtë e bijat e spiunëve dhe ambasadorëve, inspektorëve, milicëve e hafijeve  të ish-Jugosllavisë. Të gjithë këta shpirt e mendje shitur nuk lanë gur pa rrokullisur, në përpjekje për ta deformuar realitetin dhe për ta satanizuar çdo përpjekje të shqiptarëve për liri e bashkim kombëtar.


Sot, me nderimet më të sinqerta e më të përkushtuara kombëtare po varroset luftëtari emblematik, ademjasharian, Beg Rizaj, madje mu në Kompleksin e Dëshmorëve të Kombit, në Gllogjan të Deçanit, atje ku prehen në përjetësi eshtrat e bashkëluftëtarëve të tij. Sot, këtij Kompleksi të Dëshmorëve po i bashkohet edhe Begu, i cili e çoi edhe më tej, e shtyu edhe më tej amanetin e bashkëluftëtarëve. Ai mori pjesë në luftime për çlirimin dhe bashkimin e trojeve të Shqipërisë edhe 16 vjet pas rënies së bashkëluftëtarëve të tij. 


 


E tillë ka qenë dhe po mbetet historia e qëndresës shumë shekullore, shqiptare.


 


E tillë ka qenë dhe po mbetet Shqiptaria e Shekujve, historia e shqiptarit dhe e pushkës së tij të gjatë, me barotin kurdoherë të thatë, për t’ i mbrojtur gjymtyrët e sakatosura të Shqipërisë.


Pavarësisht se qentë kanë lehur e do të lehin kurdoherë, karvani i bërjes së Shqipërisë po bën tutje, nga brezi në brez, duke u lidhur në vallen shekullore të përjetësisë, në vallen hirplote e të lavdishme të lirisë, në hallkat zinxhir të historisë, sot me Begun, Mirsadin, Xhaferin, Valonin, Turgajn, Arbenin, Samitin, Hysenin, Fatlumin Nusretin, nesër e pasnesër me qindra e mijëra të tjerë, sepse ligjet e jetës janë proces në progresin historik dhe ato nuk ndalojnë deri në realizimin e aspiratave të natyrshme të shqiptarëve për bashkim, e drejtë e natyrshme e çdo kombi kudo në botë.


Lavdi dëshmorëve!


Turp e mallkim bastardëve dhe shkelësve të gjakut të lirisë!.

Kontrolloni gjithashtu

Sindikatat në Korporatën Energjetike të Kosovës po paralajmërojnë grevë

Sindikatat në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë paralajmëruar grevë nëse deri në fund të shkurtit …