leoni

Kadri Rexhaj: NË KUJTIM TË POETIT TË PIKËLLIMËS

Kadri Rexhaj: NË KUJTIM TË POETIT TË PIKËLLIMËS

(në 26-vjetorin e vdekjes tragjike të poetit Agim Spahiu)

Në 26-vjetorin e vdekjes tragjike, e përkujtoj me mall poetin, Agim Spahiu. Ndonëse me Agim Spahiun nuk jam takuar asnjëherë fizikisht, nga larg, nëpërmjet shkëmbimit të ideve, planeve dhe literaturës, me të kemi qenë vëllezër shpirti, vëllezër letërsie dhe vëllezër të idealit kombëtar. Dhe krejt kjo në saje të të palodhshmit, mikut tim, veprimtarit dhe shkrimtarit,  Shefqet Dibrani. Ishin ato ditët dhe netët e gjata të fillimit të viteve të nëntëdhjeta, vite të veprimit dhe vite të shpresës së madhe… ditë dhe net, të cilat Shefqet Dibrani, në mes tjerash, i përjetësoi me vëllimin poetik të Agim Spahiut “Njeriu mbi Pikëllimë” dhe me librin monumental “Letrat e Agimit”, ndërsa Agim Spahiu me botimin e librit poetik të Shefqet Dibranit “Larg pikon hëna”. Letra që po e botoj, si të gjitha letrat tjera të poetit, ka vlerë autobiografike, letrare dhe historike dhe si e tillë përmbyllë kuadrin e librit epistolar “Letrat e Agimit”.

Letrën e plotë e botoj në shenjë të miqësisë së përjetshme me të paharruarin, mik e vëlla, Agim Spahiun.

Vëlla e shok Kadri,
me dëshirën e mirë për shëndet të plotë e mbarësi familjare ju përshëndes me gjithë zemër!
Një letër prej jush ka qenë e mirëpritur, jo veç për atë që miku ynë, Shefqeti, e ka bërë emrin tuaj të pranishëm e të dashur prej kohësh, por edhe se në vetëdijen time e ndjeva lëvizjen tuaj në enigmën e mos njohjes e të pritmënisë si një gazavaj e mall, që kërkon të shfaqet e prap ndruhet, që jepet e s’do të jepet, që digjet e s’do të digjet, një lojë e bukur e dritëhijes mbushur me të fshehta të magjishme – kaq e dëshiruar dhe e ëndërruar prej poetëve. Duke ma lexuar shpirtin tim së largu përmes korrespondencës me Sh. (Shefqet Dibranin), intervistës e së fundi përmes dorëshkrimit “Njeriu mbi Pikëllimë”, ju arritët në mënyrë të përkryer të ushqeni shpirtin tim poetik me atë që kërkon në çdo kohë: magjinë e mallit dhe dashurinë për njeriun.
Letrën tuaj të mrekullueshme e mora aty nga fundi i dhjetorit, pak ditë para se të vinte Sh., dhe, arsyeja që s’ju kam shkruar menjëherë është pengu që kisha me ju (për përgjigje), kështu që ju kujtoja përditë e, pse ta fsheh, edhe bisedoja me ju. Nganjëherë pengjet e heshtjes janë më të mrekullueshme se pengjet e mijëra fjalëve.
Vëlla Kadri, ju falënderohem shumë për vlerësimin që i bënit librit tim dhe përkushtimit tim si poet. Mund ta them me plot gojë se ballafaqohem për herë të parë me vlerësime kaq dashamirëse, me kulturë të gjerë letrare e me vështrim shkencor. Gjithmonë kam menduar se “poezia jam unë” – pra, me këtë dua të them se përjetimet gatuhen brenda subjektit e mandej plasin e rriten për në duart e të tjerëve. Ndoshta ky konceptim i drejtë, njësimi i njeriut me poetin, (jashtë kësaj s’mund ta kuptoj) më ka ofruar dhimbjen e pikëllimin, që më kanë shoqëruar gjithë jetën. Por, gjithmonë i pafat, i mënjanuar nga “bilbilat” me testa të kuqe, të cilët po thyejnë këmbët për ta zënë për fyti demokracinë. Fati im dhe i poezive të mia lidhet me Shefqetin dhe me ju. E tash jam i qetë, s’më tremb asgjë: e di fort mirë se në duar të kujt e kam lëshuar shpirtin tim të derdhur në vargje. Ju falënderohem të dyve.
Vëlla Kadri, unë vërtet, me kohë, kam shfaqur dëshirën përmes Sh. që ju të jeni redaktor a recensent i librit, por mbas letrës suaj unë këmbëngul për një gjë të tillë, natyrisht, pa ju prishë punë ju dhe pa ju marrë kohë.
E për sa i përket një koncepcioni të ri të gatimit të përmbledhjes, mendoj, si edhe ju, do të çalonte çdo përpjekje për bashkim tematik. Besoj më e mundshmja është ajo që kam zgjedhur, por do të dëshiroja që vëllimet e para (mundësisht 4 të parat) të riharren me një sy të ri e të ftohtë, pa dhimbje, pa nostalgji, pa dashuri të vogla njohjeje. Ndoshta ata libra (“Lirisë”, “Duart e punës”, “Vjen një moshë”, “Të jetosh me ty”) duhet të përfaqësohen me sa më pak poezi prej atyre që kam zgjedhur vetë, natyrisht me një sens rritjeje sasiore nga libri në libër. Pesha e krejt përmbledhjes duhet të rëndojë në “Është koha të duhemi…” dhe “Shpirt i trazuar”. Veç kësaj, nëse shihet e arsyeshme, le të shtohen dhe nja tri poezi të reja nga cikli i nëntorit që ua kam dërguar para ca kohësh. Për mua nuk ka rëndësi sasia e faqeve, sasia e poezive, volumi i librit – e rëndësishme është që ai të jetë mik i njeriut nesër, po një mik i mirë që nuk të lodh, që ke dëshirë të gdhish me të. Ju lutem, pastrojeni nga çdo poezi e thatë e cerebrale, nga çdo poezi që më ka rrëshqitur a m’është dhimbs. Vetëm një sy i ftohtë, një shpirt që dhemb e një zemër që tronditet mund ta bëjnë librin e tjetrit një libër të vërtetë. Unë e kuptoj se kjo nuk është një përgjegjësi e vogël, por besimi im është më i madh e më i rëndë se ajo… Është një lloj amaneti, që më mirë se ju (ty dhe Sh.) nuk mund t’ia lë askujt.
Me Sh. kaluam disa ditë, që për mua vërtet ishin të bukura, po për Sh. tronditëse, mjaftë tronditëse, shto këtu edhe ato që s’vareshin nga ne (zënia e rrugës, moslëvizja e automjeteve, etj). Se dihet, vëlla, nuk mund të jesh i lumtur e nuk mund të lumturosh as mikun më të dashur në një vend të palumtur, të varfër e gjithë dhimba si Shqipëria jonë. Po s’ke ç’i bën: ky është fati ynë e fati i dheut tonë.
Me gjithë dëshirat tona për botimin e librit të Sh. në dygjuhësi, nuk na eci, z. Robert Shvarci nuk pranoi të përkthente librin, mbasi kishte shumë punë në duar. Librin e konceptova dhe po ia nis Sh. në një ditë me letrën tuaj. Meqë mendojmë të jeni recensues i librit “Larg pikon hëna…”, ju lutem më dërgoni mendimin tuaj për secilën poezi. Veç kësaj kam lënë vend bosh edhe për një ese hyrëse, të cilën e titullova “Dhimbjet e shpirtit” (mund të ndryshojë titulli) dhe mendova se do të kishit dëshirë ta shkruanit ju. Po qe se pranoni, ma dërgoni me një fotokopje të librit, ku të ketë edhe mendimin tuaj konkret për vargje a poezi që duhen hequr.
Sh. më foli për poezitë tuaja. T’ju them të drejtën, përveç poemës që Sh. ma ka dërguar me librat e para, nuk kam lexuar ende gjë në vargje prej jush. Nëse jeni i mendimit të bëni një vëllim poetik dhe ta botoni në Shqipëri, me dëshirë do të pranoja të isha redaktor dhe të ndiqja procesin e botimit të tij, siç po veproj edhe me librin e Sh. Për më gjatë më shkruani dhe, nëse jeni dakord, më dërgoni dorëshkrimet.
Ju lutem, sapo ta merrni monografinë për J. Gërvallën, më dërgoni një kopje urgjent, mbasi mendoj të bëj një shkrim për ndonjë gazetë qendrore.
Me dëshirën e mirë se do të bisedojmë gjatë me letrat tona e me punët tona letrare, ju uroj gjithë mirësitë ju, familjes suaj e trashëgimtarëve!

Me dashuri vëllazërore,
Agim Spahiu
Kukës, 26 janar 1993

***
A nuk e ndien se unë po vdes
Në luftë me shëmtirën e gjakut, të rrugës e qytetit,
bile edhe me më të largëtën: të shtetit e supershtetit
në luftë me masakrën, padrejtësinë dhe vesin…
A nuk e ndien se po vdes nga mosdashuria?.
Si ajri me rrethon indiferenca dhe përbuzja,
ooo, sa e gjatë qenka rruga!
A nuk e ndien se gjithçka imja po shkon?
Lamtumirë dashuri, që ende më beson.”
*
Dhe… ndiej dhimbjet e gjakut. Më përpijnë flakët.
T’i lë amanetet, nuk i dihet vdekjes… Nesër,
nesër them gjithë natën e lume, do t’ia them
dhimbjet e gjakut dhe varret, amanet t’i dish,
të them se rrojta si gjysmë… Po pra,
si bukën që e ndan në dysh… Dyshas rrojta
edhe vet: me një gjysmë koke me një gjysmë balli.
E nëpër dy gjysmat e mia curril ka shkuar gjaku!

Nga libri:
Agim Spahiu, Njeriu mbi Pikëllimë, Buzuku, Prishtinë, 1993, fq 124, 126

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit: Shaqir Cërvadiku, këngëtar i lindur në akordin e çiftelisë

Këngëtari, Shaqir Cërvadiku, ka kënduar e këndon  me tërë qenien, këndon me shpirt e zemër, …