Kryetari Begaj prezantoi raportin e punës për vitin e kaluar

Nën drejtimin e kryesuesit Aziz Thaçi, të premten është mbajtur mbledhja e katërt e rregullt e Kuvendit të Komunës së Malishevës. Në këtë mbledhje, para anëtarëve të kuvendit, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka prezantuar raportin e punës për vitin 2015, të kryetarit dhe qeverisë komunale. Kuvendi i Komunës së Malishevës, po ashtu, ka formuar edhe Këshillin Organizativ për shënimin e 16 Qershorit- Ditës së Çlirimit dhe Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Malishevës.

Pas miratimit të rendit të ditës dhe shqyrtimit të procesverbalit nga mbledhja e kaluar, para anëtarëve të Kuvendit të Komunës, kryetari Begaj, ka prezantuar punën e tij dhe të qeverisë komunale për periudhën janar-dhjetor 2015. Në këtë raport, kryetari Begaj, ka prezantuar të gjithë angazhimin njëvjeçar, të të gjitha drejtorive dhe sektorëve, ndërsa më pas anëtarët e kuvendit, e kanë shqyrtuar në detaje të gjithë raportin, ku kanë shprehur edhe mendimet e tyre rreth raportit.

Pas kësaj, KK i Malishevës, ka miratuar kërkesat e tre qytetarëve, për ndërrim destinimi të tokës bujqësore në tokë ndërtimore. Po ashtu, KK ka miratuar edhe raportin e komisionit vlerësues për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës publike të komunës, për qëllim të investimit privat, me interes publik.

Po ashtu KK i Malishevës, ka miratuar edhe planin e punës për vitin 2016, të komisionit të aksionarëve, pastaj ka miratuar edhe kërkesën e Drejtorisë së Urbanizimit, për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Kuvendit të Komunës, për Planin Zhvillimor Komunal, si dhe ka miratuar edhe kërkesën e KDI-së, për inicimin e procedurave për ndryshimin e Rregullores Komunale për Transparencë dhe formimin e komisionit për këto ndryshime të kësaj rregulloreje.

KK, ka shqyrtuar edhe raportin kumulativ të zyrës së tatimit në pronë për vitin 2015, si dhe ka miratuar bartjen e mjeteve nga të hyrat vetanake nga vitet 2014 dhe 2015, në vitin 2016.

Gjithashtu, me vendim të Kuvendit të Komunës së Malishevës, është formuar edhe Këshilli Organizativ për shënimin e 16 Qershorit-Ditës së Dëshmorëve dhe Ditës së Çlirimit të Komunës së Malishevës.

Kontrolloni gjithashtu

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës së Rahovecit 

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës …