AME: Zjarri në malet e Deçanit është vënë nën kontroll

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka bërë të ditur se sot, sipas raporteve të pranuara nga Qendrat Operative Emergjente 112, në nivel vendi është vërejtur një shtim i zjarreve.

AME, në një postim në “Facebook”, njofton se një nga zjarret më të mëdha aktualisht është regjistruar në Komunën e Deçanit, në vendin e quajtur “Çeli”, ku kanë përfshirë një sipërfaqe me gështenja dhe shkurre.

“Pas pranimit të njoftimit, janë mobilizuar forcat e NJPZSH-Deçan dhe NJPZSH-Junik, pjesëtarë nga Agjencia Pyjore si dhe vullnetarë. Ekipet po punojnë intensivisht për shuarjen dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit, aktualisht, zjarri është nën kontroll”, thuhet në njoftim.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent, MPB, apelon për kujdes të shtuar nga të gjithë qytetarët, veçanërisht gjatë stinës së thatë, duke shmangur ndezjen e zjarreve në natyrë dhe duke raportuar menjëherë çdo rast të dyshimtë në numrin emergjent 112. Ky numër është falas nga të gjithë operatorët e komunikimit elektronik në Kosovë.

Përndryshe, gjatë ditës, kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka kërkuar ndihmë për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë zonën e Kullës së Qelisë në Bjeshkët e Deçanit.

Ai ka thënë se situata kërkon reagjm të menjëhershëm.

“Ftojmë të gjithë vullnetarët që të bashkohen të dielen në ora 08:00, tek stacioni i zjarrfikësve në Deçan. Pajisjet e nevojshme do të sigurohen në terren, por ju rekomandojmë të vini të përgatitur me rroba dhe këpucë të përshtatshme”, ka shkruari ai.

Kontrolloni gjithashtu

Nesër më 23 tetor promovohet libri “Në emër të gjakut” të autorit Ahmet Prençi

Komuna e Deçanit nën përkujdesjen e kryetarit, z. Bashkim Ramosaj ju fton të merrni pjesë …