Në Viti u mbajtën diskutimet publike për Propozim Rregulloren mbi Themelimin dhe Strukturimin e Asamblesë Komunale të Fëmijëve

Në Viti me nxënës të klasave të teta dhe të nënta është mbajtur diskutimi publik për Propozim Rregulloren mbi Themelimin dhe Strukturimin e Asamblesë Komunale të Fëmijëve dhe për Propozim Rregulloren për Realizimin e të Drejtave të Fëmijëve përmes Sistemit Qeverisës Komunale Miqësorë për Fëmijë. Flamur Zeqiri, Udhëheqës i Sektorit për Komunitete dhe të Drejtat e Njeriut u shpreh se Propozim Rregullorja mbi Themelimin dhe Strukturimin e Asamblesë Komunale të Fëmijëve është sponsorizuar nga OJQ “Syri i Vizionit” në partneritet me “Save dhe Children“ me seli në Kosovë. Sipas tij kjo rregullore është përpunuar, ndryshuar dhe plotësuar nga Zyra për të Drejtat e Njeriut, Zyra për Barazi Gjinore dhe Zyra Ligjore në Viti në bashkëpunim me Kryetarin e Komunës. “Kjo rregullore ofron rrugën formale të pjesëmarrjes së fëmijëve në procesin e hartimit dhe zbatimit të politikave komunale në interesin më të mirë të fëmijëve si dhe thelbi i kësaj rregullore është përfaqësimi i ideve, mendimeve dhe kërkesave apo sugjerimeve të dobishme të fëmijëve tek organet e qeverisjes komunale, tek këshillat e shkollave, këshillat e prindërve lidhur me zbatimin e rregullores të sjelljes në shkollave, hartimin e planit të zhvillimit të shkollës si dhe pjesëmarrjen më aktive të fëmijëve në fushën e shkencës, arsimit, kulturës, sportit dhe organizimeve të tjera të cilat zhvillohen brenda dhe jashtë objekteve shkollore “ u shpreh Zeqiri. Ai tha se grupë mosha e asamblesë së fëmijëve do të jetë për nxënësit e shkollave të mesme të ultë nga klasa 6 deri 8 kurse numri i përgjithshëm i anëtarëve të asamblesë do të jetë i njëjtë me numrin e anëtarëve të Kuvendit Komunal të Vitisë. Ndërkaq lidhur me Rregulloren për Realizimin e të Drejtave të Fëmijëve përmes Sistemit Qeverisës Komunale Miqësorë për Fëmijë ai bënë me dije se kjo rregullore është sponsorizuar nga KOMF (Koalicioni i Organizatave Jo Qeveritare për të Drejtat e Fëmijëve) që përbëhet nga 22 OJQ kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndërkaq Zeqiri thekson se edhe kjo rregullore është rishikuar, ndryshuar dhe plotësuar. Ai bënë me dije se rregullorja në fjalë përcakton marrjen e masave të qarta nga Institucionet e Qeverisjes Komunale në funksion të promovimit, realizimit të drejtave të fëmijëve si nga fëmijët ashtu edhe për të rriturit si dhe promovon qeverisjen komunale mike më fëmijët. Ndërkaq pas prezantimit të këtyre dy propozim rregulloreve të pranishmit kanë parashtruar pyetje dhe kërkesat për ndryshim ku ndër tjerash u kërkua që edhe nxënësit e klasave të 9-ta të jenë pjesë e asamblesë komunale të fëmijëve. Përndryshe në panelin e sotëm ka marrë pjesë edhe Ibadete Hyseni, Zyrtare për Barazi Gjinore në Viti.

Kontrolloni gjithashtu

Në 25 vjetorin e rënies heroike, u përkujtuan Ilaz Kodra dhe 315 dëshmorë të tjerë

Në nderim të rënies heroike të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra dhe …