Avokati i Popullit: Për vrasjen e Arlinda Zekajt, ka dyshime serioze për përgjegjësi të drejtpërdrejtë të shtetit

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka deklaruar se në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt ka dyshime serioze për përgjegjësi të drejtpërdrejtë të shtetit, duke vlerësuar se institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Ai ka kërkuar zbardhjen e plotë të përgjegjësive, marrjen e masave konkrete parandaluese dhe llogaridhënie nga autoritetet përgjegjëse.

Qelaj ka thënë se, ndonëse ende nuk është bërë një vlerësim përfundimtar i të gjitha rrethanave të rastit, faktet që po bëhen publike ngrenë shqetësime serioze për mënyrën se si institucionet kanë vepruar për ta mbrojtur viktimën.

“Ajo që mund të them në këtë fazë, kur ne ende nuk i kemi hetuar të gjitha detajet, është se duket shumë qartë që përgjegjësia e shtetit në këtë rast nuk është treguar në nivelin e duhur. Pra, shteti ka dështuar me i mbrojtë viktimat e dhunës në familje”, ka deklaruar Qelaj.

Ai ka theksuar se shqetësimi bëhet edhe më i madh për shkak se, sipas tij, dështimet institucionale nuk janë raste të izoluara, por probleme që janë përsëritur ndër vite, pavarësisht rekomandimeve dhe thirrjeve të vazhdueshme për ndërhyrje.

Avokati i Popullit ka kërkuar që dhuna ndaj grave dhe përgjegjësia institucionale të trajtohen si çështje me rëndësi kombëtare, pa politizim dhe ndërhyrje politike.

“Unë mendoj se vendi ka nevojë ta vendosë këtë çështje në nivelin e interesit nacional, me rëndësinë dhe peshën që duhet të trajtohet, duke i lënë anash politizimet dhe ndërhyrjet politike dhe duke e trajtuar nga aspekti ligjor dhe i respektimit të të drejtave të njeriut. Po flasim për raste kur shteti duhet të dalë dhe t’u japë llogari qytetarëve të vet se pse ka lejuar të vritet një grua, kur rasti ka qenë i raportuar më herët”, ka shtuar Qelaj.

 

Kontrolloni gjithashtu

Paga e 13-të do të paguhet në fillim të vitit 2027

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se paga e 13-të për punonjësit e sektorit …