Me aktivitete të shumta u shënua Dita e Dëshmorëve të Komunës së Vitisë

Aktivitetet për nder të 5 Majit- Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Vitisë, kanë filluar me homazhe në varrezat e dëshmorëve në Viti. Dëshmorët e kësaj komune u përkujtuan dhe nderuan nga përfaqësuesit e Institucioneve Komunale të Vitisë, policisë së Kosovës, partive politike, organizata të dala nga lufta e UÇK-së, familjarëve të dëshmoreve dhe shumë të tjerë. Pas homazheve Kuvendi Komunal i Vitisë mbajti edhe një seancë solemne kurse në përkujdesjen e Kryetarit të kësaj komune, Sokol Haliti u mbajt edhe një akademi përkujtimore për nder të dëshmorëve të kësaj komune.

Naim Pira, Kryesues i Kuvendit Komunal të Vitisë, gjatë seancës solemne që është mbajtur sot për nder të Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Vitisë nder tjerash ka folur edhe mbi shënimin e kësaj data. “ Jemi tubuar në ketë seance solemne për të shënuar një nga datat më të rëndësishme të historisë se re, 5 Majin ditën e Dëshmoreve te Komunës sonë.

Sot nderojmë luftën e lavdishme të UÇK-së, nderojmë komandantin legjendar Adem Jasharin dhe familjen e tij si dhe heroizmin e dëshmorëve dhe martirëve të komunës sonë te cilët me gjakun e njomë te tyre vunë themelet e shtetit te ri, prandaj me plot te drejtë themi se dëshmorët janë kurban dhe shenjtorë të lirisë dhe shtetësisë sonë”, u shpreh Kryesuesi Pira.

Ndërkaq Abdyl Bajrami nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Dega në Viti foli mbi përpjekjet e popullit shqiptarë për liri në etapat e ndryshme të historisë.

Sokol Haliti, Kryetar i Komunës së Vitisë, në akademinë përkujtimore për nder të Ditës së Dëshmorëve që u organizua nën përkujtuesin e tij, theksoi se kjo komunë mburret me trimat e saj. “Vitia gjithmonë mburret me trimat e saj, të cilët iu përgjigjen kushtrimit të atdheut duke u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në zonat e Pashtrikut, Dukagjinit, Llapit e Gollakut, në Zonën e Nerodimes e të Karadakut, të Preshevës e kudo që kërkohej nevoja.

Duke mos kursyer më të shtrenjtën – Jetën, ata ranë në betejat e lavdishme për të njëjtin qëllim, për të njëjtin synim dhe për të njëjtin ideal, që ky popull të jetoj i lirë”, tha kryetari Haliti.

Kurse një falë rasti në këtë akademi përkujtimore ka mbajtur edhe Qemajl Rexhepi, Kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Viti. Ndërkaq gjatë kësaj akademia për publikun u dha edhe një program kulturor- artistik si dhe në fund u shfaqe edhe një kronologji mbi dëshmorët e Komunës së Vitisë.

Foto: Mustafë Mehmeti ZIMP – Komuna e Vitisë

Kontrolloni gjithashtu

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës së Rahovecit 

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës …