MKRS

Vendos Qeveria: Për Kinematografinë 1 milion euro

Me dhënien e shumës shtesë prej 250 mijë eurosh, buxheti i QKK-së për herë të parë do të shkojë në 1 milion euro dhe do të jetë në funksion të subvencionimit të projekteve filmike për vitin 2016.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar një fond shtesë prej 250 mijë eurove për Qendrën Kinematografike të Kosovës.

Ky vendim është bërë në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 09/2011, dhe pas kërkesës së QKK-së, me nr. 24/2016, të 18 janarit 2016, për dhënien e një shume në vlerë prej 250 mijë eurove për mbështetjen e kinematografisë kosovare.

Shuma në vlerë prej 250 mijë eurove do të jepet për mbështetjen e kinematografisë sonë, pas sukseseve që ka arritur QKK-ja dhe kinematografia jonë në tërësi, veçmas me nominimin e filmit “Shok” për çmimin “Oscar”.

Ministri Kujtim Shala në ekspozenë e tij në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u shpreh se Qendra e Kinematografisë së Kosovës viteve të fundit ka realizuar projekte filmike që kanë arritur suksese të rëndësishme, me të cilat mburret Kosova dhe, së fundi, filmi “Shok”, i cili ia hapi rrugët filmit tonë dhe e radhiti në mesin e veprave më të mira të industrisë së filmit botëror.

Më tej ministri Shala u shpreh se ky sukses i jashtëzakonshëm ka krijuar një standard të ri në industrinë tonë të filmit, ngase qëllimi është të bëhen realizime sa më të arrira, të cilat kërkojnë edhe angazhime shumë më profesionale dhe të mbështetura mjaftueshëm financiarisht.

Po ashtu, siç kemi bërë të ditur, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në koordinim me Ministrinë e Financave, ka filluar punën për themelimin e një Fondi për Industrinë e Filmit dhe Lehtësirat Financiare, nëpërmjet të cilit, Kosova synon të futet në tregun ndërkombëtar të filmit në vitin 2017.

Ky fond ka për synim që të përfitojë vëmendjen e kinematografisë botërore dhe që, nëpërmjet tij, Kosova të garantojë lehtësira financiare për produksionet e huaja filmike, të cilat do vijnë në vendin tonë për realizimin e projekteve filmike.

Ky fond Kosovës do t’i sjellë përfitime të mëdha financiare, por edhe do të ndikojë dukshëm në njohjen e vlerave kulturore e turistike të Kosovës e do të shërbejë si fillesë për promovimin e kulturës së Kosovës.

Me dhënien e shumës prej 250 mijë eurosh, buxheti i QKK-së për herë të parë do të shkojë në 1 milion euro dhe do të jetë në funksion të subvencionimit të projekteve filmike për vitin 2016.

Kontrolloni gjithashtu

Në 25 vjetorin e rënies heroike, u përkujtuan Ilaz Kodra dhe 315 dëshmorë të tjerë

Në nderim të rënies heroike të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra dhe …