Edhe në Ferizaj u shënua 8 Marsi – Dita e Gruas

Ambientet e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, ishin mbushur si asnjëherë më parë me zonja ferizajase që kishin ardhur në organizimin kushtuar Ditës së Gruas – 8 Marsit. Nikoqire e këtij organizimi që u realizua nën përkujdesjen e të parit të Ferizajt, Agim Aliu, ishte Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi Bytyçi, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mexhide Mjaku Topalli, drejtori i organizatës “Caritas Kosova”, Don Viktor Sopi si dhe zyrtarja për barazi gjinore në Ferizaj, Vjollca Krasniqi. Në një fjalë përshëndetëse dhe urimi, e para e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi tha se përpjekjet institucionet janë të përqendruara në veçanti në krijimin e një ambienti në të cilën fëmijët tanë rriten me kujdes, dashuri, dhe qasje në shkollim, në frymën e edukates, të lirë nga dhuna dhe stereotipet gjinore. Ajo uroi gjithë gratë dhe vajzat në ditën e tyre, duke kujtuar sakrificën e grave ndër shekuj pë të arritur barazinë. “Ky aktivitet shënohet në këtë ditë të veçantë, ditës së 8 Marsit festës së gruas, që simbolizon lëvizjen e grave për të drejtat e e tyre dhe për ti mbështetur gratë në njohjen e statusit të tyre në shoqëri. Në filmin e metrazhit të shkurtër që do të paraqitet sot falënderoj regjisorin Besim Ugsmajlin me stafin e tij, për temën e përzgjedhur të trafikimit me qenie njerëzore si një dukuri globale që konsiderohet si edhe “Skllavëria e kohëve moderne”. Trafikimi i grave dhe vajzave nuk lidhet thjesht vetëm me prostitucionin e detyruar dhe shfrytëzimin, por përfshinë gjithashtu shfrytëzimin e njeriut në forma të ndryshme, dhunimin dhe probleme të tjera shoqërore. Shoqëria jonë ka nevojë t’i adresoj dukuritë që e kërcënojnë mbarëvajtjen e saj dhe mirëqenien e qytetarit. Përpjekjet tona duhet të përqendrohen në veçanti në krijimin e një ambienti në të cilën fëmijët tanë rriten me kujdes, dashuri, dhe qasje në shkollim, në frymën e edukatës, të lirë nga dhuna dhe stereotipet gjinore. Një qasje e tillë në afat të gjatë do të sigurojë zbatimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe vlerave të tjera që ne i ndajmë me civilizimin evropian. Ne duhet të forcojmë sistemin tonë dhe të sigurohemi se bartësve të dhunës dhe te gjitha fenomeneve negative t’i jepet dënimi adekuat, sepse Kosova e në veçanti Komuna e jonë nuk toleron akte të tilla” tha Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi. Fjalë përshëndetëse në këtë ngjarje patën edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mexhide Mjaku Topalli, drejtori i organizatës “Caritas Kosova”, Don Viktor Sopi si dhe zyrtarja për barazi gjinore në Komunën e Ferizajt, Vjollca Krasniqi, të cilët i uruan të pranishmet por edhe më gjerë në këtë festë, duke siguruar angazhim të shtuar institucional për të drejta të barabarta. Pas pjesës foljore, në sallën e Kuvendit të Komunës u shfaq filmi i shkurtër me titull “Rruga” i punuar nga regjisori i mirënjohur ferizajas, Besim Ugzmajli që për tematikë ka trafikimin me qenie njerëzore e që mëton të shpalos nevojën e angazhimit shoqëror dhe institucional në luftimin e këtij fenomeni. Gjatë ditës së sotme në Ferizaj u organizuan edhe një varg aktivitetesh për këtë ditë nga grupe të ndryshme shoqërore, për të festuar dhe ngritur zërin për barazinë gjinore, përpjekje për të cilën lypset angazhimi i gjithë shoqërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi merr pjesë në panelin në kuadër të “Javës së gruas”

Me ftesë të Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), kryetari Smajl latifi mori pjesë në panelin në …