Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se partia e tij do të përqendrohet tani në zgjedhjet lokale të vjeshtës 2025, duke lënë anash përkohësisht zhvillimet politike në nivelin qendror. Abdixhiku tha se LDK-ja ka dhënë zgjidhjen e saj për situatën aktuale politike dhe do të jetë e gatshme kur të tjerët të jenë të përgatitur. “Zgjidhje dhamë; zgjidhja jonë aty mbetet – kurdo që janë të gatshëm të tjerët. Deri atëherë, LDK-ja do të merret me proceset e veta përpara, aty ku s’mund të na kurthojnë,” shkroi ai. Ai njoftoi se ka ftuar në takim të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së për të nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale, ku partia synon të ruajë dhe të zgjerojë bazën e saj. “Si fituese e zgjedhjeve të fundit lokale, me 9 komuna në qeverisje dhe 206 këshilltarë lokal, po hyjmë në këtë proces me vullnet, bindje dhe përgatitje,” theksoi Abdixhiku. LDK ka nisur konsultimet e brendshme për nominimin e kandidatëve për kryetarë komunash dhe këshilltarë lokalë, duke ftuar qytetarët me integritet dhe vullnet për t’u përfshirë në këtë proces.
