Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar sot Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, ku aktualisht po zhvillohen testimet teknike dhe pritet të realizohet fluturimi i parë certifikues. Gjatë kësaj vizite, Rama ka takuar disa nga punëtorët që kanë kontribuar në ndërtimin e aeroportit, përfshirë edhe qytetarë nga Kosova. Në një bisedë të shkurtër me punëtorin kosovar Idriz Makolli, ky i fundit përmendi gjeneralin amerikan Wesley Clark, duke e quajtur “shpëtimtar të Kosovës”. Rama, në përgjigje të kësaj deklarate, theksoi se sipas tij, shpëtimtare e vërtetë e Kosovës ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Shpëtimtar i juaji ka qenë UÇK-ja, me komandantin e madh Hashim Thaçi, tha Rama, duke përmendur ish-udhëheqësin e UÇK-së dhe ish-presidentin e Kosovës, aktualisht i ndodhur në proces gjyqësor në Hagë. Deklarata e Ramës është bërë në një moment simbolik për infrastrukturën e Shqipërisë, por edhe në një kontekst historik me ngarkesë politike, duke i rikujtuar rolin e UÇK-së dhe të figurave kyçe në luftën për çlirimin e Kosovës.
