Për të 13-tën, herë me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, për shkak të mungesës së votave të nevojshme për zgjedhjen e kryetarit. Në seancën e fundit, Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve, përmes kryesuesit Avni Dehari, propozoi krijimin e një komisioni ad-hoc që do të shqyrtonte ndryshimin e mënyrës së votimit nga i hapur në të fshehtë. Kërkesa për themelimin e këtij komisioni u mbështet nga 56 deputetë, por për shkak të bojkotimit të votimit nga pjesa tjetër e deputetëve, nuk u arrit kuorumi i nevojshëm prej 61 votash. Kjo situatë nxori edhe një herë në pah pamundësinë e partisë së parë për të siguruar shumicën parlamentare. Ashtu si në seancat e mëparshme, edhe kjo seancë u ndërpre dhe u shty për 48 orë, duke zgjatur më tej krizën institucionale në vend.
