Ministri Reçica në Singapor zhvillon takime me përfaqësues të lartë shtetëror

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, po qëndron në një vizitë zyrtare në Republikën e Singaporit, ku po zhvillon takime me përfaqësues të nivelit të lartë shtetëror. Ministri Reçica takoi ministrin e shtetit për çështje të punësimit dhe zhvillim kombëtar të Singaporit, Zaqy Mohamad, të cilin e falënderoi në emër të Qeverisë së Kosovës për mbështetjen që Republika e Singaporit në vazhdimësi i ka dhënë Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme në kuadër të marrëdhënieve bilaterale. Reçica e njoftoi ministrin Mohamad rreth sfidave me të cilat po përballet Kosova sa i përket papunësisë. Ai theksoi se politikat e Qeverisë, përkatësisht të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale janë orientimi në karrierë i të rinjve në përputhje me nevojat e tregut të punës si dhe arsimimi dhe aftësimi profesional i të rinjve. Mohamad tha se Singapori mund të mbështesë Kosovën nëpërmjet programeve të ndryshme të trajnimit, për çka së bashku me ministrin u dakorduan që në një të ardhme të afërt të konkretizojnë bashkëpunimin. Gjatë ditës, Reçica takoi edhe ministrin për Zhvillim Social dhe të Familjes, Desmond Lee, të cilin e njoftoi rreth gjendjes sociale dhe problemeve me të cilat përballen qytetarët e Kosovës. Ministri e njoftoi homologun e tij gjithashtu edhe për reformat që ka ndërmarrë MPMS në këto dy fusha si dhe theksoi se është shumë e nevojshme që të dyja shtetet të ndërtojnë ura bashkëpunimi në fushën sociale dhe atë të familjes.

Kontrolloni gjithashtu

Gjendja nën kontroll dhe rrugët të kalueshme pas reshjeve të shiut në komunën e Vitisë,

Pas reshjeve të pandërprera të shiut gjatë natës, gjendja në Komunën e Vitisë paraqitet stabile. …