leoni

U PËRJETËSUAN NË BETEJËN “TE STANET E MULLABAZIT”

Në 21 vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve të lirisë, Milaim Morina dhe Xhevdet Krasniqi, në afërsi të Celinës, së bashku me bashkëpunëtorë, familjarë të të rënëve për liri dhe përfaqësues të OVL të UÇK-së, kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, ka bërë homazhe në kujtim të veprës dhe sakrificës sublime për lirinë e atdheut. Milaimi dhe Xhevdeti, të dy bashkë janë gurë të çmuar në muret e kalasë së luftës për çlirimin e atdheut. Ata janë krenaria e fshatit Dejnë, janë shija e veçantë e batalionit tonë, janë rreze drite e trevës së Anadrinit, janë gjaku ynë që as nuk falet, as nuk shkelet. Pra, ata i dhanë peshë fshatit Dejnë, i dhanë forcë e gjallëri luftës sonë, i dhanë jetë e shpresë jetës sonë, i dhanë emër të mirë batalionit të tretë, ka thënë me këtë rast kryetari Latifi. Latifi Tutje shtoi, Milaim Morina dhe Xhevdet Krasniqi ishin të zgjuar dhe vepruan në periudhën ku gjumi ishte i barabartë me vdekjen. Nuk u ndalën, por vazhduan luftën edhe pas ofensivës armike të shtatorit 1998, kur ishte shumë vështirë të qëndroje në Kosovë. Ne i njohim mirë angazhimet e Milaimit dhe të Xhevdetit, të cilët jetuan, luftuan dhe dhanë jetën e tyre për çlirimin e vendit. Milaimi dhe Xhevdeti, dëshmuan me gjakun e tyre se duhet të ndërpritet kjo rrjedhë, që të mbyllet kjo epokë dhe për Kosovën, popullin shqiptar, të hapet epoka ku do të lëshoi shtat liria dhe do të hapen shtigjet, të cilat dikur dukeshin ëndrra. Dëshmorët e kanë vendin në ballë sepse ata e fituan me jetë e gjak këtë nder. Ata flasin çdo ditë me ne, me fëmijët tanë, flet çmimi që e paguan për të ndryshuar rrjedha e jetës së popullit tonë, të cilit pothuajse për më shumë se 1 shekull ju kishte ndërprerë ecja, ju kishin mbyllur shtigjet. Dëshmorët janë kurora e lavdisë që e zbukuruan edhe më shumë pamjen dhe vlerat e këtij populli të lashtë. Ata janë dhimbja jonë, plaga jonë, por edhe fanari që na ndriçon rrugën tonë sot dhe nesër. Dejni është vendlindja e këtyre dy trimave, Kosova ishte emri që i thirri, Shqipëria e bashkuar ishte qëllimi përse luftuan. Në Dejnë u lindën, u rritën, u përgatitën për t’i shërbyer çlirimit të Anadrinit, për të vepruar në këtë zonë dhe me veprën e tyre e nderuan atdheun, për të cilin u flijuan. Stanet e Mullabazit, në kodrat afër fshatit Celinë, janë vendi ku ata u përjetësuan, në mëngjesin e 27 majit 1999. Rënia e tyre, në atë fund-maj e bëri edhe më të shtrenjtë lirinë e këtij trualli, të cilën UÇK-ja po ia jepte fitores që po afrohej. Pasuria më e madhe që lanë Milaimi, Xhevdeti dhe dëshmorët e tjerë janë atdheu, liria, kombi shqiptar. Detyra jonë kryesore është ta ruajmë, ta çmojmë, ta duam, ta mbrojmë e ta jetësojmë idealin e dëshmorëve të kombit. Përjetësisht nderime dhe lavdi dëshmorëve Milaim Morina dhe Xhevdet Krasniqi!

Lavdi të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e atdheut!

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi Komunal i Vitisë mbajti mbledhjen e katër të rregullt

Kuvendi Komunal i Vitisë ka mbajtur sot mbledhjen e katërt të rregullt. Me këtë rast …