Zv.ambasadori i Kroacisë në Kosovë, Nedeljko Shpilek, vizitoi komunën e Vitisë

Zv.Ambasadori i Kroacisë në Kosovë, Nedeljko Shpilek, realizoi një vizitë zyrtare në komunën e Vitisë, ku u prit nga zëvendëskryetari i komunës, Hasan Aliu, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët.

Gjatë takimit, zv. kryetari Aliu e informoi diplomatin kroat për të dhëna të përgjithshme mbi komunën, përfshirë numrin e popullsisë, komunitetet që jetojnë në këtë komunë, me theks të veçantë për komunitetin kroat, si dhe për historikun, pozitën e favorshme gjeografike, zhvillimet aktuale dhe projektet në realizim. Ai theksoi edhe rëndësinë e tokës bujqësore dhe potencialin ekonomik të Vitisë, që paraqet një bazë të rëndësishme për zhvillim të qëndrueshëm.

Zv.ambasadori Shpilek, duke falënderuar për mikpritjen, theksoi mbështetjen e shtetit kroat për Kosovën, veçanërisht për komunitetin kroat që jeton ose ka jetuar në këto anë. Ai përmendi fshatrat Letnicë, Vërnez, Vërnakollë dhe Shasharë, të cilat dikur ishin të banuara nga kroatët, por pas fillimit të luftës në Kroaci, një pjesë e madhe e këtij komuniteti u shpërngul.

“Ne brengosemi për komunitetin kroat,” tha Shpilek, duke shtuar se: “Kemi vizituar disa nga pronat në këto fshatra të braktisura dhe kemi ardhur për të parë se çka mund të bëjmë së bashku me institucionet e Vitisë, në mënyrë që të ruajmë kujtesën dhe të mbështesim çdo përpjekje për rikthimin ose përkujdesjen ndaj trashëgimisë së komunitetit kroat.”

Vizita u vlerësua si hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit mes komunës së Vitisë dhe institucioneve kroate, me theks në përfshirjen e komuniteteve dhe zhvillimin lokal gjithëpërfshirës.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Ekrem Kastrati me bashkëpunëtorë priti në takim Loris Kastriotin, stërnipin e Gjergj Kastriotit

Në Ditën e Dëshmorëve të Kombit Shqiptar, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati me …