At Gjergj Fishta

Ahmet Qeriqi: Analiza dashakeqëse, injorante dhe denigruese e Skifter Këlliqit, për Gjergj Fishtën dhe “Lahutën e Malësisë”

Gjatë viteve 1950-1990 edhe mund të ishin pritur shumë shkrime kundër Fishtës për shkaqe që i di çdo kush, por sot, sidomos tani kur Fishta është rikthyer për lexuesit e studiuesit shqiptarë e të huaj,  në përmasat e tij realiste si shkrimtar, poet, veprimtar, si njëri ndër  krijuesit dhe autoritetet më të dalluara e më meritore të kombit, si intelektuali që ka zënë kulmet e mendimit filozofik kombëtar e më gjerë, përpjekja për t’ ia ulur vlerën shkrimeve të tij, për shkak të bindjeve të tij politike për kohën kur ka jetuar, për shkak të mënyrës se si e ka konceptuar e realizuar krijimtarinë e veçmas kryeveprën  “Lahuta e Malësisë”, sado përpjekje koti e donkishoteske, ato janë të pa qëndrueshme, nëse kemi parasysh kohën kur ka jetuar dhe ka krijuar Fishta, dhe pikërisht kjo do të duhej ishte qasje metodologjike e punës shkencore e të cilitdo studiues, qoftë edhe mendjemadh e prepotentë, që nuk ka pasur dhe nuk ka pak kritika jonë letrare, heteregjone dhe mjaft e paqëndrueshme në shumë segmente.

Skifter Këlliqi, pretendon  të dalë mbi të tjerët për shkak të vlerësimeve ndër më meritoret që i ka pasqyruar kritike letrare shqipe e më gjerë për jetën e veçmas për  krijimtarinë letrare të Fishtës, me pretendime se ai e ditka të vërtetën por jashtë kohës e hapësirës, jashtë së vërtetës dhe reales e cila nuk  zhbëhet dot,  sepse ashtu po menduaka një Skifter Këlliqi, apo edhe ndonjë tjetër si ky.

Në këtë paraqitje,  nuk do të merrem fare me vërejtjet gjuhësore që i “zbulon”  S. Këlliqi, sepse Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Letrare shqipe është mbajtur në vitin 1972, 31 vjet pas vdekjes së Fishtës. Dihet nëndialekti me të cilin ka shkruar Fishta dhe këtë më së miri e ka arsyetuar akademiku dhe albanologu më i njohur shqiptar i deritanishëm, dr. Eqrem Qabej.   Andaj, qoftë Këlliqi apo kushdo që merret me gjuhën e Fishtës, duhet të ketë në kokë kohën, hapësirën, historinë e zhvillimit të gjuhës, pastaj gjuhën e personazhit me karakteristika qoftë edhe lokale e të tjera.

Ta kritikosh Fishtën për gjuhën me të cilat ai i ka shkruar veprat e tij  është njësoj si të kritikosh Buzukun, Budin, Bogdanin e shumë të tjerë, sepse nuk paskan shkruar në gjuhën letrare të kohës së sotme.

Andaj në vështrimin tim nuk do të merrem fare me këtë interpretim naiv dhe prepotent  me të cilën janë marrë edhe disa t’ i quajmë akademikë e studiues që kanë shumë konsideratë për veten dhe dijet e tyre, kur marrin të maten me Fishtën dhe ta kritikojnë 80 e sa vjet pas vdekjes së tij.

Skifter Këlliqi, në fillim të shkrimit të tij të gjatë, përpiqet të na bind se  nuk i ka vënë qëllim vetes të vë në dukje vlerat e kësaj vepre  por për fillim do të ndalet kryesisht në mangësi të saj të karakterit gjuhësor dhe artistik, disa prej të cilave deri tani, sipas tij qenkan vënë në dukje kryesisht prej  pr. dr. Shefkije Islamaj në librin e saj dy vëllim, me titull “ Gjuha dhe stili”, kushtuar veprës së Fishtës dhe  botuar  nga Instituti Albanologjik, në Prishtinë më 2012. Ndër të tjera, në studimin e saj ajo vë në dukje se Fishta nuk  ka arritur t’i shpëtojë proliksitetit, teprisë së përshkrimeve, teprisë së fjalëve,  përsëritjeve të panevojshme si dhe gabimeve drejtshkrimore…veprim ky i pamotivuar, i paarsyetuar, për shkak të aplikimit të rregullave të metrikës,  kur është fjala për veprat në vargje. (“Gjergj Fishta, gjuha dhe stili, një monografi me rëndësi  në studimet albanologjike”, nga Kastriot Marku, Gazeta 55, 24 nëntor , 2012).

 

Disa nga mangësitë tjera të veprës  së Fishtës, sipas  Këlliqit

Në  vargjet e mësipërme Fishta dy herë nënvizon fjalën “mbret”. Kuptohet se me të ai nënkupton sulltanin e Turqisë. Pra, shqiptarët t’i shërbejnë sulltanit dhe madje  për të mos i dhimbset as jeta,  ashtu si Oso Kukës…

Në zërin “Oso Kuka”, të përfshirë në FESH, botim i dytë, midis të tjerash, shkruhet:”Atdhetar nga Shkodra, komandant i një njësie,  që dha jetën për mbrojtjen e trojeve nga shovinistët malazeze”, (faqe 1396,vëllimi i dytë, 2008). Pra, nuk theksohet  shprehja që ai dha jetën edhe ” për mbret”, me një fjalë  për Sulltanin, paraardhësit e të cilit prej shekujsh kishin pushtuar Shqipërinë dhe  të cilën ai e mbante me dhunë nën sundimin e tij mizor.

Mendoj se edhe Fishta kishte mundësi të mënjanonte  shprehjen  “për mbret”, të cilën e ka nënvizuar edhe në  fund të faqes 44, kur shkruan:

 

”Mallkue qoftë njaj n’Shqipni,

…qi për mbret e për liri,

s’çohet sot me armë mizore…”.

(“Vranina”, faqe 44)

( Skifter KËLLIÇI: NJË LEXIM NDRYSHE I “LAHUTËS SË …https://alb-spirit.com › 2017/07/05)·

Nga këto “zbulime” që i ka bërë Fishtës, z Këlliqi del se Fishta  do të duhej të kishte pasur qasje ndryshe për kohën, ose  do të duhej të kishte qenë profet e ta kishte  ditur sesi  do të rridhte situata pas vdekjes,  apo pse nuk kishte parashikuar që në të ardhmen  një “skifter-sikter” do të mendonte se Fishta duhej të kishte menduar ndryshe për Sulltanin, ndryshe për Mark Millanin, Për Italinë e Musolinin dhe jo sikur kishte menduar në kohën e tij, me kokën dhe bindjet e tij,  me siguri një shekull para Skifter Këlliqit.

Kjo është sikur ta pyesësh këtë Skifterin se pse ndryshe kishte menduar për Enver Hoxhën kur ishte gjallë e tani e shan dhe e fyen.

Gjergj Fishta qenë njeri me kredibilitet, me identitet të spikatur të intelektualit mbi mesataren e intelektualëve të kohës së tij dhe kurë nuk kishte lëpirë atë që kishte pështyrë njëherë sikur bëjnë disa tani në kohën tonë.

Sipas, Skifterit,  që pretendon se paska zbuluar anët e errëta të botëkuptimit fetar e kombëtar të Fishtës, na del se poeti nuk paska guxuar të shprehte  qasjen dhe botëkuptimin e tij, realist për kohën në raport  me  Perandorinë Osmane, por qasjen që ka  Skifteri sot!

Po ashtu dhe në Këngën e Dytë “, Oso Kuka”, ai mund të mënajnonte dhe takimin e këtij heroi    me Avdi pashën, sundimtarin turk të Shkodrës, të cilit i  kërkon 40 trima  dhe me ta  niset për në Vraninë, për t’u përballur me trupa malazeze  që kërkonin të pushtonin toka shqiptare,  por që ishin prej shekujsh të  pushtuara nga Turqia.

Me këto pikëpamje donkishoteske, Skifter Këlliqi paraqitet si një lloj redaktori apo recensenti, i cili na tregon se si nuk ka qenë dashur të vepronte Fishta, në mënyrë që Skënderi të pajtohej plotësisht me të. Faji i madh i Fishtës  paska qenë që ka lindur para kohe, madje shumë më parë sesa  kritiku i tij.  Këto pretendime në esencë janë naive dhe të paqëndrueshme, janë njëlloj e më keq sesa ato  të Kadaresë në kohën e regjimit komunist, edhe pse Kadare ka treguar aq kredo i dinjitet dhe ka shprehur pendim për fjalorin,  të cilin e kishte përdorur në stigmatizimin të krejt jetës dhe veprës  së Gjergj Fishtës, edhe pse me një vonesë gati dyzet-vjeçare.

Po kështu, gjithnjë sipas Skifterit që  kapërcen shekujt,  Fishta   paska pasur  mundësi që në Kangën e 6-te,  “Dervish Pasha”, të mënjanonte takimin e shtegtarit shqiptar  me Abdyl Hamitin, të cilin përsëri e quan “mbret” dhe jo “sulltan”, aq më tepër qe ky shtegtar shkon në Stamboll  që  t’i lutet  sulltanit, pra, atij që vazhdontet ta mbante Shqipërinë nën zgjedhë, që të dërgonte  forca, për të zmbrapsur  malazezët, të cilët  kërkonin të pushtonin toka shqiptare.  Pra, ky shtegtar, që përfaqëson Shqipërinë, i kërkon ndihmë…. pushtuesit, për të zmbrapsur pushtuesit  e rinj.(!?).

Këto konstatime  janë jashtë kohës dhe realitetit historik, janë jashtë çdo logjike të shëndoshë kur Skifter Këlliqi pretendon ta mësojë  me këtë rast Fishtën se cilin qëndrim duhet ta kishte pasur ai në kohën e tij  për Turqinë, pavarësisht se cilin e kishte pasur shumica shqiptare e kohës e bashkë me te edhe Fishta, i cili kishte lindur në vitin 1870 dhe përplot 42 vjet  me gjithë shqiptarët e katër Vilajeteve kishte jetuar nën dhe me Perandorinë Osmane, sepse jo të gjithë shqiptarët asokohe kishin qenë kundër Perandorisë, thënë realisht shumica kishin qenë me Perandorinë, por këto të vërteta nuk i honeps Skifteri, sepse ai Fishtën e trajton me kutin e tij…

Konstatimi se shqiptarët nuk do të duhej t’ i kishin kërkuar ndihmë Sulltanit për t’ i përzënë nga trojet shqiptare sundimtarët e rinj shkje e malazezë, por duhet t iu kishin bashkuar Mark Millanit, Kral Nikollës  e shkjeve të Ballkanit për të luftuar me ta, kur ata po u pushtonin tokat dhe po i vrisnin, del jashtë çdo logjike historike, duke kaluar krejtësisht në taborin tjetër.

Arsyetimi,  që ky njeri iu bën luftërave të sllavëve  të Ballkanit për të sunduar  mbi shqiptarët dhe për t i vrarë e masakruar ata,   duke pretenduar t ua ndërronte  edhe fenë, gjuhën, veshjet, flamurin, sikur bënin përpjekje malazezët që shqiptarëve t ua vendosnin kapicat mbi kokë, në vend të plisit e “trobojkat” sllave në Kalanë e Shkodrës,  kjo nuk mund të arsyetohet në pikëpamje kombëtare, por arsyetohet në pozitat e Esad Pashë Toptanit, i cili madje kishte vrarë heroin e mbrojtjes së  Shkodrës, Hasan Riza Pashën, me të cilin Fishta kishte një miqësi të thellë e shumë të sinqertë. (Fatos Baxhaku)

Kjo analiza e gjymtë jashtë kohës e hapësirës, jashtë rezonit dialektik të Skifter Këlliqit, zbulon jo Fishtën sikur përpiqet të na paraqesë ai, por veten e tij, botëkuptimet e tij, të cilat sharrojnë aq keq në konstatimin sa vlerëson se më mirë paskësh qenë  pushtimi i tokave shqiptare, nga shkjetë e Ballkanit si  Dibra, Shkupi Kosova Malësia, Plava Ulqini sesa të mbeteshin nën Turqi. Është fat që ka pak studiues shqiptarë të cilët edhe sot arsyetojnë pushtimin jugosllav, madje disa kanë arsyetuar edhe vetë Milosheviqin  e luftën e tij.

Luftërat me shovinistët malazezë dhe me pushtuesit turq…

Skifter Këlliqi arsyeton qëndrimin që kishte ndaj veprës së Fishtës, duke u mbështetur në   “Historinë e letërsisë shqiptare”,   botuar në vitin 1958, pra gjatë periudhës komuniste,  ndër të tjera kanë vënë në dukje se vepra kryesore e Fishtës,  poema “Lahuta e Malësisë”…”, duke sulmuar shovinizmin e fqinjëve te Veriut, propagandonte antisllavizmin dhe vinte ne plan të dytë luftën kundër  pushtuesit otoman”. Më saktë duhej thënë  luftërat kundër synimeve grabitqare të shkjeve malazezë zënë më shumë vend se luftërat kundër pushtuesve otomanë, të cilët ishin dhe mbeteshin  armiqtë kryesorë të Shqipërisë. Madje edhe në vitet 1858-1913, periudhë gjatë së cilës zhvillohen ngjarjet e poemës,  siç e vë në dukje dhe vetë poeti që në vargjet e para të Kangës së Parë,  vazhdonin të ishin pikërisht pushtuesit otomane,  të cilët  kishin  shtrirë sundimin e tyre  që nga viset më të epërme  veri-perendimore dhe veri-lindore të krahinave shqiptare, duke përfshirë Kosovën dhe Dibrën, deri në Shqipërinë e Jugut, në  Camëri. Ky kosntatim skandaloz shkon deri atej sa asryeton mbetjen e Kosovës dhe Çamërisë nën Greqi e Serbi, vetëm sepse serbët e grekët paskan luftuar kundër Turqisë.

Këtij konstatimi do t’ i vëmë përballë një pasus të fjalimit të Gjergj Fishtës, që e kishte paraqitur  në Konferencën  e Paqes në Paris të vitit 1919.

 …Arsyeja pra pse kombi shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vete, nuk qe puna se atij i mungonte ndërgjegja kombëtare, ose ndjesia për liri e pavarësi, por qe fakti se pikërisht në ditën,  në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështu që, prej kësaj pikëpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turqisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turqisë, se sa me u gri prej kristjanëve. Po e shoh, Zotni, se kjo fjalë në gojën time disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvete. Janë faktet që më japin arsye. Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë populli hoqi zi e si asht me zi prej tij.

E tash dëgjoni si u soll kristiani me Shqipni e me shqiptarë.

Në vjetin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin, pak me thanë dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë; grijnë myslimanë, sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë Shkodrën. Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sado  Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vitit 1915, italianët pushtojnë Vlorën, gjoja  për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmurë të Shqipnisë jugore. Në 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. Me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptarë.

E sot Konferenca e Paqes lypë që pikërisht ndër ndër këto vise të bahet plebishiti për të caktue kufijt e Shqipnisë. Ç’ironi e helmueme!

I jap vetës të drejtë të mendoj se Skifter Këlliqi nuk e ka lexuar këtë fjalim të Fishtës, sepse po të kishte dijeni për këto konstatime të vërteta dhe historike, ai ose do ta përkrahte Fishtën, ose do ta kishte një argument më shumë për ta sulmuar si rrallë kush tjetër deri tani, kuptohet nga pozita individuale e tij.

Këlliqi shihet qartë   nuk e di se në atë kohë  kufijtë veriorë  të Shqipërisë shtriheshin deri në Nish, Sanxhak e tutje. Nuk e di se  edhe atje ishte zhvilluar  luftë fatale e tragjike, me përmasa po aq të mëdha,  por ata shqiptarë nuk kanë pasur fat ta kishin pasur një  shkrimtar si Gjergj Fishta për të përshkruar atë luftë dhe ato përpjekje të përgjakshme shqiptare, për të cilat duket se kurrë nuk ka dëgjuar as lexuar, as ka ditur, ky Skifteri.

 

Ai thotë se “Në Kangën e  9-të të poemës, të titulluar “Lidhja e Prizrenit”  duhej të vihej në dukje se Turqia nuk i falte Malit të Zi me dëshirë toka shqiptare, por detyrohej ta bënte këtë pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, më 1878, si humbëse në Luftën Ruso-Turke. Ky fakt  mund të qartësohej  edhe në Kangën   e 8-të, pra në këngën e mëparshme”

Skifter Këlliqi ia sheh për të madhe Gjergj Fishtës pse ka konstatuar se Turqia pa dëshirë i kishte lëshuar tokat shqiptare. Ai do të duhet të kishte shkruar gjithnjë sipas bindjeve të sotme të Skifterit dhe skifterëve të tjerë  duke konstatuar se Turqia me gjithë dëshirë ia kishte lëshuar tokat e veta, nën sundim Malit të Zi pas të cilit qëndronte Moskovi dhe që nuk ka të bëjë fare me historinë.

Është humbje kohe të merremi  më tej me konstatimet e mbrapshta  këtij studiuesi,  i cili duket fare qartë, që  për arsye që ai i di, i kishte vënë vetes detyrë ta denigrojë Fishtën, në të gjitha segmentet jo vetëm letrare, artistike, gjuhësore, kombëtare por edhe politike, duke e etiketuar edhe si fashist sepse paska qenë edhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Italisë, në kohën e Musolinit.

Çka t’ i shtojmë më tej këtij pretendimi malicioz, të pandershëm por në esencë të pa dinjitet.

Pavarësisht këtij shkrimi tendencioz, të Këlliqit, apo ndonjë shkrimi tjetër të kësaj natyre madhështia e Fishtës, është ajo që manifestohet  në të gjitha segmentet e jetës dhe veprës  së tij, dhe,  jo vetëm që nuk trandet, por fiton edhe më shumë, sepse balta e hedhur mbi mermer  nuk rri dot, atë e lan shiu, e zbardh bora, e ndriçon  dielli.

 

Literatura:

 

– Gjergj Fishta, gjuha dhe stili, një monografi me rëndësi  në studimet albanologjike”, nga Kastriot Marku, Gazeta 55, 24 nëntor , 2012.

– Skifter KËLLIÇI: NJË LEXIM NDRYSHE I “LAHUTËS SË …https://alb-spirit.com › 2017/07/05)·

–  Ahmet Qeriqi Fjala e Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris  katër studime… Faqja e Radios Kosova e Lirë, ose google.

–  Baxhaku, Fatos, 1912-1913: Rrethimi i fundit i Shkodrës, gazeta Shqip, 18 gusht 2012.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit: Shaqir Cërvadiku, këngëtar i lindur në akordin e çiftelisë

Këngëtari, Shaqir Cërvadiku, ka kënduar e këndon  me tërë qenien, këndon me shpirt e zemër, …