Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij ka marrë pjesë në Ditën e Shkollës të Institucionit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (IAAP) “Selajdin Mullabazi-Mici” në Rahovec, një emër që shkolla e mban me nder dhe që i jep kuptim të veçantë misionit të saj edukues.
Përvjetori i shkollës përkon me ditëlindjen e heroit Selajdin Mullabazi-Mici, i cili me sakrificën e tij kujton vlerat për të cilat jemi të thirrur të punojmë çdo ditë. Emri i tij, i lidhur përjetësisht me këtë institucion, bartë përgjegjësi dhe frymëzim për brezat që përgatiten këtu për jetën profesionale, ka thënë kryetari Latifi.
Festimi i sotëm ishte më ndryshe. Sot, kjo shkollë ishte e hapur për mysafirë e vizitorë, të cilët patën mundësi të pyesin për drejtimet e profilet, të shohin nga afër të arriturat, të diskutojnë dhe të ndiejnë atmosferën reale që krijohet çdo ditë.
Kështu, u organizua “Dita e dyerve të hapura”, ku u prezantuan 12 profilet profesionale të ndara në 8 drejtime. Nxënësit, të udhëhequr nga mësimdhënësit e tyre, paraqitën punën dhe aftësitë që po zhvillojnë me përkushtim dhe pasion.
Qëllimi i kësaj dite qe që, të pranishmit, por edhe nxënësit e ardhshëm dhe prindërit e tyre, të kenë një pasqyrë të qartë dhe të afërt për formimin profesional që ofrohet këtu. Përmes një vizite të lirë dhe takimeve me nxënësit, profesorët dhe stafin drejtues u dha mundësia të njihemi:
Me drejtimet dhe profilizimet që ofron shkolla, të konkretizuara me dëshmi të punës dhe të prezantuara nga vetë nxënësit
Me punët praktike dhe projektet, që zhvillohen në këto ambiente
Me bashkëpunimet me bizneset lokale dhe zyrtarët komunalë
Me mënyrën si nxënësit bëhen gati për tregun e punës, por edhe për studime.

Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
